IKD: Asnjë profil i lartë i dënuar me burgim efektiv për korrupsion, zgjidhja – vetingu

IKD: Asnjë profil i lartë i dënuar me burgim efektiv për korrupsion, zgjidhja – vetingu

IKD: Asnjë profil i lartë i dënuar me burgim efektiv për korrupsion, zgjidhja – vetingu

Prishtinë, 21 dhjetor 2017 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Kosovë dhe NED, të enjten, ka mbajtur tryezën me titull “Luftë, persekutim apo amnisti në emër të luftës kundër korrupsionit? – Zgjidhja/Vetingu?”. Në këtë tryezë, u publikua raporti “Luftë, persekutim apo amnisti në emër të luftës kundër korrupsionit?”, si rezultat i monitorimit të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe sistemin gjyqësor. Së bashku me raportin gjashtëmujor, u publikuan edhe dy buletine të monitorimit të të gjitha Gjykatave dhe Prokurorive Themelore si dhe Gjykatës së Apelit në Prishtinë në periudha tremujore (janar-mars 2017 dhe prill-qershor 2017). Gjatë kësaj tryeze u diskutua për performancën dhe rezultatet e institucioneve të drejtësisë në luftimin e korrupsionit.

Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Ruairi O’Connell, Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, znj. Albulena Haxhiu, Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, z. Nehat Idrizi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, z.Blerim Isufaj dhe Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Musliu ka prezantuar gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet e monitorimit sistematik të trajtimit të rasteve të korrupsionit nga gjykatat dhe prokuroritë, duke thënë se lufta kundër korrupsionit në Kosovë vazhdon të zhvillohet kryesisht ndaj profilit të ulët dhe të mesëm. “Profili i lartë ndiqet rrallë, por edhe kur ndiqet, aktakuzat ndaj profilit të lartë dështojnë në fazat fillestare në gjykata. Gjetjet e monitorimit të IKD-së tregojnë se nga rastet e gjykuara gjatë vitit 2016, e të përfunduara në shkallë të parë deri në dhjetor 2017, 67% e tyre kanë dështuar në gjykata”. Musliu përmendi edhe aktakuzat e profilit të lartë, të ngritura në gjashtëmujorin e parë 2017. “Për dallim nga viti paraprak në gjashtë mujorin e parë të vitit 2017 janë ngritur aktakuza ndaj tre personave të profilit të lartë. Për dy prej këtyre personave (Ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq dhe ish Kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj) kanë dështuar aktakuzat e prokurorëve qysh në fazën fillestare në gjykatë, ndërsa për personin e tretë (ish Kryetarin e Komunës së Lipjanit, Shukri Buja) ende po vazhdon procedura gjyqësore”. Sipas Musliut, IKD vlerëson se ky trend i dështimit të aktakuzave të profilit të lartë prej vitit 2016, i cili ka vazhduar në vitin 2017 dëshmon se aktakuzat ndaj profilit të lartë janë ngritur pa prova dhe dëshmi me qëllim të persekutimit të tyre apo amnistisë së përhershme.

Tutje, drejtori ekzekutiv i IKD-së tha se tani është koha për hapjen e debatit publik lidhur me fillimin e procesit të vetingut në Polici, Prokurori dhe Gjykata. “Verifikimi duhet të përfshijë debat gjithëpërfshirës të të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me kërkesë që zbatimi i procesit të verifikimit në praktikë të udhëhiqet nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania”.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, z. Ruairi O’Connell, në fjalën hyrëse tha se Kosova nuk ka sfidë më të madhe se sa luftimin kundër korrupsionit – sidomos korrupsionit të nivelit të lartë. “Me keqardhje më duhet të them, prapë, rezultatet mungojnë. Nuk ka asnjë person të profilit të lartë të dënuar me burgim efektiv për shkak të korrupsionit. Shumë zhurmë bëhet në fillim dhe në fund të gjithë lirohen ose marrin dënime të buta. Këtë vit, nga tre aktakuzat e ngritura për profil të lartë, dy prej tyre kanë dështuar. Ku mbeti llogaridhënia?”- tha O’Connell.

Tutje, Ambasadori Britanik tha se ka prokuror dhe gjyqtarë trima, të guximshëm, të përkushtuar, të cilët e kryejnë punën e tyre me nder dhe luftojnë korrupsionin. Por siç shihet, nuk janë të mjaftueshëm. “Gjatë gjithë këtij viti, ne, bashkë me partnerët tjerë ndërkombëtar, kemi ngritur shqetësimet e bazuara në rekrutimin e gjyqtarëve dhe emërimin e kryetarëve të gjykatave. Këshilli Gjyqësor i Kosovës bëri disa ndryshime procedurale. Dhe kjo është e mirëseardhur. Por shqetësimet tona më të rëndësishme lidhur me transparencën e emërimit të Kryetarëve të Gjykatave u injoruan nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Probleme të ngjashme ka pasur edhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku ka pasur kritika për emërime jomeritore. Në situata të tilla, është e vështirë që të argumentohet se Kosova është e përkushtuar për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit”.

Ambasadori O’Connell tha se përkundër kësaj nuk do të heqet dorë. “Kosova ka nevojë të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të pastër, meritor, profesionist, të pavarur e të ndershëm. Ju e dini projektin tonë me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës përmes të cilit synohet të luftohet nepotizmi, korrupsioni dhe klientelizmi. Jemi të gatshëm që një gjë të tillë ta bëjmë edhe me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial në procesin e rekrutimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve; por edhe të Kryetarëve të Gjykatave dhe Kryeprokurorëve. Jam i bindur që gjithë ata gjyqtarë, prokurorë dhe policë të ndershëm janë të gatshëm që edhe Kosova të filloj sa më shpejt procesin e verifikimit të detajuar të kaluarës së tyre. Pra vetingun. Jam kurreshtar të dëgjoj sot këndvështrimet tuaja në këtë drejtim”.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Znj. Albulena Haxhiu gjatë kësaj tryeze ka thënë se nuk ka logjikë që drejtësia të merret vetëm me rastet e profileve të ulëta, duke mbështetur gjetjet e IKD-së se nuk ka dënime efektive për raste të mëdha. “Rastet e mëdha po lihen ose të parashkruhen ose po lirohen ose po dënohen me kusht si psh. rasti i Enver Hasnit. Nuk mund asnjëherë ta amnistoj edhe Eulexin, që është i instaluar në Kosovë të luftojë korrupsionin, mirëpo çka po shohim është se po del që edhe zyrtarë të Eulexit janë të përfshirë në afera të tilla korruptive“ tha Haxhiu.

Haxhiu gjithashtu deklaroi se e ka përmendur procesin e vetingut, dhe për këtë është kritikuar nga gjyqtarë dhe prokurorë të cilët, sipas saj, janë frikësuar se qëllimi është eliminimi i tyre. „Kosova është e rëndësishme të ketë ligjin e vetingut. Këtë e kërkojnë edhe gjyqtarët dhe prokurorët, siç e përmendi edhe Ambasadori O’Connell. Kemi gjyqtarë dhe prokurorë të mirë mirëpo janë të paket“, përfundoi Haxhiu.

Në fjalën hyrëse, Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri tha se raporti i IKD-së flet mbi shumë aspekte të sistemit të drejtësisë dhe komponentëve përbërëse të saj, përfshirë edhe atyre komponentëve që janë më të ndjeshme, dhe që meritojnë një trajtim më adekuat dhe vëmendje të shtuar. Sipas Tahirit, raporti në fjalë kontribuon në identifikimin e problemeve reale. “Si ministër, jam shumë i interesuar që problemet reale të identifikohen dhe të orientohen drejt zgjidhjes. Prandaj, konsideroj se edhe ky raport, është një kontribut në këtë drejtim”, ka thënë Tahiri.

Sa i përket procesit të vetingut, Ministri i Drejtësisë ka thënë se ende nuk e kanë një drejtim të qartë se si duhet të shkojnë. “Ne duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në një proces të tillë, duhet të nxirren përfundimet e këtij procesi të mos jenë as politike as të njëanshme por të jene ato që i presin shoqëria jonë. Jam në favor të fillojmë të përgatitim bazën ligjore që të filloj procesi i vetingut. Ne kemi nevoje për krijimin e mekanizmave që në vazhdimësi në kohë të caktuar të ndodh një proces i tillë” është shprehur Tahiri.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi, ka folur për rekomandimet që IKD i ka bërë për sistemin gjyqësor, duke thënë se është e nevojshme caktimi i afateve ligjore lidhur me trajtimin e rasteve të korrupsionit në pajtim me obligimet ligjore “Pajtohem me rekomandimin e juaj. Vetëm nëse kërkojmë respektimin e këtyre afateve në do të vendosim një llogaridhënie në sistemin e drejtësisë dhe do te kemi rezultate” ka thënë Idrizi.

Kreu i KGJK-së ka thënë më tej se lufta e korrupsionit nuk bëhet brenda natës por kërkon angazhim të të gjitha institucioneve. “Gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk duhet t’u kujtohet vazhdimisht se lufta kundër korrupsionit është prioritet, por duhet të jenë vetëdijshëm. Një qasje e tillë eliminon të gjitha dyshimet qoftë të publikut ose partnerëve” është shprehur Idrizi.

Idrizi shtoi se do t’i marrin për bazë rekomandimet e IKD-së, dhe se nuk duhet frikësuar monitorimit dhe kritikave pasi të njëjtat shërbejnë për t’u përmirësuar.

Ndërkaq, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Blerim Isufaj,  tha se i vlerëson shumë takimet e kësaj natyre, pasi që të njëjtat shërbejnë si një forum i rëndësishëm i punës së tyre me qëllim të përmirësimet të punës së Këshillit Prokurorial.

Isufaj ka folur për efikasitetin e Prokurorit të Shtetit në zgjidhjen e rasteve, sipas të cilit këto probleme po shkojnë drejt zgjidhjes dhe eliminimit. “PSH në vitin 2016 ka zgjidhur 20.718 raste më shumë raste së vitin 2015. Në vitin 2014 ka zgjidhur 27.56 raste Ndërsa janë 24% raste më shume të zgjidhura gjatë këtij gjashtë mujori të vitit 2017 në krahasim me vitin e kaluar”, ka bërë të ditur Isufaj.

Tutje Kryesuesi i KPK-së është shprehur se sistemi prokurorial ende nuk është i përsosur, po se janë në përfundim të planifikimit të punës për vitin e ardhshëm.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin Kryetari i Gjykatës Supreme, përfaqësues nga Gjykata e Apelit, Kryetarë të Gjykatave Themelore, Kryeprokurorë të Prokurorive Themelore, gjykatës, prokurorë, Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, përfaqësues të Ambasadës Britanike, Ambasadës Amerikane, përfaqësues të Shoqërisë Civile si dhe mediat.