Prishtinë, 18 mars 2024– Organizatat joqeveritare të poshtëshënuara i bëjnë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që në përputhje me kompetencat që ka, të garantojë përfaqësimin gjinor në përbërjen e KPK-së me rastin e votimit për anëtarin e ri të Këshillit nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
KPK nga 27 marsi 2024 do të mbetet vetëm me dy anëtare gra në përbërjen e vet. Kjo pasi anëtares aktuale Merita Bina-Rugova i përfundon mandati më 27 mars 2024. E njëjta, në këtë pozitë ishte zgjedhur më 27 mars 2019.
Për plotësimin e kësaj pozite, Këshilli kishte shpallur konkursin më 13 shkurt 2024. Këtë konkurs, KPK e kishte shpallur me vonesa duke mos respektuar afatin kohor që kërkohet me Rregulloren Nr.06/2020 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, [Neni 6, par.1], ku përcaktohet se: “KPK-ja merr vendim për shpalljen e zgjedhjeve për anëtarë të saj nga radhët e prokurorëve, së paku tre (3) muaj para përfundimit të anëtarit të KPK-së”. Ky konkurs ishte shpallur një muaj e dy javë apo 43 ditë para përfundimit të mandatit të anëtares Bina-Rugova.
Pas shpalljes së konkursit për pozitën e anëtarit të KPK-së nga radhët e prokurorëve të PSRK-së, garës i janë nënshtruar prokurori Milot Krasniqi dhe prokurorja Habibe Salihu. Në zgjedhjet e mbajtura më 15 mars 2024, prokurori Krasniqi ka arritur të marrë 10 vota, ndërsa prokurorja Salihu tri vota. Kurse, dy vota ishin shpallur të pavlefshme. Në procesin zgjedhor morën pjesë 15 prokurorë të PSRK-së.
IKD, FOL dhe INPO i bëjnë thirrje KPK-së që të respektojë Ligjin për KPK dhe Rregulloren përkatëse për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë, kjo me qëllimin e vetëm që të sigurohet përfaqësimi gjinor siç kërkohet me legjislacionin në fuqi.
Sipas Ligjit Nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, [neni 9, paragrafi 4], është përcaktuar se: “Anëtarët e Këshillit pasqyrojnë natyrën shumetnike dhe parimet e barazisë gjinore në Republikën e Kosovës dhe zgjedhen bazuar në kompetencën, përvojën dhe njohurinë e tyre”. Pra, sipas këtij Ligji, përbërja në KPK duhet të pasqyrojë parimet e barazisë gjinore.
Edhe sipas Rregullores përkatëse, konkretisht [Neni 5, par.2], Këshilli duhet të kujdeset dhe të bëjë vlerësimet paraprake mbi nivelin e përfaqësimit gjinor. Tutje, paragrafi 3 i po këtij neni ka paraparë se: “ Nëse ka aplikues nga komunitetet joshumicë ose të gjinisë femërore, KPK-ja do të angazhohet të sigurojë që në përbërjen e saj të ketë së paku një (1) anëtar nga komunitetet joshumicë dhe së paku tre (3) anëtarë të gjinisë femërore”. Sipas rregullores përkatëse, kërkohet që në përbërjen e KPK-së minimumi të jenë tri (3) anëtare të gjinisë femërore.
Po ashtu, [neni 8, par. 15] i Rregullores përkatëse ka përcaktuar se: “ Nëse KZ i KPK-së konstaton se përfaqësimi i tillë gjinor dhe etnik nuk është arritur sipas nenit 4 të kësaj rregulloreje, atëherë KPK-ja do ta zbatojë rregullën sipas së cilës kandidatët femra apo kandidatët nga radhët e komuniteteve joshumicë që kanë numër më të lartë të votave në nivel të të gjitha prokurorive ku mbahen zgjedhjet në proporcion me numrin e përgjithshëm të prokurorëve, zgjedhen me përparësi anëtarë të KPK-së. Në rast se kandidatët kanë vota të njëjta atëherë zgjedhja bëhet me short”.
KPK në të kaluarën ka pasur situata të tilla të ngjashme, e ku veproi në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kujtojmë se në zgjedhjet e zhvilluara në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, në tetor të vitit 2020 në votimin e dytë në garë kishin qenë prokurorët Jovo Radoviq dhe Naim Beka. Prokurori Beka e kishte fituar besimin e prokurorëve me 11 vota, ndërsa prokurori Radoviq kishte marrë vetëm 9 vota. Megjithatë, edhe pse humbës i zgjedhjeve, prokurori Radoviq ishte zgjedhur anëtar i KPK-së, kjo për faktin e arritjes së qëllimit të përfaqësimit etnik në KPK, pasi prokurori Radoviq vinte nga komuniteti serb.
Për më tepër, kryesuesi i asaj kohe i KPK-së, Bahri Hyseni i kishte kërkuar ndjesë Bekës i cili e kishte fituar garën, duke thënë se kështu përcaktohej me rregullore dhe se kjo siç thoshte ai është bërë praktikë edhe në mandatet e mëhershme të KPK-së.
Edhe Strategjia për Sundimin e Ligjit (2021-2026) dhe Plani i Veprimit të saj, kishin kërkuar nga KPK që të zbatojë masat e politikave për sigurimin e përfaqësimit gjinor dhe etnik në përbërjen e saj. [Raporti Vjetor për Zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit, mars 2023, fq.18].
Po ashtu, sipas Raportit të Progresit për Republikën e Kosovës për vitin 2023, Republika e Kosovës ende ka një përqindje të ulët të grave gjyqtare dhe prokurore në krahasim me shumicën e vendeve të tjera evropiane.
Ndryshe, pabarazia gjinore më e theksuar shprehet në pozitat udhëheqëse. Përqindja e grave në pozitat udhëheqëse nuk është ekuivalente me përqindjen e përgjithshme të grave prokurore në sistemin e drejtësisë. Kjo pasi, nga dhjetë pozita të kryeprokurorëve në vend, pozitën e kryeprokurorëve e mbajnë vetëm prokurorët burra. Pra, asnjë nga to nuk udhëhiqet nga gratë.
Mbi bazën e të lartcekurave, IKD, FOL dhe INPO i rekomandojnë KPK-së që me rastin e votimit për anëtarin e ri të KPK-së nga radhët e PSRK-së, të zgjedhë prokuroren Habibe Salihu si anëtare të re të KPK-së, në mënyrë që të sigurohet përfaqësimi gjinor së paku tri anëtare gra në përbërjen e KPK-së. Në të kundërtën, KPK do të veprojë në kundërshtim me Ligjin për KPK, Rregulloren përkatëse, Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe me standardet dhe praktikën e krijuar nga vetë ajo deri më tani.
Organizatat joqeveritare:
Instituti i Kosovës për Drejtësi
Lëvizja FOL
Iniciativa për Progres