Prishtinë, 24 janar 2023 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) së bashku me Misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), ka filluar aktivitetet për implementimin për herë të tretë të projektit “Ndërtimi i besimit në sistemin gjyqësor dhe ngritja e realizimit të të drejtave të njeriut përmes monitorimit të seancave gjyqësore nga qytetarët”.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve të martën me 24 janar 2023, u organizua trajnimi për konceptet kryesore të procedurave gjyqësore dhe monitorimit të gjykimeve për 20 monitorues laikë, të cilët pritet t’i monitorojnë rreth 500 seanca nga lëmia penale në Gjykatat e vendit.
Zgjedhja e 20 monitoruesve të cilët nuk kanë përgatitje juridike, u zgjodhën në bazë të një numri të kritereve, duke përfshirë gjininë, përkatësinë etnike, moshën, arsimimin, profesionin, etj.
IKD dhe EULEX përmes këtij projekti kanë për qëllim ngritjen e transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë, përmirësimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm, përmes monitorimit të seancave gjyqësore në çështjet penale nga ana e qytetarëve.
Gjatë muajve në vijim do të organizohen edhe takime dhe aktivitete te ndryshme në të cilat do diskutohen sfidat me të cilat këta monitorues si qytetarë të rëndomtë ballafaqohen. Të njëjtëve do të ju ofrohen këshilla për të siguruar sa më shumë zbatim më të lehtë të këtij projekti.
Në fund, në bazë të raporteve të monitorimit të 20 monitoruesve laikë të seancave gjyqësore do të përgatitet një raport përfundimtar i vlerësimit dhe do të paraqitet para komunitetit ligjor dhe diplomatik të Kosovës gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2023.