Ambasadorja Holandeze, znj. Karin Boven ka vizituar IKD-në

Ambasadorja Holandeze, znj. Karin Boven ka vizituar IKD-në

Ambasadorja Holandeze, znj. Karin Boven ka vizituar IKD-në

Prishtinë, 3 tetor 2024 – Ambasadorja e Holandës në Prishtinë, znj. Karin Boven, së bashku me znj. Burbuqe Brahimi, Zyrtare e Lartë për Çështje Politike në Ambasadën Holandeze, të enjten, kanë vizituar drejtuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi në ambientet e punës. Gjatë kësaj vizite, ambasadorja Boven është informuar për punën e organizatës, aktivitetet dhe ndikimin e projekteve në kuadër të tetë programeve të IKD-së. Ehat Miftaraj, Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, ka informuar ambasadoren Boven për realizimin e projekteve me ndikim në fushën e sundimit të ligjit, për kontributin konkret të IKD-së në ofrimin e ekspertizës ligjore në hartimin e politikave dhe ligjeve në fushën e drejtësisë, në rezultatet konkrete të arritura në llogaridhënien e zyrtarëve publikë si dhe bartësve të funksioneve gjyqësore e prokuroriale, ndikimin e hulumtimeve gazetareske si dhe ndikimet e tjera në kuadër të programeve të organizatës. Në kuadër të projekteve që zbaton IKD, është projekti “Fuqizimi i pozitës së komunitetit LGBTIQ+ dhe gazetarëve në Kosovë”, i cili mbështetet nga Ambasada Holandeze. Përmes këtij projekti, IKD ka mbeshtetur me ndihmë juridike falas gazetarët, mediumet si dhe 80 persona të tjerë që bëjnë pjesë në grupe të margjinalizuara. Lidhur me të drejtat e personave LGBTIQ+ dhe gazetarëve, përmes këtij projekti, janë realizuar dhe publikuar video promovuese, podcaste si dhe emisione televizive si dhe shumë aktivitete të tjera.

Ambasadorja e Holandës, znj. Boven, ka përgëzuar ekipin e IKD-së për punën e organizatës dhe ndikimin e dëshmuar. Ajo ka thënë se Ambasada Holandeze, do të vazhdojë të mbështes realizimin e projektit të IKD-së për të arritur rezultatet e synuara për të fuqizuar pozitën e komunitetit LGBTIQ+ dhe gazetarëve në Kosovë.