Prishtinë, 27 nëntor 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), gjatë muajit nëntor 2026, mbajti Forume për Lirinë e Shprehjes me studentët e fakulteteve juridike në Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe Prishtinë.
Forumet u mbajtën në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” dhe Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Forumi në Prizren u mbajt më 16 nëntor, ai në Gjilan më 17 nëntor, në Gjakovë më 26 nëntor, ndërsa në Prishtinë më 27 nëntor 2026.
Forumet në Prizren, Gjilan dhe Gjakovë u moderuan nga Melos Kolshi, ndërsa Forumi në Prishtinë u moderua nga Florian Smajli. Pjesa trajnuese në të gjitha forumet u udhëhoq nga Gzim Shala, Menaxher i Programeve në IKD.
Gjatë forumeve u trajtuan tema që lidhen me lirinë e shprehjes si e drejtë themelore, rëndësinë e interesit publik dhe debatit publik, si dhe kufizimet e lejuara të kësaj të drejte. Po ashtu, u diskutua roli i medias dhe i zërave kritikë në një shoqëri demokratike dhe rëndësia e mbrojtjes së hapësirës për kritikë dhe pjesëmarrje në debat publik.
Në pjesën praktike, studentët diskutuan për dallimin ndërmjet faktit dhe opinionit, shpifjes dhe fyerjes, si dhe për kufirin ndërmjet lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe formave të presionit ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe qytetarëve, përfshirë përdorimin e padive dhe procedurave të tjera ligjore që mund të dekurajojnë pjesëmarrjen në debat për çështje me interes publik.
Forumet u zhvilluan përmes një qasjeje interaktive, me diskutime të moderuara, punë në grupe dhe ushtrime praktike mbi raste konkrete. Studentët patën mundësi të argumentojnë qëndrimet e tyre dhe të analizojnë mënyrën se si parimet e lirisë së shprehjes zbatohen në situata konkrete nga jeta publike, media dhe komunikimi në rrjetet sociale.
Në kuadër të secilit forum, studentët plotësuan pyetësorë para dhe pas zhvillimit të diskutimeve, me qëllim të vlerësimit të njohurive dhe kuptimit të tyre për çështjet e trajtuara gjatë aktivitetit.
Këto forume janë pjesë e serisë prej dhjetë Forumeve për Lirinë e Shprehjes që IKD ka organizuar në komuna dhe universitete të ndryshme të Kosovës, me synim nxitjen e mendimit kritik, forcimin e kulturës së lirisë së shprehjes dhe krijimin e hapësirave për debat të hapur dhe të informuar.
Përmes organizimit të këtyre aktiviteteve, IKD synon të kontribuojë në rritjen e njohurive për lirinë e shprehjes, forcimin e pjesëmarrjes së të rinjve në debatin publik dhe zhvillimin e një kulture të dialogut dhe argumentimit.
IKD falënderon Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” dhe Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për bashkëpunimin dhe mbështetjen në organizimin e forumeve.
Po ashtu, IKD falënderon studentët për pjesëmarrjen aktive, interesimin e treguar dhe kontributin e tyre në diskutime.
Këto aktivitete u realizuan me mbështetjen e Rising Tide Foundation.
