Prishtinë, 28 qershor 2018 – Organizatat CLARD dhe Qendra për Ndihmë Juridike e Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ – IKD), të premten kanë mbajtur konferencë për media, në të cilën kanë prezantuar rastin e znj. Afërdita Statovci, e cila ka 13 vjet që kërkon të drejtën e trashëgimisë.
Në këtë rast, CLARD dhe QNJ IKD kanë bashkuar forcat dhe në kuadër të fushëveprimtarisë së tyre do të ofrojnë përfaqësimin të këtij rasti, duke ofruar mbrojtje juridike falas. Në këtë drejtim, CLARD për më shumë se dhjetë vite ka ofruar ndihmë juridike në përfaqësimin e znj. Afërdita Statovci për realizimin e të drejtës së saj në trashëgimi, por së fundi ky rast është kthyer për herë të dytë në rigjykim, duke kthyer gjithçka prej zeros.
Prej vitit 2006, paditësja Statovci ka filluar procedurën trashëgimore me qëllim të njohjes së të drejtës ligjore, respektivisht të ½ së pronës të cilën babai dhe axha i saj e kishin blerë në vitin 1975. Ajo në pajtim me ligjin mbi Procedurën Kontestimore dhe Ligjin mbi Trashëgiminë, kishte ushtruar padi ndaj shitësit dhe axhës për bartjen e patundshmërisë.
“Në moshën 10-vjeçare më ka vdekur babai, pas vdekjes së babait, mu axha më ka dëbuar me dhunë prej shtëpisë. Në vitin 2006 unë kam bërë padi për trashëgimi dhe ka kaluar 13 vjet që unë ballafaqohem me këtë padrejtësi. Për mua ka qenë shumë e vështirë me u ballafaqu me këto sfida, sepse kam pasur shumë sfida të mëdha, ka qenë shumë e vështirë. Sepse për momentin jetoj në kushte shumë të vështira, dhe procedurat gjyqësore më kanë kushtuar shumë, dhe jam në gjendje shumë të rëndë ekonomike, sepse jetoj jashtë shtëpisë time, jam pa të ardhura”, tha Afërdita Statovci, në paraqitjen e saj në konferencë për media së bashku me përfaqësuesit e dy organizatave CLARD dhe QNJ IKD.
Për 13 vite rreshtë, në kërkim të së drejtës së trashëgimisë, znj. Afërdita Statovci ka përjetuar ping pongun e shkallëve të gjyqësorit, të cilat dy (2) herë kanë kthyer lëndën e saj në rigjykim. Zvarritjet në trajtimin e kësaj lënde, janë të natyrave të ndryshme, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejtë në shkeljen e të drejtave elementare të palës paditëse, duke shkelur parimet kushtetuese dhe ligjore si dhe praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat janë të zbatueshme në Republikën e Kosovës.
CLARD dhe QNJ – IKD kanë bashkuar forcat në adresimin e mëtejme të çështjes së shkeljes së të drejtave të paditëses znj. Afërdita Statovci. Këto organizata do të vazhdojnë të përfaqësojnë rastin e znj. Statovci, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, përfshi ngritjen e rastit në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës
Z. Anton Nrecaj nga CLARD tha se prej fillimit të procesit gjyqësor, vazhdimisht është përcjellë me shkelje të vazhdueshme dhe nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë, të paanshme, profesionale dhe në kohë të arsyeshme. Nrecaj tha se gjykatësit me këtë lëndë kanë luajtur “ping pong” deri më tash, duke ndërruar 16 gjykatës për 13 vite dhe duke e kthyer dy herë në rigjykim
Z. Yll Zekaj Koordinator i Qendrës për Ndihmë Juridike Falas të Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha se në rastin e znj. Afërdita Statovci përmes lojës së ping-pongut, janë shkelur të drejtat e saj dhe parimet kushtetuese. “Për ne si IKD dhe si Qendër për Ndihmë Juridike, ky është rast strategjik, për arsye se në Kosovë ka shumë Afërdita të tjera dhe kjo është vetëm një rast që i përfaqëson rastet e ngjajshme. Ku një rast i trashëgimisë vazhdon për mbi 13 vite dhe në fund kthehet në pikën zero. Kemi shkelje jo vetëm të dispozitave ligjore por edhe të parimeve kushtetuese… Kemi 13 vjet që luhet pingpong në shkallë të gjyqësorit, dy rishqyrtime meritore nga Gjykata e Apelit, duke përfshirë edhe një rishqyrtim procedural që kemi heqjen e klauzolës nga lënda që një herë ka qenë e plotëfuqishme”..
Nrecaj dhe Zekaj thanë gjykata nuk ka përfillur rekomandimet e Avokatit të Popullit, që lëndët e tilla të mos marrin numër të ri dhe të nisin nga zero, por të konsiderohen lëndë të vjetra prej momentit kur janë paraqitur, sepse në të kundërtën zvarritjet dekadëshe sikurse në këtë rast, do të dekurajojnë gratë e tjera që të kërkojnë të drejtën e trashëgimisë së pronës.
Afërdita Statovci tha se ka marrë vazhdimisht kërcënime nga familjarët e saj për shkak të drejtës së trashëgimisë që ajo e kërkon, për të cilën ka sensibilizuar publikun për zvarritjet në lëndën e saj. Mënyra se si e kanë trajtuar gjykata rastin e saj, ajo tha se nuk i jep shumë shpresë se do të ketë zgjidhje të rastit në kohë të arsyeshme dhe në mënyrë meritore.
Drejtuesit e CLARD-it dhe QNJ IKD-së u zotuan se do ta përfaqësojnë këtë rast deri në fund, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, përfshi përgatitjen e rastit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, me pretendimin se janë shkelur të drejtat elementare të znj. Statovci.
Për më tepër, gjeni të bashkangjitur raportin e përgatitur nga CLARD dhe QNJ IKD rreth historikut të rastit të znj. Afërdita Statovci.