Gjakovë, 22 maj – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, Syri i Vizionit dhe Iniciativa e Femrës Kosovare kanë organizuar të enjten në Gjakovë tryezën “Drejtësia në zgjedhjet parlamentare 2014”, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte ngritja e debatit dhe sensibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet parlamentare 2014. Për të rritur bashkëpunimin institucionet e drejtësisë kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi “Lidhur me zgjedhjet parlamentare 2014” ku përfshihen Prokurori i Shtetit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se si asnjëherë më parë këtë herë roli i Prokurorit të Shtetit është shumë proaktiv. “Edhe këtë sivjet me iniciativë të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi, pasi kemi nënshkruar memorandum të bashkëpunimit, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës kemi hartuar Procedura Standarde të Veprimit (PSV), kemi përgatitur planet operacionale dhe ju njoftoj se parim kryesor i PSV-ve është arrestimi dhe ndalimi i cilit do person që tenton të keqpërdor procesin e zgjedhjeve”. Pula tha se në ditën e votimit do të jenë kujdestar mbi 100 prokurorë dhe mbi 300 punonjës që janë staf mbështetës për të siguruar procesin e zgjedhjeve në rast se paraqitet nevoja për reagim të organeve të prokurorisë. “Institucionet e drejtësisë inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bëjnë denoncime për të gjitha shkeljet që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit në mënyrë që reagimi të jetë sa më i shpejtë”.
Koordinatorja Pula theksoi se bazuar në PSV-të të hartuara në përputhje me dispozitat ligjore, ndjekja dhe hetimi i keqpërdoruesve do të bëhet në të gjitha rastet, pra edhe në ato raste specifike, kur veprat penale kundër të drejtave të votimit, kryhen nga komisionerët dhe nuk lajmërohen. “Në këto raste ne së bashku me policinë do të shfrytëzojmë dispozitat ligjore për të verifikuar dhe ndalur të gjithë personat e inkriminuar”. Poashtu, ajo ka bërë të ditur se deklarimet publike të pabazuara në prova dhe dëshmi do të ndiqen zyrtarisht për deklarim të rrejshëm. “Këtë herë nuk do të lejojmë që askush ta bombardojë opinionin me deklarata, të cilat nuk kanë bazë por bëhen për qëllime të caktuara, prandaj ata persona do të ndiqen për deklarim të rrejshëm”.
Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, znj. Shpresa Bakija, tha se janë caktuar prokurorët kujdestar që do të bashkëpunojnë me hetuesinë dhe policinë në Gjakovë, Malishevë dhe Rahovec. “Sikurse herën e kaluar Ju njoftoj se do të veprojmë pa pardon ndaj të gjithëve që tentojnë të keqpërdorin votën e qytetarëve. Jemi të përgatitur maksimalisht, prandaj qytetarët duhet të votojnë lirshëm sepse gardianët e votës jemi ne, institucionet e drejtësisë”.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha, tha se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të drejtësisë ka shtuar rolin proaktiv në parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale kundër të drejtave të votimit. “Ne bashkë me prokurorët jemi duke i zbatuar PSV-të… Policia e Kosovës ka përgatitur planet e veta të veprimit dhe bashkërisht do të funksionojë gjithçka për të kaluar një proces të rregullt të zgjedhjeve që i plotëson standardet”.
Gjykatësi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, z. Gëzim Pozhegu, tha se si në të gjitha qendrat e Kosovës edhe në Gjakovë është caktuar gjykatësi kujdestar, i cili do të jetë i gatshëm për t’iu përgjigjur të gjitha rasteve që paraqiten në gjykatë. Ai the se gjyqësori po i trajton me prioritet lëndët e zgjedhjeve sipas politikës së vendosur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Pozhegu ka theksuar se Kodi Penal me Kapitullin e kushtuar veprave penale kundër të drejtave të votimit ka ashpërsuar dënimet.
Xhemail Peçani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se KQZ ka hartuar një plan operacional dhe ka bërë të gjitha përgatitjet për të pasur një proces të rregullt të zgjedhjeve. “Deri tash KQZ ka emëruar stafin permanent dhe jo permanent, ka mbajtur trajnime, ka instaluar uebfaqen kërkuese, për të bërë të ditur secilin votues se ku do të votojë. KQZ është duke vazhduar me të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe është e gatshme për këto zgjedhje”.
Mulë Desku nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, tha se PZAP ka kapacitetet e nevojshme për t’iu përgjigjur të gjitha ankesave. “Si votuesit ashtu dhe subjektet politike kane të drejte te parashtrojnë ankesa, dhe ne ju sigurojmë qe PZAP është organ i pavarur dhe i paanshëm dhe te gjitha ankesat do te trajtohen me profesionalizëm, ne baze te ligjit”.
Genc Nimoni nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se IKD do të ketë monitorues në teren të cilët do të merren me reagimet e institucioneve të drejtësisë. “Instituti i Kosovës për Drejtësi do të ketë 40 monitorues të cilët do të jenë mobil në të gjitha qendrat e Kosovës. Monitoruesit e IKD-së do të bëjnë monitorimin e aktiviteteve të policisë dhe Prokurorisë ditën e zgjedhjeve”.
Përfaqësuesit e partive politike, pjesa dërrmuese kandidatë për kryetarë, kanë përgëzuar iniciativën dhe njëherësh kanë ngritur shqetësimet .të cilat kishin të bënin me: pastrimin e listave zgjedhore, numrin e madh të fletëvotimeve të pavlefshme nga zgjedhjet e kaluara, duke theksuar se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së informimit të duhur nga KQZ, ankesat në reagimet e policisë dhe prokurorisë nga zgjedhjet e kaluara dhe çështje të tjera.
Ky aktivitet është pjesë e serisë së tryezave të diskutimit në qendrat kryesore të Kosovës, që zhvillohen në kuadër të projektit “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Tryezat e radhës do të mbahen në katër qendrat tjera si në Pejë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Prishtinë.