Prishtinë, 2 korrik 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) më 2 korrik 2021 ka mbajtur konferencë për media ku është prezantuar raporti “KURTI II – Pritje dhe rezultate utopike (Analizë e punës 100 ditore të Qeverisë së Kosovës)”.
Gjatë kësaj konference, IKD ka paraqitur gjetjet mbi punën 100 ditore të qeverisë, të cilat janë rezultat i monitorimit sistematik të qeverisë prej ditës kur është votuar, më 22 mars 2021.
Justina Frrokaj, hulumtuese në IKD, ka thënë se përderisa Qeveria Kurti II ka rritur kërkesën e publikut dhe pritshmërinë e qytetarëve për sundim të ligjit, qeverisje të mirë, qeverisje më duar të pastra, çkapje të shtetit dhe trajtim të barabartë para ligjit për të gjithë qytetarët e Kosovës, 100 ditëshi i parë i qeverisjes jo gjithherë ka reflektuar me këto vlera të proklamuara.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se Qeveria Kurti II për vitin 2021 ka paraparë miratimin e gjithsej 191 ligjeve, ndërsa deri më tani vetëm 1 ka arritur të miratohet në Kuvend.
“Ndër pikat e dobëta të Qeverisë Kurti II mbetet mungesa e planifikimit dhe caktimit të prioriteteve në pajtim me agjendën evropiane dhe procesin e integrimit evropian. Agjenda legjislative e cila ka përcaktuar miratimin e 191 ligjeve brenda vitit 2021 është një plan ambicioz i cili në praktikë është e pamundur të realizohet. Kur kanë kaluar gjashtë muaj të vitit 2021, nga 191 ligje të parapara për miratim gjatë vitit 2021 deri më tani në Kuvend është miratuar vetëm një ligj, ndërkaq një ka kaluar në shqyrtim të parë. Sipas planprogramit të qeverisë, deri më 30 qershor 2021 janë paraparë të miratohen në qeveri gjithsej 39 projektligje, ndërsa janë miratuar vetëm 20 prej tyre. Në anën tjetër, nëse analizojmë përmbajtjen e agjendës legjislative, atëherë del se nga 191 projektligje, vetëm 25 prej tyre janë nisma të reja ligjore”.
Shala ka shtuar se Qeveria nuk i ka kushtuar rëndësinë e mjaftueshme Strategjisë që buron nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit.
Sipas tij, Rishikimi Funksional kishte qenë një proces që kishte skanuar gjithë sistemin e sundimit të ligjit dhe kishte paraparë edhe veprime konkrete për secilën fushë, por se qeveria ka anashkaluar këtë duke u fokusuar në prioritete për të cilat nuk është zhvilluar analizë e këtij niveli.
Shala ka shtuar se Qeveria është ngutur me koncept dokumentin për pasurinë e pajustifikueshme derisa ka treguar vullnet për zhvillimin e procesit të vettingut.
Tutje, Shala ka thënë se përkundër kritikave të vazhdueshme që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kishte dhënë sa kishte qenë në opozitë, edhe gjatë qeverisjes së sajë janë evidentuar akterë qeveritarë të cilët kanë probleme me ligjin.
Yll Zekaj, hulumtues i lartë në IKD, ka elaboruar zbatimin nga qeveria të rekomandimeve që burojnë nga Raporti për Vendin i Komisionit Evropian.
Sipas tij, qeveria nuk ka zbatuar apo ka zbatuar pamjaftueshëm rekomandimet që ndërlidhen me profesionet e lira ligjore, miratimin e strategjisë që buron nga Rishikimi Funksional dhe fushën e pastrimit të parave, derisa ka planifikuar veprime konkrete në fushën e të drejtave të komuniteteve si dhe ka miratuar Rregulloren për Përcaktimin e Procedurës për Pranimin dhe Trajtimin e Rasteve të Sinjalizimit.
Tutje, Zekaj ka kritikuar qasjen e qeverisë në raport me mekanizmat e pavarur, siç janë Organi Shqyrtues i Prokurimit (OshP), Komisioni Rregullativ pë Prokurim Publik (KRrPP), Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil (KPMShC) dhe komisionet për provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbaruesve privat.
Sipas tij, mënyra se si ka vepruar Qeveria e Republikës së Kosovës në raport me këta mekanizma ka ndikuar në defunksionalizimin e tyre, ka cenuar sigurinë juridike në fushat dhe përgjegjësitë që mbulojnë këto mekanizma si dhe nuk ka respektuar Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
Zekaj po ashtu ka theksuar se IKD përmes tre (3) indikatorëve ka vlerësuar edhe nivelin e transparencës, i cili nivel nuk del të jetë i mjaftueshëm. Pamjaftueshmëria është e theksuar veçanërisht në dhënien e mundësisë së publikut për përfshirje në vendimmarrjen publike.
Krejt në fund, Zekaj ka folur edhe për dialogun, ku ka theksuar se: “Me marrjen e pushtetit, Kryeministri Kurti ka ndërmarrë disa hapa që shpien në perceptimin e ndërrimit të qasjes së tij në raport me dialogun. Gjatë kësaj kohe, Qeveria është munduar që të pajtojë dy qëndrime kontradiktore të saja karshi premtimeve elektorale dhe obligimeve shtetërore në raport me dialogun”.
Për më tepër, gjeni bashkangjitur raportin e IKD-së: “KURTI II – Pritje dhe rezultate utopike (Analizë e punës 100 ditore të Qeverisë së Kosovës)”.