Prishtinë, 23 janar 2024: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mbajtur trajnimin e radhës me studentët e Klinikës Ligjore me temën: “Hartimi dhe Aprovimi i Buxhetit të Kosovës – Aspekti Ligjor”. Trajnimi u udhëhoq nga trajneri Naim Jakaj, i cili shtjelloi bazën kushtetuese dhe ligjore të procesit të hartimit dhe miratimit të buxhetit, duke përshirë rolin e Qeverisë dhe Kuvendit, si dhe parimet e transparencës dhe llogaridhënies.
Ligjërata përshiu historikun e buxhetit të Kosovës para dhe pas shpalljes së pavarësisë, rolin e Ministrisë së Financave, organizatave buxhetore dhe mekanizmave mbikëqyrës. Studentët analizuan raste praktike dhe diskutuan sfidat kryesore si vonesat në miratim dhe garantimi i pavarësisë financiare të institucioneve.
Në ligjërimin e tij, trajneri Naim Jakaj theksoi rolin e Kuvendit të Kosovës në rishikimin, diskutimin dhe miratimin e buxhetit nga Qeveria, si pjesë e përgjegjësive kushtetuese. Ai shpjegoi funksionin e Komisionit për Buxhet dhe Financa në procesin e miratimit dhe garantimin e transparencës, si dhe të drejtën e Kuvendit për të refuzuar, ndryshuar ose miratuar buxhetin. Një pjesë të ligjërimit e mbajti edhe trajneri Melos Kolshi, i cili kontribuoi me raste konkrete dhe shpjegime mbi sfidat praktike në hartimin e amendamenteve buxhetore.
Në pjesën interaktive, studentët paraqitën argumente dhe zgjidhje për procesin e buxhetimit, duke ndjekur afatet dhe procedurat ligjore. Ata shfaqën interes të veçantë për mënyrën se si miratohen amendamentet buxhetore dhe rolin e Kuvendit në rishikimin e propozimeve të Qeverisë.
Aktiviteti është mbajtur në kuadër të Programit për Qeverisje të Mirë me mbështetje nga ana e Rockefeller Brothers Fund dhe zhvillohet në kuadër të programit të Klinikës Ligjore të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së që financohet nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).