Pejë, 23 maj – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, dhe Syri i Vizionit kanë organizuar të premtën në Pejë tryezën “Drejtësia në zgjedhjet parlamentare 2014”, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat.
Moderatori i kësaj tryeze, z. Betim Musliu tha se qëllimi i kësaj tryeze është ngritja e debatit dhe senzibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet e 8 qershorit 2014. Ky rol proaktiv edhe sivjet është bërë me inciativë të Kryeprokurori të Shtetit, i cili ka aktivizuar institucionet e drejtësisë, në parandalimin dhe luftimin e veprave penale kundër të drejtave të votimit. Musliu tha se ky rol proaktiv ishte rekomandim i dal nga raporti i IKD-së i publikuar në vitin 2012 “Krimi i Organizuar në zgjedhje: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve”.
Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se institucionet e drejtësisë për zgjedhjet parlamentare 2014 janë përgatitur si asnjëherë më parë për të luajtur rol proaktiv, duke nënshkruar Memorandum të Bashkëpunimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit, Këshillit Gjyqësor, Policisë së Kosovës, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. “Si rezultat i këtij memorandumi, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë përpiluar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV), që sigurojnë efikasitetit për luftimin e të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit. Parimi kryesor që del nga PSV-të është ndalim/arrestimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit”.
Pula tha se dita e votimit me 8 qershor do të jetë ditë pune, pra prej mëngjesit deri me 9 qershor kur do të bëhet numërimi i fundit i votës, do të punojmë në dy ndërrime, do të jenë mbi 100 prokurorë dhe mbi 300 punonjës staf mbështetës i prokurorive, të cilët do të zbatojnë të gjitha urdhërat që vijnë në lidhje me shkeljet e mundshme.
Prokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, z. Haxhi Sinanaj, tha se prokurorët e kësaj prokurorie në mënyrë aktive do të ndërmarrin aktivitete dhe masa gjatë tërë procesit të zgjedhjeve në hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë atyre që bien ndesh me dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me veprat penale kundër të drejtës së votimit. Sinanaj tha se Prokuroria Themelore e Pejës ka caktuar nga prokurorët kujdestar të cilët do të mbulojnë të gjitha komunat që përfshihen në Rajonin e Pejës, ndërsa për qytetatin e Pejës ka më shumë prokurorë.
Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha, tha se policët përgjatë gjithë procesit zgjedhor do të jenë syqelë për t’iu përgjigjur të gjitha rasteve që ndërlidhen me zgjedhjet. “Bashkëpunimi me Prokurorin e Shtetit përmes PSV-ve vërtetë do të siguroj një efikasitet të shtuar të reagimeve të policëve dhe prokurorëve në të gjitha rastet që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit”.
Rexha tha se bazuar në përvojat e kaluara të zgjedhjeve, Policia e Kosovës ka bërë analizat e veta, sipas të cilave ka përgatitur edhe planet e veta të veprimit. “Kemi mësuar shumë nga përvojat e kaluara, poashtu edhe nga zgjedhjet e vitit të kaluar lokale, prandaj bashkë me prokurorët do t’i zbatojmë PSV-të në mënyrë të efektshme që askush të mos cenoj votën e lirë të qytetarëve. Ju inkurajoj që të lajmëroni çdo parregullësi në Policinë e Kosovës”.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Pejë, Elmaze Syka, tha se kjo gjykatë për zgjedhjet e vitit 2010 ka pasur në punë 35 lëndë, ndërsa prej tyre vetëm tri janë zgjidhur me aktgjykim të formës së prerë. “Por, 32 lëndët tjera nuk janë proceduar për shkak të paqartësive, shembull nuk është përcaktuar se cilave parti dhe sa vota u janë vjedhur, për këtë arsye të gjithë janë kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit. Sfida tjetër janë aktakuzat e ngritura drejtpërdrejtë, pa zhvilluar hetime dhe kjo na ka shkaktuar probleme serioze në vërtetimin e gjendjes faktike. Aktakuzat duhet të jenë të precizuara dhe të kompletuara dhe të mos jenë sikurse ato për vitin 2010. Përndryshe ne do t’i trajtojmë me prioritet lëndët e zgjedhjeve”.
Genc Nimoni nga IKD tha se ky institut përmes 40 monitoruesve të vet do të monitorojë zbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit “Lidhur me zgjedhjet parlamentare 2014”, për të parë, për aq sa ka mundësi, reagimet e institucioneve të drejtësisë në rastet që mund të paraqiten rreth veprave penale kundër të drejtave të votimit.
Sikurse në debatet e kaluara, përfaqësuesit e partive politike, kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth çështjeve që ndërlidhen me zgjedhjet, si lista e votuesve, lajmërimet e rrejshme, vjedhja e votave brenda kandidatëve të subjekteve politike, çështja e votimit të personave me nevoja të veçanta, votimi i qytetarëve të diasporës, çështja e sigurisë gjatë numërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve etj.
Ky aktivitet është pjesë e serisë së tryezave të diskutimit në qendrat kryesore të Kosovës, që zhvillohen në kuadër të projektit “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Tryezat e radhës do të mbahen në tri qendrat tjera si në Ferizaj Mitrovicë dhe Prishtinë.