Prishtinë – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të mërkurën, ka publikuar raportin me titull “Sfidat në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të rënda”.
Raporti i IKD-së vie si rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe sistematik që IKD i ka bërë Departamenteve të Krimeve të Rënda(DKR) të Gjykatave Themelore (GjTh) gjatë vitit 2021.
Hulumtuesja e IKD-së, Medina Kadriu, ka thënë se gjatë vitit 2021, DKR-të e shtatë GjTh kanë arritur të zgjidhin më pak lëndë se sa që kanë pranuar dhe numri i lëndëve të pazgjidhura në fund të vitit 2021 ka qenë më i lartë se në fund të vitit 2020, për 81 lëndë.
“Për këtë arsye, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe gjykatat duhet të analizojnë gjendjen me lëndë në këto departamente dhe të ndërmarrin veprime konkrete që këto departamente të hyjnë në binar të uljes së ngarkesës me lëndë. Kjo mund të bëhet vetëm nëse DKR-të vazhdimisht zgjidhin lëndë më shumë sesa që pranojnë”, ka thënë Kadriu,
Ajo tha se mes gjykatave ka diferencë të konsiderueshme sa i përket mesatares së përgjithshme të zgjidhjes së lëndëve dhe se IKD rekomandon që kjo çështje të trajtohet nga KGJK, për të përcaktuar shkaqet që sjellin këtë diferencë.
Kadriu tha se nëse krahasohet numri i lëndëve të zgjidhura me numrin e gjyqtarëve të angazhuar në DKR, atëherë del se, si mesatare, efikasitetin më të lartë e ka pasur DKR në GjTh në Gjakovë, ku, mesatarisht, secili gjyqtar ka zgjidhur nga 7.75 lëndë në muaj. Ndërsa, mesatarja më e ulët në këtë rast evidentohet tek DKR në Gjilan me 3.61 lëndë në muaj.
Sipas saj, DKR-të në shtatë Prokuroritë Themelore (PTh) të Republikës së Kosovë, prej lëndëve që kanë pasur në punë kanë arritur të zgjidhin 40% të tyre, ndërkaq si të pazgjidhura kanë mbetur 60%, ku nuk kanë arritur që të zgjidhin lëndë më shumë sesa kanë pranuar dhe si rrjedhojë në fund të vitit 2021, në raport me fundin e vitit 2020, është ngritur numri i lëndëve të pazgjidhura.
Mirëpo, përjashtim sipas Kadriut, bën vetëm DKR i PTh në Mitrovicë dhe Gjakovë, ndërsa, ngritjen më të madhe të lëndëve të pazgjidhura e ka pasur DKR i PTh në Prishtinë.
“Nëse e krahasojnë numrin e lëndëve të zgjidhura në raport me numrin e prokurorëve, atëherë shohim se ka çekuilibër në mesataren e zgjidhjes së lëndëve në secilën prokurori. Me këtë rast, mesatarisht, prokurorët e DKR në PTh në Gjakovë brenda vitit kanë arritur të zgjidhin nga 211 lëndë, derisa prokurorët e DKR në PTh në Pejë kanë arritur të zgjidhin mesatarisht nga 102 lëndë”, ka thënë ajo.
Sipas IKD-së, prokuroritë dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), duhet të analizojnë këtë gjendje në mënyrë që të ngritët efikasiteti dhe të filloj rënia graduale e numrit të lëndëve të pazgjidhura, të cilat barten vit pas viti.
“Në këtë fazë, IKD vlerëson KPK nuk mund ta shqyrtojë mundësinë e transferimit të prokurorëve, për shkak se secili transferim në një prokurori konsiderohet se do ta dëmtonte konsiderueshëm prokurorinë tjetër. Por, KPK duhet ta inspektojë gjendjen, për të parë se përse në disa prokurori kemi numër më të madh të prokurorëve, por mungesë të paarsyeshme të efikasitetit”, ka deklaruar Kadriu.
Tutje, ajo bëri të ditur se IKD ka gjetur se një numër i konsiderueshëm i rasteve kthehen në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale nga gjykatat e shkallës së parë, ku shqetësuese për IKD është natyra e këtyre shkeljeve, ku një numër i konsiderueshëm i tyre kanë të bëjnë me shkelje të parimeve bazë të drejtësisë penale dhe bëhen shkak për zvarritje të lëndëve.
Ndër faktorët tjerë që IKD ka identifikuar, të cilët ndikojnë në zvarritjen e procedurës penale, janë edhe vonesat në caktimin e seancave dhe ndërrimi i anëtarëve të trupit gjykues apo kryetarit të trupit gjykues, ku në dy rrethanat e fundit dhe në rastin kur kanë kaluar 3 muaj nga mbajtja e seancës së fundit gjykimi duhet të fillojë rishtas.
“Për këtë arsye, IKD rekomandon që si Këshilli Gjyqësor i Kosovës ashtu edhe kryetarët e gjykatave të bëjnë administrim adekuat të drejtësisë, në mënyrë që mos të paraqiten situata të kësaj natyre. Në rastin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kjo duhet të reflektohet veçanërisht përmes planifikimit adekuat të avancimit të gjyqtarëve”, ka thënë Kadriu
Kadriu tha se përveç rasteve, në të cilat procedohet me pranim të fajësisë apo marrëveshje për pranim të fajësisë, nga rastet e analizuara vërehet se të pandehurit në një proces gjyqësor në DKR mesatarisht qëndrojnë mbi 3 vite. IKD si rast ilustrues ka përfshirë një rast ku deri më 31 dhjetor të vitit 2021 kanë kaluar gati 12 vite në proces gjyqësor dhe gjatë gjithë kësaj kohe i pandehuri ka qëndruar në paraburgim.
Në analizimin e 108 aktgjykimeve, IKD ka gjetur se në 98 raste, DKR-të nuk kanë vendosur sa i përket kërkesës pasurore-juridike por palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil. IKD ka gjetur se kësaj situate i kontribuon edhe fakti që përfaqësuesit e palëve të dëmtuara nuk parashtrojnë para gjykatës dëmin e shkaktuar nga kryesi i veprës penale e as nuk ofrojnë prova lidhur me këtë, çka i pamundëson gjykatës vendosjen mbi kërkesën pasurore-juridike.
Sipas Kadriut, KGJK duhet të ketë parasysh se në rastet e referuara në procedurë civile, pala e dëmtuar është duke iu nënshtruar dy procedurave gjyqësore për çështjen e njëjtë, duke shtuar se këto raste në procedurë civile nuk duhet të konsiderohen raste të reja, por të trajtohen sipas datës së ngritjes së aktakuzës, që konsiston me datën se kur sistemi gjyqësor ka filluar ta trajtojë rastin konkret.
Hulumtuesja Kadriu tha se me qëllim të mbrojtjes së interesit të palëve të dëmtuara, përfaqësuesit e tyre duhet të specifikojnë dhe argumentojnë kërkesën pasurore juridike, në mënyrë që t’ia mundësojnë dhe lehtësojnë gjykatës vendimmarrjen në raport me kërkesën pasurore juridike.
Ajo tha se IKD po ashtu ka hasur në raste të shumta kur ka qenë i mundur aplikimi i dënimeve plotësuese, por nuk janë shqiptuar nga ana e gjykatës dhe së vërehet sidomos mungesa e dënimit plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.
Gjithashtu, tha se gjatë vitit 2021, në asnjë rast nuk është aplikuar Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë nga Prokurorët e Shtetit.
Për më tepër gjeni të bashkangjitur raportin e plotë _IKD _ Sfidat në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të rënda