Prishtinë, 11 dhjetor 2023 – Qytetarët të cilët paraqiten pranë Departamentit për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, me qëllim që të aplikojnë në skemën e familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe viktimave civile, ndër dokumentet e listuara për t’u dorëzuar me aplikimin e tyre, u kërkohet edhe një “vërtetim për ndërprerje të pensionit të pleqërisë ose punës”.
Një veprim i tillë është i kundërligjshëm dhe shkel të drejtat e aplikuesve në realizimin e kërkesës së tyre. Kjo sepse, Ligji për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre, në nenin 23, par. 2, shprehimisht përcakton se “shfrytëzuesit e pensionit bazë, mund të realizojnë të gjitha të drejtat dhe beneficionet e përcaktuara me këtë ligj, nëse i përmbushin kushtet dhe kriteret sipas dispozitave të këtij ligji.”
Në anën tjetër, kjo situatë është rregulluar edhe përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme, e cila ka vërtetuar aktgjykimet e shkallëve më të ulëta duke njohur kështu të drejtën e individëve në dy skema pensionale – atë kontributpagues të moshës, si dhe atë që rrjedh nga ligji për kategoritë e dala nga lufta.
Ajo që thuhet në aktgjykim të Gjykatës Supreme është që e drejta e fituar me punë duhet të konsiderohet prioritet, më e favorshme dhe si e drejtë themelore e njeriut, andaj dhe askush nuk duhet të privohet nga kjo e drejtë, apo në raste të tjera personi i cili e arrin moshën e pensionimit si kontributpagues në bazë të punësimit.
E njëkohësisht, përderisa me asnjë dispozitë të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, i cili është ligj i mëvonshëm, por as me ndonjë akt apo ligj tjetër, nuk është shfuqizuar neni 23 i ligjit për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre, kjo nënkupton se çdo shfrytëzues i pensionit bazik, ka të drejtën edhe të pensionit nga Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta.
Në këtë drejtim, IKD kërkon nga Departamenti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, që të ndal praktikën e përcaktimit të kritereve shtesë për aplikuesit, në kundërshtim me ligjin dhe praktikën gjyqësore, duke iu kufizuar të njëjtëve të drejtën për të aplikuar për realizimin e një të drejte të përcaktuar me ligj dhe praktikën gjyqësore.
Shtojcë: Shkresa që u jepet aplikuesve, me informatat mbi dokumentet që kërkohen për aplikim.