Prishtinë, 11 maj 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të martën, ka mbajtur një tryezë virtuale në platformën “Zoom”, gjatë së cilës është publikuar raporti: “Krimet kundër integritetit seksual në Kosovë”.
Në bazë të këtij raporti, në Policinë e Kosovës përgjatë viteve 2017-2020 janë paraqitur gjithsej 434 raste të veprave penale kundër integritetit seksual, ndërsa në vitin 2020, edhe pse pjesë më e madhe e vitit ka qenë përballje me pandeminë COVID-19, këto raste janë ngritur në masë të konsiderueshme.
Hulumtuesja e IKD-së, Sabina Pergega, tha se Prokuroritë Themelore për kryesit e këtyre veprave penale kanë pushuar një numër të madh të hetimeve, duke mos iu nënshkruar asnjë kontrolli gjyqësor. Sipas saj, nga raportet vjetore të Prokurorit të Shtetit nga viti 2017 e deri në 2020 në 106 raste janë pushuar hetimet.
Sipas hulumtueses Pergega, për këtë kategori të veprave penale dënimet më të shpeshta kanë qenë dënimet me burgim efektiv, mirëpo nuk kanë munguar edhe dënimet me gjobë dhe kusht.
“Ne kemi gjetur se gjykatat më së shumti kanë shqiptuar dënime me burgim efektiv ku për tri vite kanë shqiptuar gjithsej 70 dënime me burgim efektiv, 23 me gjobë, 35 me kusht. Ndërsa janë shqiptuar 35 aktgjykime liruese, 38 refuzuese, ndërsa 26 raste janë zgjidhur në mënyrë tjetër”, ka thënë hulumtuesja Pergega.
Sipas saj, rastet e krimeve seksuale nuk i kanë shpëtuar dukurisë së parashkrimit.
“Sipas të dhënave nga raportet vjetore të gjykatave, për tri vite kemi hasur se me parashkrim absolut kanë përfunduar 4 raste, ndërsa me parashkrim relativ 6 raste. Edhe pse dukuria e parashkrimit nuk është e theksuar në masë të madhe në këto raste, shqetësues është fakti se kjo dukuri ka pësuar ngritje vit pas viti. Shqetësuese po ashtu është fakti se 7 raste të parashkruara janë për veprën penale të “dhunimit”, ndërsa 3 për sulm seksual”, ka thënë Pergega.
Pergega ka bërë të ditur se në 56 aktgjykimet e analizuara të gjykatave themelore, në vetëm në një rast kishin hasur kur gjykata e kishte obliguar të akuzuarin që të dëmtuarës në emër të kërkesës pasurore-juridike t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar, ndërsa në të gjitha rastet tjera pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.
“Vendosja e kësaj forme nga gjykatësit ndikon direkt në hezitimin e palëve të dëmtuara për të kërkuar dëmshpërblimin i cili iu takon. Fakti se gjatë një procedure penale një viktimë duhet të përballet në gjykim me ndjenjën e dhimbjes së shkaktuar, është tregues i mjaftueshëm që gjyqtarët duhet të kenë parasysh rëndësinë e vendosjes në procedurë penale edhe sa i përket kërkesës pasurore-juridike, në mënyrë që pala e dëmtuar për realizimin e kësaj kërkese mos të kushtëzohet edhe me një procedurë tjetër gjyqësore”, ka thënë Pergega.
Ndërsa hulumtuesja e IKD-së, Florentina Osmani, ka thënë se gjykatat nuk i arsyetojnë mjaftueshëm aktgjykimet, por në të shumtën e rasteve përdorin metodën “copy-paste”.
“Nga aktgjykimet që i kemi analizu IKD ka gjetur se se këtyre aktgjykimeve u mungon arsyetimi i mjaftueshëm, pasi në të shumtën e rasteve në arsyetimet e këtyre aktgjykimeve vetëm citohen procesverbalet dhe provat e tjera të administruara gjatë procedurës penale. Pra, gjykatat kryesisht dënimet i arsyetojnë përmes shablloneve të cilat përsëriten aktgjykim pas aktgjykimi. Me këtë rast, IKD vlerëson se kjo qasje e gjykatësve paraqet mohim të së drejtës së palëve në një vendim të arsyetuar gjyqësor”, ka thënë Osmani.
Hulumtuesja Osmani deklaroi se gjykata nuk i trajtojnë me prioritet këto raste, edhe pse sipas saj zvarritja e këtyre rasteve paraqet rëndesë të veçantë për palët e dëmtuara, që në shumicën e rasteve sipas saj, janë gra.
Sipas Osmanit, IKD ka gjetur se në 25 aktgjykimet të Gjykatës së Apelit si shkallë e dytë, në tri raste kjo gjykatë i kishte ndryshuar aktgjykimet e shkallës së parë, duke i ulur dënimet, ndërsa në rastet e tjera i kishte vërtetuar.
Panelistët e kësaj tryeze, gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Burim Ademi, gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë Adnan Isufi, prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Sahide Gashi dhe menaxheri i Zyrës për mbrojtje dhe ndihmë viktimave, Basri Kastrati, u pajtuan me gjetjet e IKD-së, duke shtuar se gjetjet dhe rekomandimet e dhëna në këtë raport duhet marrë seriozisht.
Për më tepër, gjeni bashkangjitur raportin e IKD-së: “Krimet kundër integritetit seksual në Kosovë”.