Falja në Kosovë 2

Falja në Kosovë 2

Falja në Kosovë 2

Prishtinë, 16 janar 2014 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Falja në Kosovë 2”, i cili analizon rregullimin ligjor të institutit të faljes në Kosovë. Raporti synon të informojë hisedarët dhe opionionin e gjerë rreth iniciativës së fundit të Presidentes, znj. Atifete Jahjaga, për ndryshimin e Ligjit për Falje në Kosovë.

Falja në Kosovë paraqet një pushtet të jashtëzakonshëm ekzekutiv të Presidentit për t’i falur personat e dënuar për krime, duke i liruar plotësisht apo pjesërisht nga ekzekutimi i dënimit përfundimtar i gjykatës. Hyrja në fuqi e Ligjit për Faljen, i ka siguruar Presidentit që për herë të parë në vitin 2009 të shfrytëzoj të drejtën diskrecionale për të falur personat e dënuar nga gjykatat. Deri më tani, Presidentët i kanë falur pjesërisht dhe në tërësi rreth 250 vjet burgim për 246 persona të dënuar, ku vetëm 11 kanë qenë gra. Zbatimi i institutit të faljes kishte shqetësuar tej mase personat e dënuar të cilët kishin ngritur dilema rreth vlerësimeve objektive. Po ashtu, grupe tjera kishin ngritur shqetësimet e tyre rreth zbatimit të këtij instituti, përfshirë këtu Komisionin Evropian.

Në mesin e personave që kanë përfituar falje janë përfshirë personat e dënuar për vepra penale serioze duke përfshirë vrasje mizore, vrasje të rënda, krim të organizuar, vepra që ndërlidhen me narkotik, dhunim, si dhe përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës. Falja e personave të dënuar për këto vepra penale ka ngritur dilema në qoftë se kriteret mundësojnë vlerësim objektiv dhe në qoftë se kriteret e vendosura me ligj janë respektuar plotësisht nga Komisionet Ad Hoc dhe Presidentët. Madje në një rast, Presidenti kishte falur një të dënuar në kundërshtim me Ligjin për Falje. Rrjedhimisht, shumë kritika janë ngritur sa i përket zbatimit të faljes në Kosovë. Zbatimi i faljes në mënyrë arbitrare ka ndikuar edhe në degradimin e këtij instituti, qysh në fillet e zbatimit të tij. Situata e krijuar patjetër se kërkon një përgjigje dhe atë të menjëhershme për të harmonizuar dhe përmirësuar aktet normative që rregullojnë këtë fushë. Një nga sfidat e mëdha në këtë nismë do të jetë mungesa e standardeve universale që do të orientonin angazhimin e krijimit të modelit të përshtatshëm për Kosovën. Rrjedhimisht, bazë e punës në këtë nismë duhet të jetë konteksti i Kosovës dhe praktikat më të mira nga vendet e ndryshme.

Rëndësi e madhe duhet kushtuar punës së Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Deri më tani, SHKK ka marrë kritika të mëdha për raportet e saja sa i përket besueshmërisë, profesionalizmit, dhe objektivitetit. Pa raporte të tilla për të dënuarit, do të jetë e vështirë të ketë zbatim të drejtë dhe meritor të faljes. Raportet e ShKK-së kanë peshë të madhe në informimin e Presidentit për të marrë vendime. Sa i përket dispozitave ligjore që ndërlidhen me institutin e faljes, janë identifikuar disa çështje të cilat kërkojnë debat më të gjerë. Këto çështje janë të listuara në raportin e plotë “Falja në Kosovë 2”, ku janë analizuar në kontekstin e Kosovës, dhe janë bërë krahasime edhe me vende tjera. IKD në frymën e kontributit konstruktiv të shoqërisë civile ka ofruar më poshtë disa rekomandime për ndryshimin e Ligjit për Falje, me qëllim që Kosova të krijojë një ligj sa më të kompletuar, e cila mundëson zbatimin e drejtë dhe të ligjshëm të institutit të faljes në Kosovë: 

• Ligji nuk duhet të kufizoj në mënyrë kategorike faljen e personave të dënuar për vepra të caktuara penale

• Duhet të ndryshohet ligji ashtu që e drejta për falje t’u takojë edhe personave të dënuar të cilët më parë janë refuzuar nga Paneli për Lirim me Kusht

• Ligji duhet të plotësohet me kritere të reja, të cilat kryesisht gjenden në Dekretin për Kritere të vitit 2012

• Kriteret duhet të theksojnë se Dekreti i Presidentit duhet të vendos masa rënduese për veprat penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore të përcaktuara si të tilla me dokumente të ndryshme shtetërore. Veprat për të cilat duhet pasur kujdes të shtuar duhet specifikuar në akte tjera nënligjore

• Duhet themeluar mekanizma të përhershëm që do të angazhohen në grumbullimin e informatave, vlerësimin e vlefshmërisë së tyre, dhe informatave tjera relevante të nevojshme rreth personave të dënuar që kërkojnë falje

• Duhet vendosur kufizime kohore sa i përket çështjes së kërkesës për falje, varësisht nga kohëzgjatja e dënimit (p.sh. të dënuarit me më pak se tre vjet burgim kanë të drejtë të paraqesin kërkesën e radhës pas 6 muajve të vendimit të fundit, ata të cilët kanë dënim të përjetshëm paraqesin kërkesën e radhës tek pas 10 vitesh prej vendimit të fundit)

Presidentëve duhet ndaluar e drejta për falje katër muaj para dhe pas shpalljes së zgjedhjeve.