IKD: DREJTËSIA NË ZGJEDHJET 2013 SHËNON PROGRES TË THEKSUAR

IKD: DREJTËSIA NË ZGJEDHJET 2013 SHËNON PROGRES TË THEKSUAR

Përgjigja e organeve të drejtësisë në lidhje me zgjedhjet e lokale të organizuara gjatë këtij viti vlerësohet pozitivisht nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Pavarësisht këtij vlerësimi të përgjithshëm, çështja e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjykatësve dhe prokurorëve në rastet e zgjedhjeve vazhdon të mbetet problematike në Kosovë.

Ky konstatim del në raportin përfundimtar rreth përgjigjes së institucioneve të drejtësisë në lidhje me veprat penale kundër të drejtave të votimit “Drejtësia në zgjedhjet 2013”, të publikuar hënën nga IKD. Sipas raportit, shqetësimet ngritën pasi që një numër i prokurorëve kanë hequr dorë nga kërkesa e tyre fillestare për caktimin e masës për paraburgim vetëm pak orë para se të hyjnë në seancën e shqyrtimit. “Këto veprime lënë hapësirë për të dyshuar në ndikimet e mundshme nga jashtë të cilat cenojnë pavarësinë dhe paanshmërinë në vendimmarrje”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Sipas këtij instituti, një numër i gjykatësve kanë vendosur për masa më të buta se ato me paraburgim duke vendosur kështu një praktikë e cila nuk ka ekzistuar më parë. Gjithashtu, gjykatësit kanë shqiptuar dënime me kusht në instancën e parë për veprat penale “Kanosje të kandidatit” dhe “Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, që nuk janë aspak në përputhje me dëmet e shkaktuara nga këto vepra penale dhe nuk përmbushin qëllimin e dënimit të shprehur në ligjet e Republikës së Kosovës.