IKD: Dorëheqja e anëtarëve të KPK-së në kohën para shpalljes së konkursit për kryeprokurorë, praktikë që mund të paraqesë konflikt të interesit dhe mungesë të integritetit

IKD: Dorëheqja e anëtarëve të KPK-së në kohën para shpalljes së konkursit për kryeprokurorë, praktikë që mund të paraqesë konflikt të interesit dhe mungesë të integritetit

IKD: Dorëheqja e anëtarëve të KPK-së në kohën para shpalljes së konkursit për kryeprokurorë, praktikë që mund të paraqesë konflikt të interesit dhe mungesë të integritetit

Prishtinë, 8 tetor 2020 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj praktikës së kundërligjshme të dorëheqjeve të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) me mundësinë për të aplikuar për pozitën e kryeprokurorit të një prokurorie përkatëse, e cila praktikë ishte aplikuar më parë, si nga ish-anëtarë të KPK-së, ashtu edhe nga ish-anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Në takimin e së enjtes të KPK-së, është miratuar dorëheqja e tre (3) anëtarëve të Këshillit: Zejnullah Gashi, Dëshirë Jusaj dhe Arben Ismajli. Kjo dorëheqje e tre (3) anëtarëve të KPK-së vie në kohën kur të njëjtit kanë më pak se tre (3) muaj mandat si anëtar të KPK-së, derisa sipas rregulloreve të këtij Këshilli, konkursi për kryeprokurorë të shumicës së Prokurorive Themelore duhet të shpallet me 1 nëntor 2020, pra pas 23 ditëve.

Neni 9.5. i Ligjit Nr.06/L-056 për KPK-në përcakton se “Gjatë kohës së ushtrimit të funksionit të anëtarit të Këshillit, i njëjti nuk mund të ngritët në detyrë në sistemin prokurorial”.

Me këtë rast, bazuar edhe në praktikat e kaluara për të cilat IKD ka reaguar, kjo lloj dorëheqje në të kaluarën është dëshmuar si planifikim i anëtarëve të KPK-së për tu zgjedhur në pozitën e Kryeprokurorit. Kjo praktikë paraqet mungesë të integritetit, politikë të rrezikshme për sistemin prokurorial dhe dëshmi për kapjen e sistemit prokurorial nga një numër i vogël i prokurorëve.

Por para së gjithash, kjo praktikë paraqet konflikt të hapur të interesit të anëtarëve të KPK-së. Neni 18 i këtij ligji ka përcaktuar kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike. Ndër të tjera, ky nen ka përcaktuar se: “1. Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë:1.1. të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të  funksionit  publik,  në  pozitë  udhëheqëse  ose  menaxhuese,  apo  të  përfshihet  në  kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të  tyre  të  cilat  kanë  marrëdhënie  biznesi  me  institucionin  ku  ka  ushtruar  funksionin  publik,  nëse  detyrat  e  tij  gjatë  periudhës  dy-vjeçare  para  përfundimit  të  ushtrimit  të  funksionit  publik  kanë  qenë  drejtpërdrejtë  të  lidhura  me  mbikëqyrjen,  kontrollin  apo  sanksionimin e aktivitetit të tyre..”.

Sipas nenit 3.1.1.3 të këtij ligji, “Zyrtar i lartë nënkupton zyrtarët e lartë publikë të përcaktuar sipas Ligjit përkatës”, derisa sipas nenit 3.1.1.1.9 të Ligjit 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarëve, si zyrtarë të lartë publik kategorizohen edhe Anëtarët   e   Këshillit   Gjyqësor   dhe   Këshillit   Prokurorial,   Drejtori   i Sekretariatit  të  Këshillit  Gjyqësor,  Drejtori  i  Sekretariatit  të  Këshillit  Prokurorial, Auditori Gjyqësor, Prokurori Disiplinor”.

Në kuptim të menaxhimit, secila prokurori, është institucion vartës i KPK-së. Kjo manifestohet edhe nga kompetencat e KPK-së sipas Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili ligj në nenin 7, ndër të tjera, përcakton se KPK: ushtron detyrat dhe përgjegjësitë si në vijim: “1.1. vendos për organizimin, menaxhimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e funksionimit të prokurorive sipas ligjit…1.4. vendos për emërimin e kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit, në pajtim me Ligjin për Prokurorinë e Shtetit dhe Ligjin për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës…1.9. vendos për numrin e prokurorëve në secilin Prokurori…1.11. vendos për avancimin, transferimin dhe disiplinimin e prokurorëve. 1.12. vendos  kriteret  për  vlerësimin  e  prokurorëve,  për  ngarkesën  me  lëndë  të prokurorive dhe për funksionim efikas të prokurorive si dhe kontrollon dhe garanton procesin e vlerësimit dhe shqyrton ankimet e prokurorëve për vlerësimin e tyre…1.20. mbikëqyrjen dhe administrimin e prokurorive dhe personelit të saj”.

Në këtë mënyrë, zgjedhja eventuale e ish-anëtarëve të KPK-së, Zejnullah Gashi, Dëshirë Jusaj dhe Arben Ismajli në pozitën e Kryeprokurorit, duke dhënë dorëheqje pak para shpalljes së konkursit për kryeprokurorë të shumicës së prokurorive themelore, nëse dëshmohet se ka qenë me qëllim të zgjedhjes në këtë pozitë, është rast tipik i ndalesës së zyrtarit të lartë publik sipas nenit 18 të Ligjit nr.06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Pra, zgjedhja eventuale e Gashit, Jusaj dhe Ismajlit në pozitën e Kryeprokurorit, paraqet konflikt interesi sipas këtij ligji.

Madje, sa i përket kësaj praktike, nisur nga fakti se tanimë ish-anëtarët e KPK-së votohen pikërisht nga kolegët e tyre për një pozitë të caktuar, kjo domosdoshmërisht se i vë në pozitë të pabarabartë të gjithë kandidatët e tjerë.

Për më tepër, dorëheqja e tre (3) anëtarëve rreth tre (3)  muaj para përfundimit të mandatit, duke rrezikuar edhe funksionimin e rregullt të këshillit, paraqet mungesë të integritetit dhe papërgjegjësi nga ana e të njëjtëve.

Në këtë drejtim, IKD thekson se nëse kandidatët që sot kanë dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të KPK-së kandidojnë për kryeprokurorë të prokurorive prej nga vinë, e aq më tepër nëse kandidatura e tyre lejohet nga KPK, do të dëshmohet kapja praktike e sistemit prokurorial nga një grup i vogël brenda këtij sistemi. Me këtë rast, rezultati do të jetë dëshmia se dorëheqjet e sotme kanë qenë të koordinuara, me qëllim që përmes konfliktit të interesit, të njëjtit të zgjedhen në pozitën e Kryeprokurorit në prokuroritë prej nga vijnë.

Kjo mënyrë e veprimit, paraqet mungesë të hapur të integritetit dhe si rrjedhojë, minon besimin e publikut në sistemin prokurorial, i cili besim funksionon në margjina minimale. Për më tepër, në Raportin e Progresit për vitin 2020 thuhet se Kosova është në fazën e hershme të zhvillimit të sistemit gjyqësor funksional, se kishte raste të ndërhyrjes politike në gjyqësor dhe se këshillat duhet të reagojnë në mënyrë efikase dhe aktive në rastet e pretenduara të ndërhyrjeve politike në prokurori dhe gjyqësor.

Për këto arsye, IKD kërkon që me qëllim të shmangies nga konflikti i interesit, ruajtjes së integritetit të sistemit prokurorial dhe besimit të publikut në këtë sistem, të njëjtit anëtar mos të aplikojnë në pozitat për kryeprokurorë, dhe nëse kjo ndodhë, KPK mos të lejojë kandidaturën e ish-anëtarëve Zejnullah Gash, Dëshirë Jusaj dhe Arben Ismajli.

Dhe në fund, është e paprecedentë  që të njëjtit sot kanë diskutuar lidhur me draft rregulloren për zgjedhjen e anëtarëve të KPK-së që po ashtu në publik mund të konsiderohet konflikt interesi dhe përshtatje e rregullores për interesa të caktuara.