Me 11 gusht të vitit 2021, Qeveria e Kosovës e miratoi Strategjinë për Sundimin e Ligjit 2021-2026. Pjesë e rëndësishme e këtij vendimi është edhe Plani i Veprimit për zbatimin e kësaj strategjie për vitet 2021-2023, zbatimin e së cilit do ta monitorojë dhe do ta koordinojë në mënyrë të vazhdueshme Ministria e Drejtësisë së bashku me institucionet e tjera kompetente, të cilat bashkërisht do ta përbëjnë Komitetin Drejtues dhe Organin Koordinues ndërinstitucional.
Plani i Veprimit për Strategjinë për Sundimin e Ligjit i ka katër objektiva strategjike: 1) fuqizimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial; 2) fuqizimi i drejtësisë penale; 3) fuqizimi i qasjes në drejtësi; dhe 4) fuqizimi i luftës anti-korrupsion.
Objektivat janë ndarë në pesëmbëdhjetë (15) objektiva tjera specifike në të cilat është bazuar Plani i Veprimit e i cili është i ndarë në pesëmbëdhjetë kapituj të tjerë. Sipas këtij plani, i cili duhet të implementohet përgjatë vitit 2021-2023, janë ndarë 466 aktivitete të planifikuara për pesëmbëdhjetë (15) institucionet zbatuese.
Komiteti Drejtues i Strategjisë e prezantoi dy raporte, atë për gjashtëmujorin e parë për vitin 2022 dhe raportin vjeetor për vitin 2022.
Sipas raportit për gjashtëmujorin e parë për vitin 2022, rezulton se 26 % e aktivitete zbatuar plotësisht, 20% e aktivitete pjesërisht ose janë në zbatim e sipër dhe 54% e aktiviteteve nuk janë zbatuar dhe nuk ka asnjë zhvillim lidhur me to.
Raporti një vjeçar tregon se plani i veprimit nuk e ka kaluar as gjysmën e aktiviteteve të zbatuara. Vetëm 43 % e aktiviteteve janë zbatuar plotësisht, 45% e aktiviteteve pjesërisht ose janë në zbatim e sipër dhe 12% e aktiviteteve nuk janë zbatuar dhe nuk ka asnjë zhvillim lidhur me to.
Numrin më të madh të aktiviteteve të zbatuara në raport me planifikimet e mban Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (62%), Këshilli Prokurorial i Kosovës (57%), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (51%), Shërbimi Korrektues i Kosovës (50%), Akademia e Drejtësisë (44%), Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës (43%).
Numrin më të vogël të aktiviteteve të zbatuara në raport me planifikimet e mban Oda e Avokatëve të Kosovës me asnjë aktivitet nga 10 të planifikuara, Institucioni i Avokatit të Popullit me 0% të aktivitete të realizuara, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit me 28%, Kuvendi i Kosovës me 20%, Shërbimi Sprovues i Kosovës me 20%.
Sa i përket aktiviteteve që nuk kanë filluar së zbatuari dhe që janë planifikuar për t’u zbatuar në vitin 2022, prin Institucioni i Avokatit të Popullit me 100%, Kuvendi i Kosovës, Ministria e Tregtisë dhe Odat Ekonomike, Universiteti i Prishtinës, Oda e Avokatëve të Kosovës me 50% të aktiviteteve.
Objektivi katër, fuqizimi i luftës anti-korrupsion është objektivi me më së shumti aktivitete të realizuara plotësisht dhe me numrin më të vogël të aktiviteteve të pazbatuara në raport me tre objektivat e tjera. Gjashtëdhjetë (60%) e aktivitete janë zbatuar në kuadër të këtij objektivi, ndërsa kanë mbetur për t’u zbatuar plotësisht edhe 1.61% e aktiviteteve.
Objektivi 1 Objektivi 2 Objektivi 3 Objektivi 4
forcimi i sistemit forcimi i drejtësisë forcimi i qasjes në forcimi i luftës
gjyqësor dhe prokurorial penale drejtësi antikorrupsion
50.97% 32.05% 34.02% 59.68%