Prishtinë, 15 dhjetor 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) së bashku me Misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), të mërkurën, në kuadër të projektit “Ndërtimi i besimit në sistemin gjyqësor dhe ngritja e realizimit të të drejtave të njeriut përmes monitorimit të seancave gjyqësore nga qytetarët”, organizuan një trajnim për konceptet kryesore të procedurave gjyqësore dhe monitorimit të gjykimeve për 20 monitorues laikë, të cilët pritet t’i monitorojnë rreth 500 seanca penale në mbarë Kosovën.
Këta monitorues, të cilët nuk kanë përgatitje juridike, u zgjodhën në bazë të një numri të kritereve, duke përfshirë gjininë, përkatësinë etnike, moshën, arsimimin, profesionin, etj.
IKD dhe EULEX përmes këtij projekti kanë për qëllim ngritjen e transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë, përmirësimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm, përmes monitorimit të seancave gjyqësore në çështjet penale nga ana e qytetarëve.
Gjatë muajve në vijim do të organizohen një varg aktivitetesh “ad-hoc” për trajnim, të parapara që t’i përplotësojnë aktivitetet e monitorimit dhe për ta siguruar zbatimin e lehtë të këtij projekti. Në bazë të raporteve të 20 monitoruesve laikë të gjykimeve do të përgatitet një raport përfundimtar i vlerësimit dhe do të paraqitet para komunitetit ligjor dhe diplomatik të Kosovës gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2022.