Prishtinë, 17 korrik 2023 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL, reagojnë ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës së datës 12 korrik 2023, me të cilin vendim është miratuar versioni i ri i Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), pas ndryshimeve të bëra nga Ministria e Drejtësisë. Kjo pasi fillimisht ligji i mëparshëm ku ishte ndryshuar përbërja e KPK-së, me 5 prill 2023 ishte shpallur kundër kushtetues nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas ndryshimeve të reja të Projektligjit të ri, KPK do të ketë 19 anëtarë deri me 11 janar 2026. Pas kësaj date, Ministria e Drejtësisë ka propozuar që KPK të ketë 7 anëtarë me këtë përbërje.
Sipas Projektligjit [neni 21.1.] deri më 11 janar të vitit 2026, KPK-së do ti shtohen edhe tetë (8) anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, pesë (5) prej të cilëve zgjedhen nga Kuvendi, dy (2) prej të cilëve zgjedhen në bazë të katër (4) nominimeve që pranohen nga Avokati i Popullit për përfaqësues nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile, ndërsa një (1) pozitë rezervohet për profesorët universitar të drejtësisë. Sa i përket kuorumit deri më 11 janar të vitit 2026, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit [Neni 21.3. i Projektligjit]. Në rast se të gjithë anëtarët e Këshillit zgjedhën, kuorumi formohet me dymbëdhjetë (12) anëtarë. Ky rregull zbatohet deri më 11 janar të vitit 2026 [Neni 21.3. i Projektligjit]. Kështu, nga qëllimi fillestar për ta zvogëluar numrin e anëtarëve të KPK-së nga 13 në 7 anëtarë, MD-ja e ka rritur këtë numër në 19 anëtarë deri në vitin 2026.
Dispozitat në fjalë nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për Sundim të Ligjit dhe Opinionet e Komisionit të Venecias.
Më 11 gusht 2021, Qeveria miratoj Strategjinë për Sundim të Ligjit, e cila ishte derivat i procesit të Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit në Kosovë. Strategjia në fjalë dhe dokumentet e politikave e theksonin problemin e numrit të madh të anëtarëve prokurorë në KPK. Por, rritja e numrit të anëtarëve të KPK-së në këtë mënyrë nuk parashihej si opsion. Në këtë situatë, Projektligji në fjalë është në kundërshtim me Strategjinë për Sundim të Ligjit të miratuar nga Qeveria.
Rritja e numrit të anëtarëve të KPK-së në 19, tetë (8) prej të cilëve do të zgjedhen me një shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, dhe rregulla se kuorumi në KPK mund të krijohet vetëm edhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi paraqet politizim objektiv të KPK-së. Secila Qeveri, supozohet se e ka edhe shumicën parlamentare në Kuvend. Si rrjedhojë, secila Qeveri, përmes Kuvendit, do të ketë mundësi që pa asnjë konsensus politik të zgjedhë anëtarët e KPK. Kuorumi në KPK do të varet pikërisht nga këta anëtarë. Si rrjedhojë, objektivisht, KPK do të jetë e politizuar. Këto rregulla janë në kundërshtim me Kushtetutën [neni 110.1] që përcakton se “Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në kryerjen e funksioneve të tij, në pajtim me ligjin”.
Siç u tha, projektligji paraprak për KPK ishte shpallur kundër kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Duke pasur parasysh rëndësinë e reformës në sistemin prokurorial, IKD rikujton se jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dështon se interpretimi nga kjo gjykatë shtrihet përtej tekstit kushtetues, në frymën dhe vlerat kushtetuese. Si rrjedhojë, këto manovrime janë vështirë të kalueshme në Gjykatën Kushtetuese, nëse eventualisht edhe ky Projektligj i nënshtrohet vlerësimit të kushtetutshmërisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Tutje, një praktikë e tillë me numër kaq të madh të anëtarëve të KPK-së, nuk është hasur as në vendet e rajonit e as më gjerë. Kjo zgjidhje nuk ishte përkrahur nga ana e Komisionit të Venecias. “KPK do të bëhej shumë e madhe (mbi më shumë se 20 anëtarë), në raport me numrin e vogël të prokurorëve në Kosovë. Kjo zgjidhje sigurisht se do të ishte shumë e kushtueshme….” thuhej në raportin e Komisionit të Venecias [CDL- AD (2021)051, Kosova, par. 61].
Në këtë mënyrë, Projektligji për KPK i miratuar nga ana e Qeverisë, nuk është në linjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe Opinionet e Komisionit të Venecias. Objektivisht, një zgjidhje e tillë e vendosë KPK para politizimit të skajshëm të Kuvendit, shumicën në secilin rast e ka Qeveria. Si të tillë, IKD dhe Lëvizja “FOL” vlerësojnë se Projektligji për KPK i miratuar në Qeveri nuk përmbushë domoshmërinë për reformë në KPK dhe i ekspozohet rrezikut për dështim të serishëm të këtij ligji.Në anën tjetër, duhet theksuar se IKD pas vënies në konsultim publik të këtij projektligji nga Ministria e Drejtësisë, ka dërguar komente në lidhje me këtë projektligj duke ofruar një zgjidhje adekuate dhe të përshtatshme lidhur me përbërjen e anëtarëve të KPK-së në të ardhmen, në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ku me vendimin e kësaj të fundit veçse është humbur mundësia e shkurtimit të mandateve të anëtarëve aktual. Sipas IKD-së, në mënyrë që të shmangej përbërja “korporatiste”, por edhe të bëhej balancimi në mes të përfaqësuesve të prokurorëve dhe kuvendit, KPK duhet të ketë 7 anëtarë, ku dy (2) anëtarë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare dhe katër (4) anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, një prej të cilëve duhej të jetë prokurorë.
Me këtë përbërje, sipas IKD-së, prokurorët nuk do ta kishin shumicën në KPK por se këtë shumicë do ta kishte Kuvendi. Në anën tjetër kjo nuk mund të konsiderohej se Kuvendi e mbisundon me përbërje KPK, për faktin se Kuvendi do të obligohej që të paktën njërin nga anëtarët e saj ta zgjedhë një prokuror. Rrjedhimisht, në KPK do të ishin 4 prokurorë, njëri prej të cilëve zgjedhet nga Kuvendi. Kjo përbërje do të krijonte një balancë adekuate në mes të numrit të anëtarëve të KPK-së që zgjedhen nga sistemi prokurorial dhe atyre që zgjedhen nga Kuvendi.
IKD kishte paraparë që ripërtërija e përbërjes së KPK-së të jetë e përshkallëzuar kjo pasi sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të i’u merret mandati anëtarëve aktual të KPK-së dhe sipas IKD-së zgjidhja adekuate në këtë situatë do të ishte duke ruajtur mandatet aktuale të anëtarëve. Sipas IKD-së në dispozitat kalimtare, do duhej përcaktuar se deri me 1 janar 2026, kur KPK mbetet me dy anëtarë, përkatësisht një anëtarë prokuror dhe Kryeprokurori i Shtetit, anëtarët e KPK-së të cilët përfundojnë mandatin nuk do të kishin mundësi që të zëvendësoheshin me anëtarë të tjerë. Gjatë vitit 2025, Kuvendi do të duhej të zhvillonte procedurat për përzgjedhjen e katër (4) anëtarëve të KPK-së ku secili prej tyre, do të fillojë mandatin më 1 janar 2026, kur Këshilli do të mbetej me dy (2) anëtarë. Njëkohësisht, edhe sistemi prokurorial do ta zgjedhë edhe një anëtarë të KPK-së dhe si rrjedhojë, më 1 janar 2026, KPK do të ishte e kompletuar me 7 anëtarë.
Megjithatë, këto komente të IKD-së janë injoruar nga Ministria e Drejtësisë, e cila ka zgjedhur një rrugë të shkurtë dhe jo adekuate. Nga ajo që u tha më lartë, IKD dhe Lëvizja “FOL” konsideron se Projektligji i ri me ndryshimet e bëra nga Ministria e Drejtësisë ka humbur qëllimin dhe arsyen se pse në të vërtetë është filluar reforma në Këshillin Prokuorial të Kosovës.
Me përbërjen prej 19 anëtarëve të KPK-së, ku 8 prej tyre do të jenë jo prokurorë rrezikohet skajshmërisht politizimi Këshillit, duke përfshirë rrezikun për bllokim të tërësishëm të vendimmarrjes, kjo pasi nëse zgjedhen të gjithë anëtarët jo prokurorë atëherë korumi do të formohet me 12 anëtarë të KPK-së, që në çdo rast do të krijonte një varësi nga shumica qeverisëse. Për të mos ardhur deri tek një bllokadë në vendimmarrje, ku interesat e ngushta të asnjë grupi nuk do të mbizotëronin, në opinionin e dytë, Komisioni i Venecias kishte rekomanduar që ligjvënësi kosovar, në koordinim me partnerët e tjerë të përcaktojë parametra specifikë të mekanizmave kundër-bllokadë, që KPK të mund të marrë vendime edhe kur anëtarët prokurorë dhe joprokurorë nuk mund të arrijnë kompromis, e që në rastin konkret ky rekomandim i Venecias nuk është adresuar nga MD as në përbërjen prej 19 anëtarëve as kur KPK do të mbetet me 7 anëtar pas vitit 2026. [CDL-AD(2022) 006, Kosova, par 15].