Prishtinë, 19 janar 2022 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të mërkurën ka mbajtur konferencë për media, ku ka publikuar analizën: “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”.
Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në IKD, ka thënë se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme (Projektligji) përmban të meta të caktuara në aspektin juridik, për çka IKD e ka parë të nevojshme publikimin e një dokumenti të tillë, në mënyrë që të ndihmojë akterët relevantë të kenë një qëndrim të mirinformuar sa i përket këtij Projektligji.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se sipas Projektligjit aktual, Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është objektivisht jo e pavarur.
“Sipas Projektligjit aktual, Byroja do të udhëhiqet nga drejtori i saj, i cili do të jetë autoriteti kompetent për vendosur inicimin e hetimeve dhe parashtrimin e propozimit për konfiskim të pasurisë. Drejtori i kësaj Byroje do të zgjidhet vetëm me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, derisa dispozitat që flasin për shkarkimin e tij nuk janë specifike. Sipas këtij rregullimi, Byroja objektivisht nuk mund të jetë e pavarur dhe rrezikon që të shndërrohet në mashë të partisë në pushtet, e cila ka shumicën në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Shala.
Sipas Shalës, është zgjidhje e gabuar koncentrimi i lëndëve të Byrosë në vetëm Divizionin Civil të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili nuk paraqet asnjë specifikë në raport me divizonet civile të gjykatave të tjera themelore dhe degëve të tyre.
Jeton Hasani, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se Projektligji nuk ka një standard adekuat të provimit në gjykatë, qoftë në masën e përkohshme apo në konfiskimin përfundimtar.
“Në rastet para se të paraqitet propozimi për konfiskim nga Byroja, siç duket gjykata mund të caktojë masën e përkohshme të sigurimit pa një prag adekuat të të provuarit. Përkatësisht, mjafton që të jetë i besueshëm pretendimi i Byrosë që po qe se nuk caktohet masa e përkohshme, pasuria mund të mos jetë më në dispozicion të subjektit. Por nuk kërkohet ndonjë standard i të provuarit se pasuria që kërkohet të sigurohet përkohësisht, në fakt, ka prejardhje të dyshimtë. Në rastin konkret nuk ka fare standard të të provuarit: mjafton që pronësia të rrezikohet nga tjetërsimi, asgjësimi, e të ngjashme. Zaten, çdo pasuri mund të rrezikohet të tjetërsohet nga pronari i cili është i lirë të disponojë me pasurinë e vet; prandaj, një standard i tillë, si i vetëm, është joadekuat që të vendoset masa e sigurisë (para paraqitjes së propozimit për konfiskim). Duhet edhe të dëshmohet, edhe në këtë fazë që ekziston shpërputhja e caktuar mes pasurisë dhe të ardhurave, e argumentuar me dokumentacion konkret, që ngrehë dyshime se pasuria mund të mos ketë prejardhje të ligjshme. Në të kundërtën, vendosja e masave të sigurimit të pasurisë pa një prag adekuat të të provuarit paraqet në veçanti ndërhyrje të pajustifikueshme në të drejtën e gëzimit paqësor të pronësisë së palës në procedurë”, ka thënë Hasani.
Sipas Hasanit, standardi adekuat i të provuarit mungon edhe në fazën e konfiskimit përfundimtar.
“Kalimi i barrës së provës tek pala në procedurë nuk do duhej të ishte automatik, me fillimin e procedurës së konfiskimit. Barra e provës do duhej të kalonte tek pala tjetër vetëm pasi që të argumentohet nga Byroja, para gjykatës, se ekziston baza e nevojshme që sugjeron se pasuria e personit në fjalë është e pajustifikueshme. Jo çdo propozim për konfiskim duhet të cilësohet apriori i bazuar që të sjellë kalimin e barrës së provës tek pala në procedurë. Duhet që së pari Byroja të parashtrojë fillimisht një propozim i cili, në përshtypje të parë, duket të jetë i bazuar për gjykatën, e tek pastaj barra e provës të kalojë tek pala në procedurë dhe të vazhdohet me hapat tjerë proceduralë”, ka përfunduar Hasani.
Për më tepër, gjeni të bashkangjitur analizën e IKD-së: “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”.