IKD: Letra e dorëheqjes, si zgjidhje për hapjen e rrugës drejtë konstituimit të Kuvendit

IKD: Letra e dorëheqjes, si zgjidhje për hapjen e rrugës drejtë konstituimit të Kuvendit

IKD: Letra e dorëheqjes, si zgjidhje për hapjen e rrugës drejtë konstituimit të Kuvendit

Prishtinë, 23 prill 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ndjekur me kujdes zhvillimet lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të thirrur më 15 prill 2025 nga Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani. Kjo seancë, e cila vazhdoi më 17 prill dhe pritet të vazhdojë sot, nuk ka rezultuar me konstituimin e Kuvendit për shkak të mosvotimit të raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve dhe Kuorumit.

Në konferencën e sotme të IKD-së, për ecurinë e seancës konstituive të Kuvendit dhe rrugën që duhet ndjekur, IKD ka kërkuar nga deputetët votimin e raportit për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve.

Sipas hulumtuesit Melos Kolshi, të gjitha partitë politike duhet të tejkalojnë dallimet dhe interpretimet juridike dhe të miratojnë raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve.

“Në këtë situatë, deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit duhet të reflektojnë mbi rëndësinë e votimit të raportit të Komisionit dhe domosdoshmërinë e konstituimit të Kuvendit”, tha ai. Sipas tij, paralizimi i Kuvendit nuk mund të jetë alternativë.

Më tutje, Kolshi tha se në frymën e funksionimit të institucioneve, duhet të interpretohen në atë mënyrë që anëtarët e Qeverisë duhet të japin dorëheqje në momentin e dhënies së betimit si deputet, dhe në asnjë rrethanë të jenë edhe deputetë dhe Kryeministër apo ministra në detyrë.

Sipas tij, krejt kjo ka ardhur për shkak të paqartësive rreth çështjes së dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar të cilat janë krijuar si rezultat i mosrregullimit adekuat të Ligjit për Qeverinë Nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Më tutje, Kolshi tha se ekziston një mospërputhje ndërmjet dispozitave kushtetuese.

”Konkretisht, neni 66 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se mandati i Kuvendit nis nga dita e seancës konstituive, ndërsa neni 70, paragrafi 2, përcakton se mandati i deputetit fillon nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”, tha Kolshi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këto dispozita janë në kundërshtim me njëra-tjetrën ku neni në të cilin “deputeti e fiton mandatin nga dita e certifikimit të zgjedhjeve, është bartur më pastaj në Ligjin për Qeverinë, duke prodhuar më shumë paqartësi sesa zgjidhje praktike, siç po vërehet në situatën aktuale”, tha Kolshi.

Për letrën që Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dërguar te Kryetari i Kuvendit të Legjislaturës së 8-të, sipas hulumtuesit Naim Jakaj, ajo nuk paraqet akt të dorëheqjes.

“Interpretimi i z. Kurti se Qeveria e tij ka statusin ekuivalent me Qeverinë në detyrë vlen për Qeverinë si institucion dhe jo për të si kreu i saj. Përmbajtja e njoftimit të Kryeministrit tregon synimin e tij që ai të vazhdojë ta udhëheqë Qeverinë në detyrë edhe duke qenë deputet”, tha Jakaj.

Sipas Jakajt, Kryeministri duhet të japë dorëheqje në kuptimin klasik të saj dhe jo ta interpretojë pozitën e tij si të tillë.

“Letra e dorëheqjes duhet të jetë e qartë dhe mos të lejojë hapësira për interpretime. E njëjta letër nuk duhet t’i drejtohet ish-Kryetarit të Kuvendit, z. Glauk Konjufca”, tha Jakaj.

Sipas tij, deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit, letra e dorëheqjes duhet drejtuar tek Kryesuesi i seancës konstituive, që sipas Rregullores së Kuvendit është deputeti më i vjetër, Avni Dehari.

Sipas hulumtuesit Naim Jakaj, në momentin që një person e jep betimin si deputet, ai nuk mund të mbajë më funksionin e anëtarit të Qeverisë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për një qeveri të rregullt apo në detyrë.

Jakaj theksoi se dorëheqja nga pozitat qeveritare duhet të ndodhë në momentin e dhënies së betimit si deputetë ose menjëherë pas tij, dhe këto dorëheqje të dorëzohen pranë Kryesuesit të seancës konstituive dhe administratës së Kuvendit.

Ai përmendi dy mundësi, njëra kushtetuese dhe tjera ligjore që deputetët kanë mundësi t’i parashtrojnë në rast të mosdhënies së dorëheqjes së Kryeministrit dhe ministrave në detyrë.

“Në rast të mungesës së dorëheqjes nga Kryeministri dhe ministrat në detyrë, deputetët kanë dy mekanizma në dispozicion: Së pari, të ushtrojnë të drejtën për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë lidhur me zgjedhjen e Kuvendit, siç parashihet me nenin 113.3 (5) të Kushtetutës dhe së dyti, parashtrimin e kallëzimit penal, siç parashihet me nenin 417 (Konflikti i interesit) të Kodit penal,  tek Prokurori i Shtetit”, shtoi Jakaj.

Në këtë konferencë për medie, IKD prezantoi edhe një shkresë model të dorëheqjes e cila, sipas tyre, mund të përdoret për t’u realizuar dorëheqja e Kryeministrit dhe ministrave dhe për t’u vazhduar procedurat për konstituim të Kuvendi.

Sipas hulumtuesit Astrit Kolaj, kjo shkresë do ta lehtësojë procesin drejt konstituimit të Kuvendit të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për ta lehtësuar procesin drejt konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, IKD ka përgatitur një shkresë model të dorëheqjes, që plotëson kriteret e nevojshme të dorëheqjes e cila kërkohet për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit”, tha Kolaj në fund të kësaj konference.

Kjo letër i është dërguar Kryesuesit të Seancës konstituive, Avni Dehari që ai t’ua përcjellë më tutje deputetëve të zgjedhur që bartin pozita ekzekutive në detyre deri në kohën e betimit të tyre si deputetë.

Instituti i Kosovës për Drejtësi i bën thirrje të gjithë akterëve institucional dhe politik që të veprojnë me përgjegjësi dhe në përputhje me Kushtetutën, për të rikthyer normalitetin dhe funksionalitetin në Kuvendin e Republikës së Kosovës.