Kontrolli i armëve

Kontrolli i armëve

Kontrolli i armëve

21 mars 2012 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) si pjesë e Forumit për Siguri ka publikuar analizën “Kontrolli i Armëve të Vogla dhe të Lehta në Kosovë: Progresi dhe Sfidat” me përkrahje të organizatës “Saferworld” në kuadër të projektit “Putting Communities at the Centre of efforts to control Small Arms and Light Weapons” që mbështetet financiarisht nga Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Norvegjisë. Analiza fokusohet në bërjen e politikave dhe marrjen e vendimeve në forcimin e kontrollit të AVL-ve në Kosovë si dhe në progresin e shënuar në hartimin e kornizës ligjore që rregullon këtë fushë, duke u fokusuar në ligjet dhe strategjitë dhe zbatimin e tyre. 
Punimi është prezantuar në një tryezë para panelit të përbërë nga anëtarët e Forumit të Sigurisë, përfaqësuesve nga Ministria e Punëve të Brendshme, ekspertëve të sigurisë si dhe akterëve tjerë të rëndësishëm. 

Të gjeturat kryesore të analizës theksojnë se institucionet përgjegjëse të sigurisë në Kosovë ende nuk kanë arritur t’i futin nën kontroll ose të ulin ndjeshëm numrin e madh të AVL-ve që cilat qarkullojnë në territorin e Kosovës. “Edhe pas një dekade AVL-të ende paraqesin rrezik dhe shqetësim serioz për sigurinë dhe jetën e qytetarëve të Kosovës. AVL-të vazhdojnë të jenë shkaktari kryesor i pjesës dërrmuese të vrasjeve dhe incidenteve të ndryshme”, tha Adem Gashi.

Analiza thekson se Kosova ka shënuar progres të madh në aspektin ligjor dhe në krijimin e politikave të avancuara të hartuara në letër përmes Ligjit për Armë, si dhe Strategjisë për Kontrollin dhe Grumbullimin e AVL-ve në Kosovë. Ligji është përcjellë me nxjerrjen e 17 udhëzimeve administrative, të cilat në mënyrë shumë specifike rregullojnë të gjitha të drejtat, detyrimet dhe procedurat për lëshimin e lejeve për armë, si dhe çështjen e tregut të armëve.

Kësaj baze të kompletuar ligjore dhe strategjie për kontrollin e AVL-ve nuk i janë përgjigjur si duhet agjencitë e zbatimit të ligjit. Pozita kyçe për funksionalizimin dhe zbatimin e strategjisë së MPB-së ka mbetur pa u plotësuar, pasi nuk është emëruar Koordinatori Kombëtar për AVL. Kjo paraqet një dështim të institucioneve në drejtim të zbatimit të efektshëm të strategjisë së MPB-së. Problem serioz në zbatimin e efektshëm të ligjit dhe strategjisë, sipas analizës, paraqet mungesa e një baze të dhënash të përbashkët për të tri hallkat e institucioneve të drejtësisë; PK-në, Prokurorin e Shtetit dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Ky problem së pari ndikon direkt në politikëbërje, pasi pamundësohet vlerësimi i saktë i ngecjeve dhe sfidave që duhet të trajtohen në vazhdimësi. Për më tepër, të dhënat statistikore të QKUK-së tregojnë saktësisht numrin e të plagosurve dhe të të vrarëve me armë zjarri, gjë e cila nuk inkorporohet automatikisht në bazën e të dhënave në PKsë, përkundër njoftimit të policisë për secilin rast. 

PK-ja përballet me mungesë efikasiteti të theksuar në procedimin e dokumentacionit të aplikuesve për leje të armëve, duke zvarritur edhe ashtu procesin tejet burokratik. Madje, PK-ja, përveç çështjes administrative, në këtë proces ka edhe përgjegjësi të madhe në hetimin, grumbullimin e informatave, si dhe parandalimin e tregut ilegal. Këto kapacitete të PK-së, ku përfshihet gjurmimi, ende janë të mangëta dhe nuk kanë dhënë ndonjë produktivitet deri tani, siç parashihet me Strategji. PK-ja mbetet një institucion me qasje reaktive dhe assesi të adaptojë metodologji të bazuar në inteligjencë.

Sipas analizës, dy proceset tejet të rëndësishme, që pritet të bëjnë kthim të madh në futjen nën kontroll të AVL-ve, janë procesi i legalizimit dhe amnistisë. Megjithatë, zbatimi i këtyre nismave kërkon plotësimin e kushteve të cilat për momentin nuk ekzistojnë, sikurse që janë besimi i qytetarëve në shkallë të lartë ndaj këtyre nismave si dhe qasja e afërt dhe e lehtë në pikat e grumbullimit. Për më tepër, çështja e veriut të Kosovës, ku qytetarët refuzojnë zbatimin e ligjeve të Kosovës, paraqet sfidë në pjesët e tjera të vendit.

Sistemi gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë vazhdon të ketë qasje joserioze dhe politikë ndëshkimore joadekuate sa i përket problematikës së AVL-ve ilegale. Dënimet e shqiptuara në rastet e armëmbajtjeve pa leje në mbi 90% janë dënime me gjobë dhe kusht, përkundër dispozitave ligjore, të cilat mundësojnë dënime me burgim efektiv deri në 8 vjet. Praktika e deritashme e gjykatësve sa u përket dënimeve dëshmon se armëmbajtja në Kosovë konsiderohet dhe gjykohet si kundërvajtje, madje si kundërvajtje e lehtë. 

Pjesëmarrësit e nga institucionet përgjegjëse për fushën e kontrollit të AVL-ve në Kosovë janë zotuar se do të punojnë në përmirësimin e kontrollit të AVL-ve, duke zbatuar rekomandimet që dalin nga kjo analizë.