IKD: Gjykatat kanë progres në zbatimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit por institucionet nuk kanë informata publike në objektet e tyre

IKD: Gjykatat kanë progres në zbatimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit por institucionet nuk kanë informata publike në objektet e tyre

IKD: Gjykatat kanë progres në zbatimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit por institucionet nuk kanë informata publike në objektet e tyre

Prishtinë, 29 tetor 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – INL dhe NED-it, të premten, në kuadër të “Javës për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, ka mbajtur një tryezë gjatë së cilës është publikuar raporti “Sfidat e zbatimit të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”.

Në bazë të këtij raporti, është gjetur se nga 1,071 aktgjykimet dënuese të shpallura nga në vitin 2020 dhe deri në qershor të vitit 2021 nga Departamentit të Krimeve të Rënda dhe të Përgjithshëm të shtatë (7) gjykatave themelore nga gjykatat themelore taksa për kompensimin e viktimave nga të dënuarit është zbatuar në numrin më të madh të aktgjykimeve.

Mirëpo në këtë raport është gjetur që nga 182 institucione publike në 35 komuna të Kosovës, në vetëm pesë (5) prej tyre është parë se në objektet e tyre ka informata publike për informimin e publikut lidhur me ekzistencën e Programit për kompensimin e viktimave të krimit dhe mundësinë që ato të kompensohen.

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Leotrim Gashi, tha se nga analizimi i aktgjykimeve është parë se Departamenti i Krimeve të Rënda, në raport me vitet paraprake ka shënuar progres në zbatimin e Ligjit, ndërsa një progres i tillë nuk është parë edhe nga Departamenti i Përgjithshëm.

“Në departamentit e Krimeve të Rënda kemi parë që në 90% e rasteve, gjyqtarët e shqiptojnë taksën, ndërsa në departament të përgjithshëm, zbatimi është 73 %”, tha Gashi.

Sipas IKD-së. edhe pse ka rritje të të hyrave nga taksat e shqiptuara në aktgjykimet dënuese të gjyqtarëve, të njëjtat nuk janë transferuar në buxhet të Programit.

“Për vitet 2018-2020 nga buxheti i janë ndarë Programit 243,000.00 euro, mirëpo në këtë periudhë raportuese vetëm nga KGJK dhe KPK në emër të kompensimit të viktimave të krimit janë siguruar 457,287.00 euro apo 214,287 euro më pak se të hyrat e siguruara nga KGJK dhe KPK, mirëpo Ministria e Financave, nuk është përgjigjur se si janë alokuar këto mjete”, u shpreh Gashi.

Si të gjetura të tjera të raportit, Gashi tha se gjyqtarët nuk po i informojnë viktimat që në rast se heqin dorë nga dëmshpërblimi në procedurë penale, nuk kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për kompensim në Komisionin për Kompensimin  e Viktimave të Krimit dhe që Gjykata e Apelit, me vendime meritore, nuk po e shqipton taksën në rastet kur këtë nuk e bëjnë gjykatat themelore.

Drejtori i INL-së në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Shawn Waddoups, kërkoi që të zgjerohet lista për kompensimin e viktimave.

Waddoups u shpreh krenar për partneritetin me IKD-në dhe tha se të gjeturat e raportit “Sfidat në zbatimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, janë shumë të rëndësishme dhe paraqet rekomandime të mira. Ai shtoi se është çdo herë me rëndësi që të ngritet zëri dhe të kritikohen institucionet kur nuk i përmbushin detyrat.

Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se është shqetësuese numri i vogël i kërkesave për kompensim të viktimave të krimit dhe se sipas saj, ky fakt flet për mungesën e informacionit që viktimat e krimit kanë për të drejtat e tyre.

“Është shqetësuese që shumë pak institucione i njoftojnë qytetarët për të drejtat e tyre. Kam thënë edhe në fillim të javës që organizime të tilla janë të rëndësisë së veçantë, për faktin se përmes tyre i kemi të qarta kompetencat tona si institucione dhe përmes tyre qytetarët e Republikës së Kosovës, informohen për të drejtat e tyre”, u shpreh Haxhiu.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti tha se e konsideron të bazuar gjetjen e IKD-së që në shumicën absolute të stacioneve policore ka mungesë të informatave publike për viktimat e krimit por që premtoi se ata menjëherë do ta zbatojnë rekomandimin e IKD-së dhe do të angazhohen në informimin e viktimave për të drejtat e tyre.

Se ka probleme në informimin e viktimave të krimit për mundësinë që ato të kompensohen nga Programi i krijuar për këtë qellim, u shpreh edhe gjyqtarja e Gjykatës Supreme dhe njëherësh kryetarja e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, Nesrin Lushta, kurse po ashtu tha se meritat për finalizimin dhe punën e komisionit kanë Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada Amerikane, më mbështetjen e tyre.

Lushta shtoi se raporti i prezantuar është mjaft i detajuar dhe se është një analizë, e cila po i ndihmon edhe asaj, pasi nuk është në gjendje t’i marrë të gjitha këto informacione.

Pjesë e kësaj konference kanë qenë edhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit Burim Ademi, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Albina Shabani-Rama, Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë Nikollë Komani, Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj Mustafë Tahiri, Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan Ramiz Azizi dhe ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren Artan Sejrani.

Të njëjtit thanë se pajtohen me të gjeturat e raportit të prezantuar nga IKD dhe se do të zbatojnë edhe rekomandimet e propozuara me këtë raport.

Për më tepër, gjeni bashkangjitur raportin e IKD-së: “Sfidat e zbatimit të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”.