IKD: 23 persona të akuzuar për korrupsion mund të “shpëtojnë” nga aktakuzat nëse rastet e tyre nuk përfundojnë deri në vitin 2023

IKD: 23 persona të akuzuar për korrupsion mund të “shpëtojnë” nga aktakuzat nëse rastet e tyre nuk përfundojnë deri në vitin 2023

IKD: 23 persona të akuzuar për korrupsion mund të “shpëtojnë” nga aktakuzat nëse rastet e tyre nuk përfundojnë deri në vitin 2023

Prishtinë, 13 dhjetor 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të hënën ka mbajtur konferencë për media, ku ka publikuar raportin “Korrupsioni në prag të vjetërsimit”.

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Leotrim Gashi ka thënë se gjetjet e këtij instituti tregojnë se janë 11 persona të akuzuar për vepra penale të korrupsionit, rastet e të cilëve do të parashkruhen gjatë vitit 2022, ndërsa 12 të tjerë deri në vitin 2023.

Ai tha se në këto raste që mund të parashkruhen në dy vitet e ardhshme, bëjnë pjesë edhe rastet ndaj 13 personave të profilit të lartë, si Naser Osmani, Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqaj dhe Dardan Gashi.

Sipas raportit të IKD-së, arsyet kryesore që ndikojnë në parashkrimin e lëndëve janë numri i madh i lëndëve, mos respektimi i afateve procedurale nga ana e gjyqtarëve, mungesat e palëve në procedurë mos ndëshkimi i tyre nga gjyqtarët kur ata mungojnë pa arsye si dhe kthimi i shpeshtë i rasteve në rigjykim.

Drejtori i INL-së në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Shawn Waddoups tha se Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë është e përkushtuar të mbështesë qytetarët dhe gjyqësorin e Kosovës. Ai ka thënë se një pjesë e këtij përkushtimi është edhe mbështetja e tyre ndaj shoqërisë civile.

“Një nga partneritetet tona më produktive është ai që kemi me IKD-në. Përpjekjet e shoqërisë civile në luftimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit kanë treguar progres në rritje dhe këtë e shohim edhe sot. Ky raport që IKD po publikon hedh dritë mbi një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme. Disa raste të korrupsionit që së shpejti ka gjasa të arrijnë parashkrimin”, ka thënë ai.

Waddoups më tutje ka thënë se asnjë dështim i një sistemi të drejtësisë penale nuk është më tragjik se lirimi i një autori të mundshëm të krimeve për shkak të parashkrimit dhe sipas tij, për të shmangur kufizimin ligjor dhe për të respektuar të drejtat e të pandehurve për një gjykim pa vonesa të panevojshme, gjykatat e shkallës më të lartë se gjykatat themelore duhet të bëjnë përpjekje për të gjykuar çështjet në meritën e rastit kur lejohet sipas ligjit.

Lidhur me gjetjet e raportit të IKD-së, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Agim Maliqi tha se ndër arsyet që ndikojnë në parashkrimin e rasteve është edhe numri i madh i lëndëve, e cila tha se do të adresohet së shpejti, pasi KGJK është në fazën e rekrutimit të gjyqtarëve të rinj dhe bashkëpunëtorëve profesional. Sipas tij, kjo do të ndikojë edhe në uljen e rasteve të parashkrimeve.

Gjyqtari Maliqi gjithashtu tha se duhet inkurajuar edhe gjyqtarët e Gjykatës së Apelit që për rastet që i trajtojnë të hapin seancat, e jo të njëjtat t’i kthejnë në rigjykim.

“KGJK është në hartim e sipër të rregullores për normat e gjykatësve, ku gjykatësit do të inkurajohen që t’i hapin seancat dhe të fitojnë pikë. Mirëpo kjo është e pasi që kur kemi shkelje të ligjit penal aktgjykimi ndryshohet, por kur kemi shkelje të dispozitave procedural është vështirë të vendoset vet”, ka thënë gjyqtari Maliqi.

Edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës së Apelit, Afrim Shala ka thënë se ndër arsyet e zvarritjeve të lëndëve, që ndikojnë edhe në parashkrimin e rasteve, janë numri i madh i lëndëve, mosplotësimi i vendeve të punës me staf profesional, moskoordinimi i duhur i institucioneve, arratisja e të pandehurve dhe ndryshimi i shpeshtë i adresave, e po ashtu edhe mosadministrimi i duhur i seancave.

Përmes raportit “Korrupsioni në prag të vjetërsimit”, IKD ka rekomanduar që me qëllim të mosparashkrimit të rasteve të korrupsionit, gjyqtarët të caktojnë disa seanca gjyqësore brenda një jave në mënyrë që rastet të gjykohen në mënyrë më të shpejtë, që gjyqtarët në rastet kur palët mungojnë pa arsyetim të zbatojnë masat ndëshkuese siç përcaktohen me nenet 306-309 të Kodit të Procedurës Penale, e po ashtu që Gjykata e Apelit të mos kthej në rigjykim me shumë se një herë rastet të korrupsionit.

Për më tepër, gjeni të bashkangjitur raportin e IKD-së: “Korrupsioni në prag të vjetërsimit”.