Prishtinë, 14 shkurt 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021, ka plotësuar standardin e zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike.
IKD gjatë tërë ditës deri në mbylljen e kutive të votimit ka monitoruar procesin e votimit të qytetarëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me ekipin e përbërë prej 51 vëzhuguesve/monitoresve mobil – vullnetarë – të cilët në fokus të monitorimit kanë pasur rastet e indicidenteve, në të cilat kanë vlerësuar veprimet dhe reagimet e Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave. IKD ka evidentuar një numër të rasteve të incidenteve, të cilat dyshohet se kanë hyrë edhe në sferën penale, por në të cilat raste, vlerëson se ka pasur një reagim adekuat të policisë dhe prokurorisë, në parandalimin dhe ndjekjen e personave përgjegjës.
Në vazhdim, IKD pasqyron gjetjet dhe vlerësimet e monitorimit të ditës së votimit. Vëzhguesit e IKD gjatë ditës së votimeve kanë identifikuar shkelje të ndryshme, më e shpeshta nga të cilat ka qenë mos respektimi i masave anti-COVID nga qytetarët në pothuajse të gjitha Qendrat dhe Vend-Votimet, në të gjitha komunat e Kosovës. Për më tepër, krahas mos mbajtjes së distancës dhe në raste të ndryshme as maskave, nga ana e qytetarëve, vëzhguesit e IKD kanë identifikuar edhe raste ku komisionerët dhe/apo vëzhguesit nuk kanë mbajtur maskat, si masë mbrojtëse kundër pandemisë COVID-19.
Një shkelje tjetër e përsëritur, e që ka përfshirë rajone të ndryshme brenda Kosovës, ka qenë edhe dërgimi i SMS-ave me mesazhe nga parti të caktuara politike, duke bërë thirrje që të votohet për to. Në lidhje më këtë, nga prokuroria, IKD është njoftuar se është hapur rast në procedurë të rregullt.
Përmes vëzhgimit të realizuar nga IKD, janë identifikuar po ashtu tri (3) raste të fotografimit të votës, në tri rajone të ndryshme brenda vendit.
Vëzhguesit e IKD kanë identifikuar po ashtu raste të mungesës së fletëvotimeve në katër (4) qendra të ndryshme të votimit, të gjitha në Prishtinë.
Kurse, në dy (2) raste, vëzhguesit e IKD-së kanë identifikuar shfaqje të logove të partive politike brenda Qendrave të Votimit. Nga këto, një rast është identifikuar në Prishtinë dhe një tjetër në Suharekë.
IKD nga burimet brenda prokurorisë ka kuptuar se janë dy (2) raste të hapura në procedurë të rregullt, për ndërhyrje në sistem kompjuterik.
Rast tjetër për të cilin kanë ndërhyrë organet e rendit është identifikuar në Lipjan, ku një person është ndaluar për shkak të kanosjes së komisionerëve.
Një rast është identifikuar po ashtu në Prishtinë, ku një qytetar ka deklaruar se i është pa mundësuar votimi për shkak se pas arritjes në vendvotim ka gjetur se tek emri i tij në listë veçse ka qenë i vendosur një nënshkrim. Përkitazi me këtë rast, IKD është njoftuar nga policia se ky rast është trajtuar dhe personit në fjalë i është mundësuar votimi me kusht. Ndërsa, veprime vijuese po ndërmerren në koordinim me prokurorin e shtetit.
Vëzhguesit e IKD-së po ashtu kanë identifikuar të paktën nga një rast kur ka pasur mungesë të shenjave zyrtare të KQZ në kuti të votimit, pastaj rast tjetër ku ka pasur dyshime për identifikimin e personave të vdekur në lista të votimit, një rast për tentim për votim të dyfishtë, e po ashtu edhe një rast për shitje të votës.
Ndërsa, për rastet kur personave i është mohuar e drejta për të votuar për shkak të skadimit të letërnjoftimit edhe përkundër aplikimit për t’u pajisur me të ri, vëzhguesit e IKD-së kanë raportuar disa herë brenda ditës së sotme. Kjo çështje pastaj është përmbyllur me vendimin e KQZ-së për lejimin e këtyre personave për të votuar.
Vëzhguesit e IKD-së në një rast kanë gjetur edhe se vëzhguesit janë detyruar ta marrin rolin e komisionerit, për shkak të numrit të madh të votuesve. Ky rast është evidentuar në kryeqytet.
Vëzhguesit e IKD-së tanimë gjenden në vëzhgim të procesit të numërimit të votave në vendvotime, ku deri më tash, nuk është shënuar ndonjë rast i parregullsive. Tutje, për çdo risi, IKD do të ju mbajë të informuar.