IKD: Programet e partive politike në fushën e sistemit të drejtësisë të mbushura me popullizma dhe ndërhyrje në drejtësi

IKD: Programet e partive politike në fushën e sistemit të drejtësisë të mbushura me popullizma dhe ndërhyrje në drejtësi

IKD: Programet e partive politike në fushën e sistemit të drejtësisë të mbushura me popullizma dhe ndërhyrje në drejtësi

Prishtinë, 5 shkurt 2021 – Me 14 shkurt 2021, qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës. Para se të vijë kjo ditë, qytetarët do të dëgjojnë premtime të panumërta nga partitë politike, në kërkim të votave të nevojshme për të dalë të parët në zgjedhje.

Tashmë është bërë e zakonshme që para secilit cikël zgjedhor, partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje të dalin me programe të cilat më shumë tingëllojnë si fontanë dëshirash se sa plane të realizueshme në praktikë.

Një ndër pjesët kryesore të programeve të partive politike, i kushtohet sistemit të drejtësisë, konkretisht, reformave në drejtësi, luftimit të korrupsionit e krimit të organizuar e çka jo tjetër.

Plane të tilla dëgjojmë edhe nga parti politike që kanë qeverisur në vazhdimësi në Kosovë dhe i kanë pasur të gjitha mundësitë për t’i realizuar reformat në drejtësi por që për shkak të mungesës së vullnetit politik, një gjë të tillë nuk e kanë bërë asnjëherë.

Shumë pika programore të propozuara nga partitë politike janë në kundërshtim edhe me vet parimet kushtetuese në Kosovë dhe në kundërshtim edhe me praktikat ndërkombëtare. Ndërsa, pika të caktuara programore janë praktikisht të parealizueshme për shkak të rrethanave që deri diku nuk varen vetëm nga Kosova, por edhe nga procese të tilla sikurse anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Po ashtu, pjesë të “reformave” në drejtësi që janë përfshirë në programet e partive politike tashmë janë një realitet në Kosovë pasi që janë procese që veçse kanë përfunduar kurse, shumë pika tjera të programeve të partive politike janë vetëm konstatime të përgjithshme dhe abstrakte që nuk përmbajnë brenda vetes asnjë veprim konkret se si do të arrihet këto reforma të proklamuara.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka analizuar programet politike të katër partive kryesore që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021. Kjo analizë është fokusuar tek pjesa e programit që ka të bëj me sistemin e drejtësisë. Analiza ka përfshirë partitë politike, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Për pikat kryesore që këto parti politike i kanë përfshirë në programin e tyre për sektorin e sundimit të ligjit, IKD ka dhënë edhe vlerësimet lidhur me atë se sa janë të realizueshme apo jo këto pika dhe sa nga to janë apo jo në pajtueshmëri me kornizën kushtetuese dhe ligjore në Kosovë. Po ashtu, IKD ka dhënë edhe vlerësimet për atë se cilat veprime janë të nevojshme për tu ndërmarrë për tu realizuar disa nga pikat e propozuara nga partitë politike dhe sa prej këtyre pikave tashmë veçse janë realizuar dhe ndërmarrja e veprimeve për çështje të njëjta është e panevojshme.

  1. Lëvizja Vetëvendosje

Për dallim nga partitë tjera politike të analizuara, Lëvizja Vetëvendosje ka deri diku një përparësi pasi që për shkak të kohës së shkurtë që ka qenë në qeverisje, është problematike vlerësimi se a ekziston vullneti politik tek ta për t’i realizuar reformat në drejtësi apo të njëjtat do të vazhdojnë të mbesin vetëm në letër dhe të riciklohen në çdo palë zgjedhje.

Si pikë kryesore që LVV ka përfshirë në programin e saj për sundim të ligjit, është vettingu. Ky proces, sipas programit të VV-së, do të shtrohet tek nivelet e larta dhe jo vetëm, të sistemit të drejtësisë dhe si i tillë do të fillojë nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Nëpërmjet këtij procesi, sipas VV-së, synohet të arrihet integriteti gjyqësor dhe prokurorial në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Për tu zbatuar ky proces nevojitet para se gjithash, vullnet politik dhe si i tillë, nëse realizohet atëherë jep shpresë për arritjen e një kthese për të mirë në sistemin e drejtësisë.

Sa i përket pikave tjera të LVV-së, disa nga to sikurse fuqizimi i mekanizmit të ndihmës cilësore juridike për qytetarët, janë të realizueshme përmes ndryshimeve ligjore edhe pse pjesë të kësaj pike programore tashmë veçse janë të rregulluara me ligj.

Po ashtu, është bërë e zakonshme që partitë politike të propozojnë rritje të buxhetit për sistemin e drejtësisë dhe rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve pa analiza të mirëfillta se ku është më imediate kjo rritje e numrit të gjyqtarëve. Në rastin konkret, LVV ka propozuar rritjen e kapaciteteve njerëzore në Departamentet Speciale të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, mirëpo, përderisa rritja e numrit të stafit mbështetës është nevojë imediate, rritja e numrit të gjyqtarëve në këto departamente nuk është e nevojshme tash për tash, marrë parasysh numrin e aktakuzave që ngritën nga Prokuroria Speciale.

Sa i përket propozimit të krijimit të Gjykatës së Punës, një propozim i tillë është në kundërshtim me Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit ndërsa sistemi elektronik i menaxhimit të lëndëve që është pjesë e programit të VV, tashmë është një proces që ka filluar vite më parë dhe është në funksion aktualisht. Po ashtu, një plan tjetër i LVV-së, për ndarjen dhe profilizimin e prokurorëve brenda PSRK-së është proces tashmë i përfunduar.

Në anën tjetër, një propozim tjetër i LVV-së, për vendosjen e sanksioneve penale për gjyqtarët që nuk respektojnë afatet, bie në kundërshtim me parimet bazë të sundimit të ligjit, praktikat e mira të Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Evropës lidhur me garancitë kushtetuese dhe ligjore për pavarësinë dhe integritetin e gjyqtarëve. Si i tillë, ky propozim është i parealizueshëm dhe në kundërshtim me praktikat dhe standardet ndërkombëtare që garantojnë pavarësinë dhe integritetin individual të gjyqtarëve.

Në grafikën e mëposhtme, IKD ka paraqitur pikat kryesore të LVV-së për sektorin e sundimit të ligjit dhe vlerësimet e IKD-së lidhur me to.

  1. Partia Demokratike e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), është njëra ndër dy partitë politike në Kosovë, bashkë me LDK-në, që kanë qeverisur më së gjati në Kosovë. Si e tillë, kjo parti bart barrën kryesore për gjendjen se ku gjendet sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Në programin e tyre për zgjedhjet e 14 shkurtit, PDK ka propozuar edhe realizimin e procesit të vettingut. Madje, PDK ka premtuar se brenda 100 ditëve të para do t’i propozojmë Kuvendit ndryshimet kushtetuese që duhet të ndodhin në mënyrë që të mundësohet verifikimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve. Për tu realizuar ky proces nevojitet vullneti politik, çka nëse shohim në të kaluarën, del se pikërisht PDK në vazhdimësi ka penguar këtë proces. Po ashtu, PDK në vazhdimësi ka promovuar prokurorët të cilët kanë probleme me ligjin dhe integritetin dhe ka ndërmarrë veprime politike të cilat kanë cenuar integritetin dhe pavarësinë sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Gjithashtu, PDK në programin e saj ka përfshirë edhe krijimin e një Byroje Kombëtare të Hetimeve, për të cilën, janë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese dhe ligjore. Pjesë të tjera të programit të PDK-së, sikurse rritja e numrit të prokurorëve në departamentet kundër korrupsion dhe të hetimit të krimeve të luftës, janë të realizueshme përmes Ligjit për Buxhet dhe Kornizës Afatmesme Buxhetore ndërsa rritja e buxhetit për KGJK dhe KPK, duhet të bëhet sipas rekomandimeve që dalin nga procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Pjesë të caktuara të programit të PDK-së, sikurse krijimi i një Fondi të konfiskimit ku do të hedhen krejt mjetet e konfiskuara janë krejt ta panevojshme pasi tashmë në Kosovë veçse ekziston Agjencia për Administrim e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, kurse sa i përket konfiskimit të pasurisë së paligjshme, korniza ligjore në vend është stabile porse mungon zbatimi në praktikë i organeve ligjzbatuese.

Pjesë të programit të PDK-së sikurse specializimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve janë kompetenca të KGJK-së, KPK-së dhe Akademisë së Drejtësisë dhe politika nuk ka kompetencë dhe autoritet në këtë fushë.

Për këto dhe pika tjera të programit të PDK-së, që kanë të bëjnë me trajtimin e krimeve të luftës, Gjykatës Komerciale dhe të tjera, më poshtë gjeni grafikën ku pasqyrohen vlerësimet e IKD lidhur me to.

  1. Lidhja Demokratike e Kosovës

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në programin e saj ka përfshirë edhe procesin e vettingut. Mirëpo, ky proces, sipas metodologjisë që është paraparë nga LDK paraqet një vazhdimësi të status quo-së aktuale dhe nuk propozohen masa të reja që do të garantonin një sistem të vettingut të pavarur. LDK ka propozuar që ky proces të bëhet duke u përfshirë vet akterët e sistemit aktual të drejtësisë, të cilët do të jenë edhe subjekt i vetingut në këtë rast. Propozimi në këtë rast i LDK-së për këtë proces paraqet kthim tek një model që tashmë është dëshmuar si i dështuar. Për më tepër, edhe afatet e propozuar për këtë proces, janë në kundërshtim të plotë me politikat e qeveritare për procedimin e ndryshimeve ligjore.

Po ashtu, nga LDK është paraparë edhe një kornizë ligjore e qartë për të rritur performancën e institucioneve të drejtësisë, për tu siguruar që lëndët nuk do të zgjasin me vite të tëra, mirëpo, si e tillë, kjo paraqitet si një propozim shabllon pa u propozuar asnjë masë konkret se si do të arrihet tek kjo.

Gjithashtu, nga LDK është propozuar edhe fuqizimi i Agjencisë Kundër Korrupsion, mirëpo, kjo bie në kundërshtim me draft-strategjinë e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit. Pra kjo bie në kundërshtim edhe me politikat sektoriale ku ka qenë edhe vet LDK e përfshirë. Për më tepër, Ministria e Drejtësisë tashmë ka përfunduar draftimin e projektligjit të ri, sipas të cilit tanimë kjo agjenci quhet Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, mandati i të cilës shtrihet vetëm në deklarimin e pasurisë, konfliktit të interesit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.

LDK si pjesë të programit të saj për sundim të ligjit ka paraparë edhe transparencë maksimale në licencimin e avokatëve, porse, kjo paraqet ndërhyrje në pavarësinë e Odës së Avokatëve të Kosovës. Neni 111 i Kushtetutës së Kosovës ka përcaktuar se, avokatia është profesion i pavarur, e cila ofron shërbime siç është e rregulluar me ligj.

Më poshtë gjeni grafikën ku pasqyrohen pikat kryesore të programit për sundim të ligjit të LDK-së dhe vlerësimet e IKD-së lidhur me to.

  1. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Në programin e saj për sektorin e sistemit të drejtësisë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka propozuar krijimin e një task-force kundër korrupsion. Sipas AAK-së, kjo task-forcë do të kishte kompetenca të përziera mes hetimit, policisë gjyqësore dhe një ndjekje të prokurorisë dhe si e tillë, potencialisht do të shndërrohej Byro të Hetimeve të ngjashme me FBI-në amerikane.

Fillimisht, një task-forcë kundër korrupsion ka ekzistuar në Kosovë deri vonë, ku Qeveria e Kosovës, pjesë e të cilës ka qenë edhe AAK, ka vendosur ta shuaj. Ky vendim ishte marrë në Qeveri dhe si e tillë nuk kishte pasur asnjë votë kundër nga ana e anëtarëve të AAK-së, pjesë e Qeverisë. Prandaj, propozimi se një task-forcë e tillë do të themelohej nga kjo parti, tre-katër muaj pasi ishte shuar task-forca e kaluar, paraqet hipokrizi.

Gjithashtu, AAK ka propozuar një model vettingu të përzier, i koncentruar në fuqizim të mekanizmave të brendshme, model i cili është vërtetuar në praktikë si i dështuar.

Sa i përket ngritjes së kapaciteteve në Departamentin për Krimet e Luftës, i propozuar nga AAK por edhe partitë tjera, është çështje e nevojshme, e realizueshme por për të kërkohet vullnet politik.

Më poshtë gjeni grafikën ku pasqyrohen pikat kryesore të programit për sundim të ligjit të AAK-së dhe vlerësimet e IKD-së lidhur me to.