Prishtinë, 16 prill 2021 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), përmes një sqarimi ka reaguar të enjten ndaj emisionit “Betimi për Drejtësi”, të transmetuar me 10 prill 2021, me temën “Ligjshmëria e përfitimeve të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial”, ku ishin publikuar të hyrat vjetore dhe shtesat që anëtarët e KPK-së i kanë pranuar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik (LPKIUFP).
Sipas KPK-së, në këtë emision janë ngritur çështje të cilat në aspektin juridik janë të pabazuara dhe nuk e paraqesin të vërtetën mbi gjendjen faktike. Në këtë reagim, KPK ka listuar ligjet dhe aktet nënligjore që përcaktojnë të drejtën e anëtarëve të KPK-së për të pranuar kompensime dhe shtesa tjera.
Sa i përket Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, reagimi i KPK-së thotë se ky ligj nuk ka shfuqizuar ligjet e tjera dhe mundohen të arsyetojnë pranimin e beneficioneve financiare duke u thirru në kolizioni të ligjeve, pasi që sipas tyre, ky Ligj në asnjë dispozitë të tij nuk ka shfuqizuar dispozitat e ligjeve dhe rregulloreve që parashohin kompensimin dhe shtesat për anëtarët e KPK-së dhe Prokurorët e Shtetit për aktivitetet e tyre që i realizojnë brenda dhe jashtë sistemit prokurorial.
Emisioni “Betimi për Drejtësi” shpreh shqetësimin me nivelin profesional të Këshillit Prokurorial të Kosovës, lidhur me mënyrën dhe qasjen që të njëjtit kanë lidhur me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit është ligj special i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me qëllim të forcimit të integritetit të sektorit publik dhe garantimit të kryerjes së detyrave publike në mënyrë objektive, të paanshme dhe transparente në shërbim të interesit publik nëpërmjet identifikimit, parandalimit, menaxhimit dhe zgjidhjes së konfliktit të interesave të zyrtarëve.
Me këtë rast, LPKIUFP është i zbatueshëm ndaj të gjitha institucioneve dhe është ligj special sa i përket parandalimit të konfliktit të interesit, ku përfshihen edhe gjykatësit, prokurorët, anëtarët e KPK-së, KGJK-së, etj. Është për keqardhje që KPK deklaron publikisht se nuk i kupton bazat e funksionimit të rendit juridik në Kosovë dhe hierarkinë e normave juridike. Në këtë mënyrë, nuk mund të pritet nga të njëjtit që të zbatojnë dhe përmbushin obligimet ligjore.
Një mungesë e tillë e profesionalizmit me apo pa qëllim të caktuar, e dëshmon para publikut pse një ligj i tillë nuk zbatohet në praktikë, duke iu mundësuar një numri të madh të zyrtarëve të lartë publik të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, miliona euro brenda vitit.
Për këtë arsye, përballë ligjeve të cilat i referohen funksionimit të institucioneve, LPKIUFP përcakton ndalesat për zyrtarët publike vetëm në çështje që ndërlidhen me parandalimin e konfliktit të interesit. Për këtë arsye, LPKIUFP konsiderohet si ligj special në këtë fushë, i cili ligj special e shfuqizon ligjin e përgjithshëm, në rastin konkret Ligjin për KPK dhe Ligjin për PSh.
Për më tepër, në opinionin ligjor që Ministria e Drejtësisë i ka dërguar Agjencisë Kundër Korrupsion, thuhet se për Ministrinë e Drejtësisë, si sponzorizuese e LPKIUFP, qëllimi i nenit 13 të këtij ligji është që zyrtarit të lartë t’i ndalohet shpërblimi me pagesë dhe në anën tjetër mundëson vetëm kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të ndërlidhura me udhëtimin.
Sa i përket kolizionit të ligjeve, KPK në reagimin e saj ka thënë se ligjet që lejojnë dhe ligjet që ndalojnë shtesat nuk janë në përputhje, përkatësisht janë në kolizion njëra me tjetër. Por, në këtë reagim, KPK nuk ka sqaruar se pse përballë këtij kolizioni kanë vendosur të aplikojnë ligjet që lejojnë shtesat dhe jo ligjin që ndalojnë shtesat, veçanërisht kur kihet parasysh standardi i pagave të prokurorëve kosovar.
Përkundër se ligji është shumë i qartë dhe është i zbatueshëm, edhe sikur të ekzistonte një kolezion i kësaj natyre, prokurorët duhet të përqonin shembull tek institucionet e tjera për të zbatuar ligjin në materien e tij dhe jo të kërkohen interpretime të ngushta për t’ia humbur kuptimin ligjit, dhe për të përfituar kundërligjshëm shuma marramendëse për realitetin ekonomik në Kosovë.
Për këto arsye, IKD i rekomandon KPK-së që ashtu siç zotohet vazhdimisht, se do ta respektojë ligjin, në përputhje me obligimet ligjore të ndalojë “supermenët” brenda sistemit të drejtësisë, të cilët brenda një viti kanë pasur të ardhura deri në mbi 54.000 euro.
Emisioni “Betimi për Drejtësi” është i qasshëm në këtë link: https://www.youtube.com/watch?v=qP3a8qy0qSU
Raporti i IKD-së “Konflikti i interesit në avancime dhe përfitime në Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial” është i qasshëm në këtë link – http://kli-ks.org/konflikti-i-interesit-ne-avancime-dhe-perfitime-ne-keshillin-gjyqesor-dhe-prokurorial/