Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) fton qytetarët e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës të marrin pjesë në sondazhin e kënaqshmërisë, duke plotësuar anketa të cilat gjenden në objektet e tri Gjykatave Themelore.
IKD ka nisur zbatimin e projektit “Sondazhi i kënaqshmërisë së përdoruesve të gjykatës-fuqizimi i kualitetit dhe efikasitetit të drejtësisë II”, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe Gjykatën Themelore në Pejë.
Qëllimi i këtij sondazhi është matja e kënaqshmërisë të shërbimeve të gjyqësorit, me synim kryesor në përmirësimin e kualitetit të drejtësisë në këto pilot gjykata. Ky sondazh zhvillohet bazuar në metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ).
Me qëllim të realizimit të këtij sondazhi, IKD në bashkëpunim me Gjykatën Themelore në Prishtinë, Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe Gjykatën Themelore në Pejë kanë vendosur pyetësorët dhe kutitë për përdoruesit e Gjykatave përkatëse në tri objektet e tyre. Përgjigjet në këta pyetësorë janë anonime.
Inkurajohen të gjithë qytetarët që ta plotësojnë anketën, me qëllim të identifikimit dhe përmirësimit të shërbimeve në gjykata.