Prishtinë, 20 dhjetor 2023 – Komisioni i Venecias, në opinionin e publikuar me 18 dhjetor 2023 për Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk i ka mbështetur ndryshimet e reja sa i përket rritjes së përkohshme të numrit të anëtarëve në KPK në 19 anëtarë deri në janar të vitit 2026, ndryshime këto të propozuara me versionin e ri të Projektligjit për KPK, pas ndryshimeve të bëra nga Ministria e Drejtësisë. Sipas Projektligjit deri më 11 janar të vitit 2026, KPK-së parashihej ti shtohen edhe tetë (8) anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi.
Megjithatë, rritja e përkohshme nuk është përkrahur nga opinioni i 18 dhjetorit 2023 të Komisionit të Venecias, ku ndër të tjera ky opinion thekson se: “Një Këshill prej 19 anëtarësh me kohë të plotë në një shtet me pak më shumë se dyqind prokurorë duket tepër i madh. Megjithatë, nëse kjo është arsyeja, nuk është e qartë se mbi çfarë parimi ligjvënësi propozon rritjen e anëtarësimit në mënyrë kaq dramatike vetëm për ta ulur atë në mënyrë drastike pas vetëm dy vjetësh”. [CDL-AD(2023)043, par 65]. Kjo nuk është hera e parë që Komisioni i Venecias nuk rekomandonte rritjen e numrit të anëtarëve të KPK-së në një vend të vogël si Kosova. Njëjtë kishte rekomanduar edhe në opinionin e muajit tetor 2021, lidhur me draft ligjin për KPK: “KPK do të bëhej shumë e madhe (mbi më shumë se 20 anëtarë), në raport me numrin e vogël të prokurorëve në Kosovë. Kjo zgjidhje sigurisht se do të ishte shumë e kushtueshme….” [CDL- AD (2021)051, Kosova, par. 61].
Komisionit i Venecias nuk e konteston faktin që ka rrezik të korporatizmit në përbërjen aktuale të KPK-së, megjithatë sipas Komisionit shtimi i tetë (8) anëtarëve jo prokurorë në KPK rrit rrezikun e politizimit të Këshillit, kjo pasi anëtarët shtesë që zgjedhen nga Kuvendi do të mund të zgjedhen nga shumica qeverisëse. “Edhe nëse ndryshimi i përbërjes mund të thuhet se është projektuar si një masë e jashtëzakonshme e vetme për të eliminuar kulturën e korporatizmit, një ndryshim i tillë po futet në një klimë polarizimi, do të jetë funksional vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, më pak se dy vjet në skenarin më të mirë), është i mbushur me rreziqe bllokimesh dhe politizimi dhe krijon dyshimin se “KPK-ja e zgjeruar” do t’i nënshtrohet një ndikimi të konsiderueshëm politik përpara se të krijohet “KPK e reduktuar“. [CDL-AD(2023)043, par 62].
Se propozimi i MD-së ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe vet opinonet e Komisionit të Venecias ishte paralajmëruar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes komenteve të dërguara në MD në maj të 2023, dhe komenteve të dërguara grupit punues në qershor 2023. Analiza dhe komentet e IKD, janë pothuajse identike me komentet dhe rekomandimet e ofruara nga vet opinioni i Komisionit të Venecias që u publikua para disa ditësh.
Për më tepër, IKD dhe Lëvizja “FOL” kishin reaguar edhe publikisht me reagimin e 17 korrikut 2023, ku theksohej se përbërja me numër kaq të madh të anëtarëve të KPK-së, nuk është hasur as në vendet e rajonit e as më gjerë dhe se kjo zgjidhje ishte në kundërshtim me opinionet e Komisionit të Venecias.
Tutje, IKD dhe “FOL” kishin kundërshtuar edhe çështjen e kuorumit ku sipas Projektligjit kuorumi deri më 11 janar të vitit 2026, formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit [Neni 21.3. i Projektligjit]. Në rast se të gjithë anëtarët e Këshillit zgjedhën, kuorumi formohet me dymbëdhjetë (12) anëtarë. Ky rregull zbatohet deri më 11 janar të vitit 2026 [Neni 21.3. i Projektligjit]. Kjo sipas IKD-së dhe FOL rrezikonte skajshmërisht politizimin e Këshillit, duke përfshirë rrezikun për bllokim të tërësishëm të vendimmarrjes, kjo pasi nëse zgjedhen të gjithë anëtarët jo prokurorë atëherë kuorumi do të formohet me 12 anëtarë të KPK-së, që në çdo rast do të krijonte një varësi nga shumica qeverisëse. Për të mos ardhur deri tek një bllokadë në vendimmarrje, ku interesat e ngushta të asnjë grupi nuk do të mbizotëronin, në opinionin e dytë, Komisioni i Venecias kishte rekomanduar që ligjvënësi kosovar, në koordinim me partnerët e tjerë të përcaktojë parametra specifikë të mekanizmave kundër-bllokadë, që KPK të mund të marrë vendime edhe kur anëtarët prokurorë dhe jo prokurorë nuk mund të arrijnë kompromis, e që në rastin konkret ky rekomandim i Venecias nuk ishte adresuar nga MD në Projektligjin e ri, as në përbërjen prej 19 anëtarëve as kur KPK do të mbetej vetëm me shtatë (7) anëtar pas vitit 2026. [CDL-AD(2022) 006, Kosova, par 15].
Edhe lidhur me këtë çështje, Komisioni i Venecias në opinionin e fundit, ka theksuar se çështja e kuorumit edhe nëse zgjedhen të gjithë anëtarët e KPK-së mund të rezultojë lehtësisht në një paralizë të KPK-së, ku ekziston rrezik i konsiderueshëm i bllokimeve nëse anëtarët joprokurorë të emëruar nga Kuvendi zgjedhin të mos marrin pjesë në mbledhje, duke paralizuar kështu veprimtarinë e KPK-së. Sipas Komisionit të Venecias, për të eliminuar mundësinë e bllokimeve, është rekomanduar që ligji të parashikojë masa disiplinore më të rrepta dhe efektive për mospjesëmarrje efektive në aktivitetet e KPK-së pa arsyetim të vlefshëm. [CDL-AD(2023)043, par 68].
Tutje, sa i përket zgjedhjes së tre (3) anëtarëve jo prokurorë nga Kuvendi, Komisioni i Venecias ka rekomanduar që të gjindet një zgjidhje e cila do të siguronte kontributin e ekspertëve dhe institucioneve të pavarura në procesin e përzgjedhjes. Komisioni nuk është bindur se mënyra dhe procedura e përzgjedhjes së tre (3) anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi ka trajtuar thelbin e rekomandimit të mëparshëm, i cili kërkonte të sigurohej një përbërje pluraliste e KPK-së me qëllim për të reduktuar rrezikun e politizimit në zgjedhjen e anëtarëve jo prokurorë. Ky propozim sipas Komisionit do të duhet të përpunohet më tutje për të vendosur një ekuilibër të drejtë midis rrezikut të korporatizmit në një KPK të dominuar nga anëtarët e prokurorë dhe rrezikut të politizimit të anëtarëve jo prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi.
IKD dhe Lëvizja “FOL” në reagimin e bërë me 17 korrik 2023, kishin theksuar se dispozitat e Projektligjit të ri për KPK nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për Sundim të Ligjit dhe Opinionet e Komisionit të Venecias, duke konsideruar se ndryshimet e reja paraqisnin politizim objektiv të Këshillit. Si rrjedhojë, sipas IKD-së këto manovrime ishin vështirë të kalueshme në Gjykatën Kushtetuese, nëse eventualisht edhe ky Projektligj i nënshtrohet vlerësimit të kushtetutshmërisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese me përmbajtjen që e ka aktualisht.
Në anën tjetër, duhet theksuar se IKD pas vënies në konsultim publik të këtij Projektligji nga Ministria e Drejtësisë, kishte dërguar komente në lidhje me këtë projektligj duke ofruar një zgjidhje adekuate dhe të përshtatshme lidhur me përbërjen e anëtarëve të KPK-së në të ardhmen, në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ku me vendimin e kësaj të fundit veçse është humbur mundësia e shkurtimit të mandateve të anëtarëve aktual. Sipas IKD-së, në mënyrë që të shmangej përbërja “korporatiste”, por edhe të bëhej balancimi në mes të përfaqësuesve të prokurorëve dhe kuvendit, KPK duhet të ketë shtatë (7) anëtarë, ku dy (2) anëtarë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare dhe katër (4) anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, një prej të cilëve duhej të jetë prokurorë.
Me këtë përbërje, sipas IKD-së, prokurorët nuk do ta kishin shumicën në KPK por se këtë shumicë do ta kishte Kuvendi. Në anën tjetër kjo nuk mund të konsiderohej se Kuvendi e mbisundon me përbërje KPK, për faktin se Kuvendi do të obligohej që të paktën njërin nga anëtarët e saj ta zgjedhë një prokuror. Rrjedhimisht, në KPK do të ishin katër (4) prokurorë, njëri prej të cilëve zgjedhet nga Kuvendi. Kjo përbërje do të krijonte një balancë adekuate në mes të numrit të anëtarëve të KPK-së që zgjedhen nga sistemi prokurorial dhe atyre që zgjedhen nga Kuvendi.
IKD kishte paraparë që ripërtërija e përbërjes së KPK-së të jetë e përshkallëzuar kjo pasi sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të i’u merret mandati anëtarëve aktual të KPK-së dhe sipas IKD-së zgjidhja adekuate në këtë situatë do të ishte duke ruajtur mandatet aktuale të anëtarëve. Sipas IKD-së në dispozitat kalimtare, do duhej përcaktuar se deri me 1 janar 2026, kur KPK mbetet me dy anëtarë, përkatësisht një anëtarë prokuror dhe Kryeprokurori i Shtetit, anëtarët e KPK-së të cilët përfundojnë mandatin nuk do të kishin mundësi që të zëvendësoheshin me anëtarë të tjerë. Gjatë vitit 2025, Kuvendi do të duhej të zhvillonte procedurat për përzgjedhjen e katër (4) anëtarëve të KPK-së ku secili prej tyre, do të fillojë mandatin më 1 janar 2026, kur Këshilli do të mbetej me dy (2) anëtarë. Njëkohësisht, edhe sistemi prokurorial do ta zgjedhë edhe një anëtarë të KPK-së dhe si rrjedhojë, më 1 janar 2026, KPK do të ishte e kompletuar me shtatë (7) anëtarë.
Megjithatë, këto komente ishin injoruar nga Ministria e Drejtësisë, e cila kishte zgjedhur një rrugë të shkurtër dhe jo adekuate.
Pas opinionit të Komisionit të Venecias, IKD dhe FOL rekomandon që të merren parasysh rekomandimet dhe konstatimet e dhëna nga opinioni i fundit i Komisionit të Venecias në mënyrë që të mos përsëriten gabime të ngjashme dhe të ketë vonesa të panevojshme, ku potencialisht edhe Projektligji i ri do ta ketë fatin e njëjtë sikurse i kaluari duke mos kaluar filtrin e Gjykatës Kushtetuese nëse dërgohet në këtë të fundit.