IKD dhe RrGK: Prokuroria Themelore në Prishtinë me mos veprim ia shkeli të drejtën në jetë Sebahate Sopit

IKD dhe RrGK: Prokuroria Themelore në Prishtinë me mos veprim ia shkeli të drejtën në jetë Sebahate Sopit

IKD dhe RrGK: Prokuroria Themelore në Prishtinë me mos veprim ia shkeli të drejtën në jetë Sebahate Sopit

Prishtinë, 17 mars 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) të mërkurën kanë mbajtur konferencë për media ku me anë të publikimit të raportit “Shtetit me mos veprim, privon nga jeta Sebahate Sopin” kanë reaguar fuqishëm ndaj neglizhencës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës në rastin e tani të ndjerës Sebahate Sopi, e cila mënyrë e veprimit i ka cenuar tani të ndjerës të drejtën më esenciale të njeriut, atë për jetë.

Lidhur me këtë rast, vet Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar komunikatë për media, ku në tendencë për tu arsyetuar para publikut, vet ka dëshmuar se me mos veprim, ia ka shkelur tani të ndjerës Sebahate Sopi të drejtën në jetë. Ish-bashkëshorti i Sebahate Sopit edhe paraprakisht ishte mbajtur në paraburgim për dhunë në familje ndaj tani të ndjerës Sebahate Sopi, derisa ndaj tij kishte qenë në fuqi edhe një urdhër mbrojtje. Dhuna në familje në këtë rast ishte denoncuar në Prokurorin e Shtetit edhe më 3 mars 2021. Prokurori i këtij rasti, duke u mjaftuar me mungesën e gatishmërisë së tani të ndjerës për të akuzuar dhe dëshmuar në lidhje me ish-bashkëshortin e saj, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim procedural brenda kompetencave të tij, ku 11 ditë më pas, Sebahate Sopi ishte vrarë me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i saj.

Lidhur me këtë rast, IKD gjen se Republika e Kosovës, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, ia ka shkelur tani të ndjerës të drejtën në jetë, si dhe ka dështuar në zbatimin e Konventës së Stambollit për Parandalimin dhe Luftimin E Dhunës Kundër Grave Dhe Dhunës Në Familje. Për më tepër, ky mos veprim i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është në kundërshtim edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, që përcakton se “dhuna në familje” është vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, pa marrë parasysh propozimin e të dëmtuarës.

Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kur ekziston një pretendim se autoritetet kanë shkelur obligimet e tyre pozitive për të mbrojtur të drejtën në jetë në kuptim të parandalimit dhe shtypjes së veprës penale kundër personit, duhet të vërtetohet nëse autoritetet e dinin ose është dashur ta dinin ekzistencën e një rreziku real dhe të menjëhershëm për jetën e një apo më shumë individëve nga veprimet kriminale të një pale të tretë, dhe autoritetet kanë dështuar që të marrin masa brenda fushës së kompetencave të tyre, të cilat masa, gjykuar arsyeshëm, pritej të shmangnin atë rrezik”. Sipas këtyre standardeve, vrasja e Sebahate Sopit është rast tipik i shkeljes së të drejtës në jetë.

Shkelja e të drejtës në jetë si e drejta më esenciale e njeriut paraqet dëm ndaj të gjitha viktimave potenciale të dhunës në familje, dëm ndaj familjarëve të rastit konkret, sistemit të drejtësisë dhe vet Republikës së Kosovës. Me qëllim të adresimit të llogaridhënies në këtë rast, IKD dhe RrGK kërkon nga KPK dhe Kryeprokurori i Shtetit që urgjentisht të pezullojnë Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Kujtim Munishi, dhe prokurorin e rastin, si dhe të themelojë një grup punues për të zbardhur këtë rast, i cili grup punues do të përbëhet nga një (1) prokuror, një (1) përfaqësues i viktimave, një (1) familjarë apo përfaqësues i familjes dhe dy (2) anëtarë të shoqërisë civile.

Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së shpreh vullnetin, gatishmërinë dhe përkushtimin e plotë që t’iu ofrojë familjarëve të viktimës ndihmë juridike falas në kuptim të ndjekjes së rrugëve ligjore për konstatimin e shkeljes së të drejtës në jetë ndaj Sebahate Sopit.

Për më tepër, gjeni të bashkangjitur raportin “Shteti me mos veprim, privon nga jeta Sebahate Sopin”..