IKD: KPK në kundërshtim me ligjin nominoi kandidaturën e ish-anëtares së KPK-së për kryeprokurore të PTh në Gjakovë

IKD: KPK në kundërshtim me ligjin nominoi kandidaturën e ish-anëtares së KPK-së për kryeprokurore të PTh në Gjakovë

IKD: KPK në kundërshtim me ligjin nominoi kandidaturën e ish-anëtares së KPK-së për kryeprokurore të PTh në Gjakovë

Prishtinë, 26 mars 2021 – IKD reagon ndaj vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për konfirmimin e kandidaturës së ish-anëtares së KPK, Dëshirë Jusaj për Kryeprokurore të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e cila kandidaturë është në kundërshtim me Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Në mbledhjen e të KPK-së të mbajtur të premten është konfirmuar lista për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, në të cilën listë bënë pjesë ish-anëtarja e KPK-së, Dëshirë Jusaj, dhe prokurori Ramiz Buzhala.

Dëshirë Jusaj ka qenë anëtare e KPK-së deri më 21 tetor 2020, kur pak para përfundimit të mandatit të rregullt të saj, e njëjta kishte dhënë dorëheqje nga pozita e anëtares së KPK-së. Bashkë me prokuroren Jusaj, dorëheqje kishin dhënë edhe ish-anëtarët Zejnullah Gashi dhe Arben Ismajli, por se të njëjtit më pas kishin revokuar dorëheqjet e tyre. Ndaj këtyre dorëheqjeve kishte reaguar IKD, Ambasada Amerikane dhe Zyra e Bashkimit Evropian.

Zgjedhja potenciale e Jusaj në pozitën e Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Gjakovë është në kundërshtim të hapur me Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Neni 18 i këtij ligji ka përcaktuar kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike. Ndër të tjera, ky nen ka përcaktuar se: “1. Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë:1.1. të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre..”.

Sipas nenit 3.1.1.3 të këtij ligji, “Zyrtar i lartë nënkupton zyrtarët e lartë publikë të përcaktuar sipas Ligjit përkatës”, derisa sipas nenit 3.1.1.1.9 të Ligjit 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarëve, si zyrtarë të lartë publik kategorizohen edhe Anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor, Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Auditori Gjyqësor, Prokurori Disiplinor”.

Në kuptim të menaxhimit, secila prokurori, është institucion vartës i KPK-së. Kjo manifestohet edhe nga kompetencat e KPK-së sipas Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili ligj në nenin 7, ndër të tjera, përcakton se KPK: ushtron detyrat dhe përgjegjësitë si në vijim: “1.1. vendos për organizimin, menaxhimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e funksionimit të prokurorive sipas ligjit…1.4. vendos për emërimin e kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit, në pajtim me Ligjin për Prokurorinë e Shtetit dhe Ligjin për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës…1.9. vendos për numrin e prokurorëve në secilin Prokurori…1.11. vendos për avancimin, transferimin dhe disiplinimin e prokurorëve. 1.12. vendos kriteret për vlerësimin e prokurorëve, për ngarkesën me lëndë të prokurorive dhe për funksionim efikas të prokurorive si dhe kontrollon dhe garanton procesin e vlerësimit dhe shqyrton ankimet e prokurorëve për vlerësimin e tyre…1.20. mbikëqyrjen dhe administrimin e prokurorive dhe personelit të saj”.

Në këtë mënyrë, zgjedhja potenciale e Jusaj në pozitën e Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Gjakovë paraqet ndalesë tipike të përshkruar në Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Në drejtim të garantimit të proceseve të ligjshme, KPK nuk do duhej në asnjë rrethanë të miratonte kandidaturën e një kandidate e cila sipas ligjit nuk ka të drejtë të zgjedhet në këtë pozitë deri më 21 tetor 2022.

Kjo mënyrë e veprimit nga ana e ish-anëtares Jusaj dhe anëtarëve të KPK-së paraqet shpërfillje të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Në fakt, kjo mënyrë e veprimit e humb edhe kuptimin e draftimit dhe miratimit të ligjeve që garantojnë sundim të ligjit dhe qeverisje të mirë në jetën institucionale të Republikës së Kosovës.

Për më tepër, kjo mënyrë e veprimit paraqet edhe mungesë të integritetit dhe përqon një mesazh negativ si tek publiku, ashtu edhe tek të gjitha prokurorët e tjerë brenda vet sistemit prokurorial.

Për këto arsye, në drejtim të mbrojtjes së ligjshmërisë, shmangies nga konflikti i interesit dhe garantimit të integritetit të procesit për zgjedhjen e një pozite me rëndësi brenda sistemit prokurorial, IKD i rekomandon KPK-së që të anulojë vendimin e saj për konfirmimin e statusit të kandidates së ish-anëtares Dëshirë Jusaj për kryeprokurore të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, pasi e njëjta kandidaturë bie në kundërshtim të hapur me Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.