IKD: Institucionet publike të respektojnë ligjin në fuqi për zyrtarët publikë, të anulohen të gjitha konkurset e shpallura sipas ligjit të shfuqizuar

IKD: Institucionet publike të respektojnë ligjin në fuqi për zyrtarët publikë, të anulohen të gjitha konkurset e shpallura sipas ligjit të shfuqizuar

IKD: Institucionet publike të respektojnë ligjin në fuqi për zyrtarët publikë, të anulohen të gjitha konkurset e shpallura sipas ligjit të shfuqizuar

Prishtinë, 19 shtator 2019 – Kuvendi i Kosovës më 2 shkurt 2019, kishte miratuar Ligjin për Zyrtarët Publik, i cili ligj ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për punësim të zyrtarëve publikë në institucionet e Republikës së Kosovës, të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri. I njëjti ligj ka shfuqizuar Ligjin për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës.

Ligji për Zyrtarët Publik hyn në kuadër të ligjeve më të avancuara përmes të cilit janë përcaktuar procedura, rregulla dhe kritere që i japin përparësi kandidatëve meritor për pozitat e shpallura në institucionet publike, dhe që i kufizon institucionet publike në manipulimet eventuale në proceset e rekrutimit. Për më tepër, intervistat realizohen përmes testimit elektronik me shkrim dhe në mënyrë anonime.

Sipas këtij ligji, nga data 12 shtator 2019, të gjitha konkurset publike do të duhej të shpalleshin në bazë të këtij ligji. Përkundër kësaj, numër jashtëzakonisht i madh i institucioneve, kanë shpallur konkurse duke u bazuar në ligjin e vjetër mbi Shërbimin Civil, i cili tanimë është i shfuqizuar.

IKD ka analizuar konkurset e shpallura nga institucionet qendrore dhe lokale, të cilat janë shpallur që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, ku ka identifikuar se institucionet i sistemit të drejtësisë, ato qendrore dhe lokale duke u bazuar në ligjin e vjetër kanë shpallur së paku 70 konkurse për 261 zyrtarë publikë, në kundërshtim me ligjin. Për nga numri konkurseve të shpallura, duke u bazuar në ligjin tanimë të shfuqizuar kampione është Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me gjithsej 20 konkurse të shpallura, derisa për nga numri i pozitave të shpallura, kampion është Këshilli Gjyqësor i Kosovës më gjithsej 91 pozita të shpallura.

Në bazë të ligjit të ri, përpos faktit të padiskutueshëm që konkurset e reja duhet të shpallet sipas ligjit të ri, në kuptim të nenit 83.9, edhe konkurset që janë në proces duhet të vazhdojnë sipas ligjit të ri.

IKD vlerëson se këto gjetje tregojnë përpjekjet e reja për politizim të administratës shtetërore. Kjo pasi që në ligjin e ri ka kufizime më të mëdha për manipulime, të cilat kufizime nuk gjenden në ligjin e kaluar. Ky fakt, nënkupton vështirësi më të madhe për punësimin e familjarëve dhe militantëve partiak në institucionet publike.

Në anën tjetër, kjo lidhet edhe me faktin se shumë zyrtarë përgjegjës për burime njerëzore në institucionet e administratës shtetërore nuk e kanë idenë e hyrjes në fuqi të ligjit të ri, fakt i cili tregon edhe për vetë nivelin e zyrtarëve në administratën shtetërore.

IKD vlerëson se kjo  qasje është e papranueshme dhe zyrtarët përgjegjës në institucionet publike, duhet të ndërmarrin veprime për ta zbatuar ligjin e ri.

Po ashtu, situata tanimë e krijuar nuk duhet të kalohet symbyllurazi, por duhet marrë në përgjegjësi të gjithë personat përgjegjës për zbatimin e ligjit në fjalë.  Në këtë drejtim, IKD i bën thirrje publike Ministrisë së Administratës Publike si përgjegjëse kryesore për këtë dështim në zbatimin e ligjit të ri, që urgjentisht, të kërkoj nga të gjitha institucionet publike, anulimin e konkurseve të shpallura me ligjin e vjetër dhe të kthej ligjshmërinë në procesin e rekrutimit të zyrtarëve publikë.

Për më tepër, edhe në rast të mos kërkesës së Ministrisë së Administratës Publike për anulimin e konkursit, institucionet duhet të kenë parasysh hiearkinë legjislative dhe se para vendimeve të kundërligjshme, të respektojnë parimin e ligjshmërisë, si parim kryesor në punën e tyre.

Institucionet publike duhet të ndalin praktikën që edhe në rastet kur miratohen ligje të mira të bazuara në standarde të larta, këto ligje t’i shpallin të pavlefshme përmes instalimit të praktikave të kundërligjshme.

Lista e institucioneve që kanë shpallur konkurse në mënyrë të kundërligjshme:

  1. Agjencia Kosovare e Privatizimit
  2. Agjensioni Kundër Korrupsionit
  3. Këshilli Gjyqësor i Kosovës
  4. Këshilli Prokurorial i Kosovës
  5. Komuna e Prishtinës
  6. Komuna e Drenasit
  7. Komuna e Podujevës
  8. Komuna e Skenderajt
  9. Komuna e Mitrovicës
  10. Komuna e Istogut
  11. Komuna e Pejës
  12. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit
  13. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
  14. Ministria e Administratës Publike
  15. Ministria e Punëve të Brendshme
  16. Ministria e Zhvillimit Ekonomik
  17. Ministria e Drejtësisë
  18. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal
  19. Policia e Kosovës
  20. Shërbimi Korrektues i Kosovës