Prishtina, 10 prill 2024 – Me organizimin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) dhe Koalicionit të Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, me përkrahje të National Endowment for Democracy (NED) dhe fondeve programatike të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, po mbahet “Konferenca rajonale për mbrojtjen e sinjalizuesve, reformën në drejtësi si katalizator për forcimin e sundimit të ligjit”, si dhe “Takimi vjetor i Koalicionit të Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve”.
Në hapje të kësaj konference, Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv, Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se përmes mekanizimit të sinjalizimit jo vetëm që luftohet korrupsioni, por edhe promovohet qeverisja më e mirë, duke kthyer besimin e qytetarëve në institucionet publike.
Arjan Dyrmishi, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG), tha se pavarësisht zhvillimeve pozitive në fushën e legjislacionit, krijimit të sistemeve për marrjen e hetimeve të sinjalizuesve, akoma mbetet shumë për t’u bërë. Korrupsioni vazhdon të mbetet një sfidë e madhe në shtete e Evropës Juglindore, në të cilat është më i lartë se në vendet e tjera të Evropës.
Ndërsa në fjalën e tij, Jarmo Helppikangas, nga Zyra e BE-së në Kosovë deklaroi se duhet të ketë trajtim adekuat për sinjalizuesit, duke theksuar se është me rëndësi të theksohet se ka rritje të sinjalizuesve në Kosovë.
Në anën tjetër, Nikola Naumovski, Këshilltar i lartë kundër Korrupsionit, Iniciativa Rajonale kundër Korrupsionit (RAI) tha se kur ka korrupsion, ka mungesë të sundimit të ligjit dhe për këtë shoqëritë e Ballkanit dhe Evropës Juglindore kanë trajtuar këtë luftë si prioritet edhe për integrimin në Bashkimin Evropian, dhe shtoi se mënyra e sinjalizimit apo denoncimit është një prej mënyrave më të mira dhe efikase të denoncimit të këtyre fakteve.
Në hapje të kësaj konference rajonale folëse kryesore ishte Gresa Caka Nimani, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila tha se sinjalizuesit përfaqësojnë guximin në një botë që shpesh preferon heshtjen para llogaridhënies. Sipas saj sinjalizuesit janë ndër mbrojtësit më të vendosur të demokracisë.
Me tej konferenca vazhdoi me mbajtjen e dy paneleve të diskutimit ku u trajtuan temat: Roli i trupave ndërkombëtarë dhe integrimit evropian – zbatimi i Direktivës së BE-së për Mbrojtjen e Sinjalizuesve dhe Ligjet për mbrojtjen e sinjalizuesve – zbrazëtirat, sfidat dhe praktikat më të mira.
Ndërsa dita e parë e kësaj konference do të përmbyllet me Dokumentari “Sinjalizuesit e Korrupsionit”, prodhuar nga “Betimi për Drejtësi”, që do të shfaqet në Universitetin e Prizrenit, “Ukshin Hoti”.
Ndryshe, kjo konferencë e cila ka filluar sot dhe do të vazhdojë edhe nesër, ka grumbulluar pjesëmarrës nga rajoni dhe më gjerë, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë, Kroacinë dhe vende të tjera.