Prishtinë, 06 korrik 2026 – “Betimi për Drejtësi” reagon ndaj deklarimeve të pasakta të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), të paraqitura në të ashtuquajturin “demant” lidhur me raportimin për vonesën në shpalljen e rezultateve të provimit nga Kodi i Etikës Profesionale të avokatëve. Në vend që të adresojë çështjet e ngritura, OAK-ja ka zgjedhur të relativizojë përgjegjësinë e saj për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies në një proces që prek drejtpërdrejt ushtrimin e profesionit të avokatit dhe, rrjedhimisht, funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë.
Për informimin e opinionit publik, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se provimi nga Kodi i Etikës Profesionale është mbajtur më 30 prill 2026, ndërsa rezultatet nuk ishin publikuar as pas më shumë se dy muajsh. Raportimi është mbështetur në rregulloren që gjendej në faqen zyrtare të OAK-së, sipas së cilës kandidatët duhej të njoftoheshin për rezultatet brenda shtatë ditëve të punës.
Para publikimit të lajmit, redaksia ka ndërmarrë të gjithë hapat profesionalë për verifikimin e informacionit. Më 12 qershor 2026, OAK-së i është dërguar kërkesë zyrtare për informata, në të cilën është cituar dispozita e rregullores së publikuar në faqen e saj zyrtare. Për shkak të mungesës së përgjigjes, më 24 qershor 2026 është dërguar rikujtimi i parë, ndërsa më 3 korrik 2026 është kërkuar sërish përgjigje. As Kryetari i OAK-së, Besnik Berisha, e as administrata e OAK-së nuk iu përgjigjën këtyre kërkesave. Ndërsa OAK-ja asnjëherë nuk e publikoi rregulloren që tani pretendon se është në fuqi dhe nuk dha asnjë sqarim lidhur me ndryshimin e pretenduar të rregullativës. Vetëm pas publikimit të lajmit, OAK-ja reagoi përmes një “demanti”, duke tentuar ta zhvendosë përgjegjësinë te media, në vend se të japë shpjegime për mungesën e transparencës së saj.
Në këto rrethana, OAK-ja nuk mund t’i ikë përgjegjësisë dhe llogaridhënies duke shpërndarë përgjegjësinë tek mediat për dështimet e tyre. Kur një medium kërkon sqarime para publikimit dhe institucioni nuk jep informacion të plotë, të qartë dhe në kohë, përgjegjësia për mungesën e sqarimit nuk mund t’i bartet më pas medias. Nëse OAK-ja konsideronte se redaksia po mbështetej në një rregullore të shfuqizuar, ajo kishte kohë të mjaftueshme për ta sqaruar këtë para publikimit të lajmit dhe për t’ia dërguar redaksisë aktin që pretendon se është në fuqi. Heshtja institucionale nuk mund të shndërrohet më pas në akuzë për pasaktësi, aq më tepër kur rregullorja së cilës i referohet OAK-ja vazhdon të mos jetë e publikuar.
Problemi themelor që mbetet pa përgjigje është pikërisht mungesa e publikimit të kësaj rregullore. OAK-ja pretendon se më 15 prill 2025 ka miratuar një rregullore të re, sipas së cilës rezultatet shpallen “brenda një afati të arsyeshëm kohor”, megjithatë kjo rregullore nuk ishte e publikuar kur u përgatit raportimi dhe nuk është publikuar as pas reagimit të OAK-së. Përkundrazi, në faqen zyrtare vazhdon të jetë e publikuar vetëm rregullorja paraprake.
Një institucion nuk mund të mbështetet në një akt të papublikuar për të kundërshtuar raportimin e medias ose për të imponuar detyrime ndaj kandidatëve. Publikimi i akteve normative është kusht elementar i sigurisë juridike, transparencës dhe parashikueshmërisë së veprimit institucional. Një akt i papublikuar nuk mund të përdoret si standard kundër publikut, kandidatëve apo mediave. Mungesa e publikimit të rregullores së re përveç se prek afatin për shpalljen e rezultateve, ajo ka lënë në terr informativ kandidatët edhe për çështjet e tjera kryesore, ndër të cilat nuk kanë mundësi të dinë, nga një burim zyrtar dhe publik, se cilat janë rregullat sipas të cilave zhvillohet provimi, mënyrën e vlerësimit, kriteret e kalimit, kompetencat e komisionit, procedurën e rishikimit të testit, mundësinë e kundërshtimit, afatet e ankesës apo garancitë kundër konfliktit të interesit dhe trajtimit të pabarabartë. Po kështu, as publiku nuk mund të dijë mbi bazën e cilave rregulla zhvillohet një proces që përcakton përmbushjen e njërit prej kushteve ligjore për regjistrimin dhe ushtrimin e profesionit të avokatit. Një situatë e tillë nuk ndodh, ose së paku nuk duhet të ndodhë, në asnjë institucion të sistemit të drejtësisë, pjesë e të cilit është edhe OAK-ja.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës e vendos avokatinë në Kapitullin VII, që rregullon sistemin e drejtësisë, ndërsa neni 111 garanton pavarësinë e saj dhe parashikon që fitimi dhe humbja e së drejtës për ushtrimin e profesionit të rregullohen me ligj. Edhe më qartë, neni 41 i Ligjit për Avokatinë e përcakton OAK-në si organizatë profesionale të pavarur me cilësi të personit juridik, kompetente për ushtrimin e autorizimeve publike dhe kryerjen e punëve me interes të përgjithshëm. Ligji i jep OAK-së kompetencën të vendosë për fitimin dhe pushimin e së drejtës për ushtrimin e avokatisë, të nxjerrë akte të përgjithshme dhe të vendosë për përgjegjësinë disiplinore. Për këto arsye, OAK-ja nuk mund të trajtohet si një subjekt privat që vepron sipas rregullave të njohura vetëm nga drejtuesit e saj. Pavarësia institucionale nuk nënkupton papërgjegjshmëri dhe as përjashtim nga detyrimi për transparencë, përkundrazi, ushtrimi i autorizimeve publike kërkon llogaridhënie publike.
Edhe Komisioni i Venecias, përmes “Rule of Law Checklist”, thekson se subjektet joshtetërore që ushtrojnë funksione publike dhe marrin vendime me efekte të ngjashme me autoritetet publike duhet t’u nënshtrohen kërkesave të sundimit të ligjit dhe një niveli të krahasueshëm të llogaridhënies. Në kuadër të sigurisë juridike, Komisioni kërkon që aktet të publikohen para hyrjes në fuqi, të jenë lehtësisht të qasshme dhe t’u mundësojnë qytetarëve të parashikojnë pasojat juridike të tyre.
Operimi mbi bazën e një rregullore të papublikuar bie ndesh drejtpërdrejt me këto standarde. Një rregull që nuk është publikuar nuk mund të konsiderohet transparent dhe i parashikueshëm për personat ndaj të cilëve zbatohet.
Në anën tjetër, rregullorja në fjalë nuk i është nënshtruar fare procesit të konsultimeve publike. Kjo përbën problem serioz, sidomos kur bëhet fjalë për një akt që rregullon kushtet dhe procedurat për hyrjen në profesionin e avokatit. Edhe pse OAK është organizatë profesionale, ajo ushtron funksione publike brenda sistemit të drejtësisë dhe, për këtë arsye, nuk mund të hartojë dhe zbatojë rregulla të tilla në mënyrë të mbyllur dhe pa transparencë. Në këtë drejtim, praktika e institucioneve të tjera të pavarura kushtetuese është krejtësisht ndryshe, ku Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, pavarësisht pavarësisë së tyre institucionale, publikojnë dhe kanë ndërtuar praktikë të konsultimit publik të legjislacionit sekondar të tyre. Ndërkaq, OAK-ja jo vetëm që nuk e ka konsultuar publikun për rregulloren e re, por as nuk e ka publikuar atë, nuk ia ka vënë në dispozicion redaksisë edhe pas tri kërkesave zyrtare dhe tani tenton ta përdorë si argument për të kundërshtuar raportimin kritik.
Në këtë linjë, po aq i paqëndrueshëm është edhe arsyetimi i OAK-së se rezultatet shpallen “brenda një afati të arsyeshëm”. Një pritje prej më shumë se dy muajsh nuk bëhet e arsyeshme vetëm pse kandidatët janë njoftuar se rezultatet do të vonohen. Njoftimi për vonesën nuk përbën arsyetim të saj dhe nuk e zëvendëson detyrimin për ta përmbyllur procesin brenda një kohe objektivisht të pranueshme.
Në këtë kontekst, OAK-ja nuk mund ta paraqesë provimin nga Kodi i Etikës Profesionale si një proces më kompleks se Provimi i Jurisprudencës apo procedurat profesionale për gjyqtarë dhe prokurorë. Provimi i Jurisprudencës është materialisht shumë më i gjerë dhe zhvillohet në disa faza, megjithatë rezultatet publikohen në afate dukshëm më të shkurtra. Për shembull, për provimin me shkrim të mbajtur më 13 dhe 14 qershor 2026, Ministria e Drejtësisë i publikoi rezultatet më 29 qershor 2026. Në këto rrethana, pritja për më shumë se dy muaj për vlerësimin e 109 testeve të etikës nuk dëshmon rigorozitet apo cilësi më të lartë të procesit, përkundrazi ajo dëshmon ose paaftësi organizative, ose mungesë të vullnetit për ta përfunduar procesin brenda një kohe të arsyeshme.
Njëkohësisht nuk qëndron as pretendimi tjetër i OAK-së se provimi nga Kodi i Etikës Profesionale “nuk prodhon pasoja juridike jashtë procedurës së regjistrimit në Odën e Avokatëve të Kosovës”. Për kandidatët, regjistrimi në OAK është kusht i domosdoshëm për ushtrimin e profesionit të avokatit. Për rrjedhojë, mënyra e administrimit të këtij provimi ndikon drejtpërdrejt në ushtrimin e një të drejte profesionale dhe nuk mund të reduktohet në një procedurë të brendshme administrative pa interes publik.
“Betimi për Drejtësi”, në kuadër të punës së Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka pranuar ankesa të shumta nga kandidatë lidhur me mënyrën e administrimit të provimit nga Kodi i Etikës Profesionale dhe funksionimin e OAK-së në këtë proces. Pikërisht për shkak të rolit që OAK-ja ushtron në sistemin e drejtësisë, këto shqetësime paraqesin interes të lartë publik dhe nuk mund të shmangen me arsyetimin se bëhet fjalë për “procedura të brendshme”.
Një proces që zhvillohet mbi bazën e rregullave të papublikuara, me afate të pacaktuara, pa komunikim transparent dhe me rezultate që vonohen për muaj të tërë, krijon terren për dyshime mbi ndërhyrje, favorizime apo keqpërdorime. Kjo nuk nënkupton se një keqpërdorim i tillë është provuar, por mungesa e transparencës krijon vetë kushtet që dyshime të tilla të lindin dhe të cenojnë besimin e publikut në integritetin e procesit.
Përtej kësaj çështje konkrete, IKD ka analizuar edhe akte të tjera normative të miratuara nga OAK-ja, ku janë identifikuar shqetësime serioze lidhur me ligjshmërinë, sigurinë juridike dhe respektimin e standardeve të sundimit të ligjit. Për këtë arsye, IKD do të shqyrtojë të gjitha mjetet juridike në dispozicion ndaj akteve nënligjore që vlerësohen se janë miratuar në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe parimet themelore të sundimit të ligjit. Për secilin rast të evidentuar do të ndërmerren veprimet juridike të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
IKD ka monitoruar ndër vite punën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke kërkuar vazhdimisht që institucionet e pavarura të ushtrojnë kompetencat e tyre në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe standardet e transparencës. Të njëjtat standarde duhet të zbatohen edhe ndaj Odës së Avokatëve të Kosovës, si institucion që ushtron autorizime publike dhe është pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, “Betimi për Drejtësi” i kërkon Odës së Avokatëve të Kosovës që, pa vonesë, të publikojë rregulloren që pretendon se është në fuqi, vendimin për miratimin e saj, përbërjen dhe mandatin e komisionit vlerësues, si dhe vendimin apo arsyetimin mbi shtyrjen e publikimit të rezultateve të provimit.
Transparenca nuk arrihet me deklarata të publikuara pasi institucioni ka heshtur për javë të tëra dhe as duke u mbështetur në rregulla që nuk janë bërë publike. Ajo ndërtohet përmes publikimit të akteve, komunikimit në kohë me publikun, respektimit të sigurisë juridike dhe pranimit të llogaridhënies që buron nga ushtrimi i autorizimeve publike.
