IKD: Konventa Evropiane dhe  praktika e Strasburgut obligime në letër, gjykatësit nuk i zbatojnë obligimet në praktikë

IKD: Konventa Evropiane dhe  praktika e Strasburgut obligime në letër, gjykatësit nuk i zbatojnë obligimet në praktikë

IKD: Konventa Evropiane dhe  praktika e Strasburgut obligime në letër, gjykatësit nuk i zbatojnë obligimet në praktikë

Prishtinë, 25 shtator 2020 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të premten, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin “Praktika e GjEDNj-së, obligim në letër (Analizë e zbatimit të KEDNj-së dhe praktikës së GjEDNj-së nga gjykatat në Kosovë”, i cili raport është rezultat i monitorimit dhe hulumtimit sistematik që IKD i ka bërë sistemit gjyqësor tash e disa vite.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se në normën kushtetuese në Kosovë janë vendosur standardet më të larta të respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, por se sipas tij, këto standarde kanë mbetur në tekstin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe nuk janë zbatuar në praktikë. Sipas Miftaraj, injorimi i standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut ndodhë edhe 12 vjet pas miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sipas Miftaraj, duke mos aplikuar standardet kushtetuese që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, qytetarët privohen nga një numër i konsiderueshëm i të drejtave të tyre kushtetuese, si e drejta për një gjykim të drejtë, e drejta për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm, e drejta në mjete efektive juridike etj.

Tutje, Miftaraj ka thënë se një ndër arsyet kryesore të mos aplikimit të standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga gjyqësori i Kosovës është mungesa e njohurive të prokurorëve dhe gjyqtarëve për të aplikuar këto standarde, me ç’rast ka rekomanduar Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Akademinë e Drejtësisë që ta trajtojnë me prioritet nevojën për aftësimin e gjyqtarëve në aplikimin e Konventës dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ka para harmonizuar rendin juridik kosovar me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Përkundër faktin që Republika e Kosovës nuk ka pasur mundësi të nënshkruaj Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak se nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, Republika e Kosovës njëanshëm ka marrë detyrim për zbatimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Detyrimin e zbatimit të këtyre standardeve, Kosova e ka përcaktuar me aktin më lartë, Kushtetutën e vendit. Sikur këto standarde të zbatoheshin, Republika e Kosovës pothuajse nuk do ta kishte fare problem pamundësinë për t’iu adresuar Gjykatës së Strasburgut, pasi standardet e kësaj gjykate, do të zbatoheshin drejt për së drejti në rendin juridik Kosovar. Por, mbi të gjitha, injorimi i këtyre standardeve nga gjyqësori kosovar, paraqet injorim të aktit më të lartë juridik, Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me këtë rast, ky injorim i Kushtetutës bëhet nga institucionet më të thirrura për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Shala.

Tutje, Shala ka paraqitur edhe të dhënat e analizës së IKD-së mbi aplikimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga sistemi gjyqësor i Kosovës, ku ka thënë se aplikimi i Konventës dhe praktikës së GjEDNj-së nga gjyqësori i Kosovës, nuk kalon nivelin prej 10%.

“Me qëllim të krijimit të një pasqyre reale mbi nivelin e aplikimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikës së Gjykatës së Strasburgut, IKD ka analizuar gjithsej 209 aktgjykime, të zgjedhura sipas metodës rastësore, të cilat aktgjykime i përkasin të gjitha gjykatave dhe të gjitha departamenteve. Nga 209 aktgjykime, IKD ka gjetur se në vetëm 20 raste është aplikuar Konventa, e që shprehur në përqindje, i bie se kjo konventë është aplikuar vetëm 9.56%. Sa i përket praktikës së Gjykatës së Strasburgut, vendimet e kësaj gjykate janë aplikuar në vetëm 19 raste, apo në 9.09% të aktgjykimeve të analizuara. Sa i përket Gjykatës Supreme, e njëjta ka aplikuar Konventën në 25% të aktgjykimeve të analizuara, derisa ka aplikuar praktikën e Gjykatës së Strasburgut në vetëm 15% të rasteve të analizuara. Por, problematika kryesore qëndron në Gjykatën e Apelit, në aktgjykimet e së cilës gjykatë, IKD nuk ka evidentuar asnjë rast të aplikimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e njeriut apo jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë Shala.

Për më tepër shkarkoni raportin e plotë në këtë link: http://kli-ks.org/wp-content/uploads/2020/09/Praktika-e-GjEDNj-se-obligim-ne-leter.pdf