IKD: Draft Kodi i Sjelljes së Deputetëve në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet e parlamenteve demokratike

IKD: Draft Kodi i Sjelljes së Deputetëve në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet e parlamenteve demokratike

IKD: Draft Kodi i Sjelljes së Deputetëve në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet e parlamenteve demokratike

Prishtinë, 7 qershor 2024 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) publikoi raportin “Kodi i Sjelljes së Deputetëve”, duke analizuar përputhshmërinë me parimet kushtetuese, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet e parlamenteve demokratike.

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës miratimin e Kodit të Sjelljes për Deputetët. Ky Kod synon të vendosë parime, të përcaktojë sjelljet e papranueshme, të përshkruajë masat ndëshkuese dhe të formojë një Këshill të Etikës për zbatimin e këtij kodi.

Edhe pse pati kohë të mjaftueshme prej një viti e nëntë muaj, për ta hartuar një kod në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet nderkombetare, Komisioni për Legjislacion nuk arriti të hartojë dhe të dërgojë në seancë plenare një draft të Kodit të Sjelljes në pajtim me këto dokumente.

Draft Kodi aktual përmban disa çështje të cilat minojnë efektivitetin dhe përafrimin e tij me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet e parlamenteve demokratike.

Për këto arsye Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e ka parë të nevojshme publikimin e një dokumenti të tillë, në mënyrë që t’u ndihmojë deputetëve të kenë një qëndrim të mirinformuar sa i përket këtij draft kodi, për të cilin IKD kërkon nga Kryetari i Kuvendit dhe deputetët që një kod të tillë ta tërheqin nga miratimi prej seancës së ardhshme plenare, t’i bëjnë ndryshimet në përputhje me komentet e IKD-së dhe më pastaj ta sjellin për miratim.

Aspektet kryesore problematike të Draft Kodit të Sjelljes së Deputetëve janë:

  • Kodet e Sjelljes së deputetëve kanë për qëllim krijimin e kulturës politike duke pasur parasysh korrektësinë, transparencën dhe ndershmërinë. Draft Kodi i propozuar nga Komisioni për Legjislacion nuk arrin të vendosë vullnetin dhe veprimet politike për arritjen dhe ngritjen e standardeve etike. Ai përqëndrohet në mënyrë ekskluzive tek rregullimi i sjelljes së deputetëve përmes sanksioneve përjashtuese dhe financiare të cilat përbëjnë dobësim të demokracisë përfaqësuese dhe se kufizimet që janë vendosur përmes këtij kodi reflektohen me cenim të përfaqësimit të qytetarëve përmes deputetëve që qytetarët kanë zgjedhur.
  • Përjashtimi i deputetëve nga tre (3) seancat e ardhshme plenare është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, sepse sipas saj deputeti mund të largohet nga seanca në të cilën ai kryen shkelje, por jo edhe në seancat e radhës, siç është në rastin konkret në Draft Kod, deri në tre (3) seanca. Sanksioni disiplinor i tillë, është tejkalim i aktit përmes të cilit Kuvendi merr të drejtën për të miratuar Kodin e Sjelljes së Deputetëve. Pasoja e përjashtimit duhet të vlejë vetëm në rastet kur veprimi jo parlamentar i deputetit ndodh aty për aty dhe përjashtohet nga ajo seancë dhe jo nga seancat e ardhshme. Përtej kësaj, duhet theksuar se suspendimi/përjashtimi nga seancat e radhës të deputetit, mund të rezultojë në abuzim nga shumica parlamentare për t’i larguar deputetët e opozitës parlamentare dhe për të deformuar shumicën natyrore. Kështu, një dispozitë e tillë mund të sjellë deri tek përdorimi i tepruar i masës së përjashtimit në shumë seanca të cilat realisht do të ndikojnë në balancimin ndërmjet shumicës parlamentare dhe opozitës. Në anën tjetër, aplikimi i tillë i kësaj dispozite do të cenojë të drejtën e deputetit për t’i përfaqësuar qytetarët dhe të drejtën e tij kushtetuese për të marrë pjesë në procesin e votimit. Në rastin konkret, e drejta e deputetit si individ mbetet e nivelit të dytë, përballë të drejtës së qytetarëve që në Kuvend të përfaqësohen me deputetin/en që ata kanë votuar.
  • Dënimet financiare të parashikuara në këtë kod tejkalojnë sanksionet e përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit, e cila lejon sanksione deri në nivelin e shumës që është e barabartë me kompensimin për një seancë plenare, por jo deri në 50% të pagës bazë. Kjo është në kundërshtim me Rregulloren dhe lë Këshillin e Etikës me diskrecion të madh, që mund të çojë në arbitraritet. Dënimet financiare mund të mos jenë pengesë efektive për deputetët e pasur ose ata me të ardhura të konsiderueshme jashtë Kuvendit, dhe mund të shihet si çmimi i një veprimi politik. Përqendrimi në dënimet financiare zhvendos fokusin nga parimet e sjelljes së mirë dhe shërbimit publik në një sistem ndëshkimi thjesht monetar.
  • Kuvendi duhet të përfshijë në kod vlerat dhe standardet ndërkombëtare, të cilat duhet të reflektohen në punën e përditshme të deputetëve. Deputetët duhet t’i shohin parimet e Kodit të Sjelljes si aspekte pozitive dhe jo detyruese, gjë që draft kodi aktual nuk e arrin. Njëri nga qëllimet e kodit duhet të jetë inkurajimi dhe mirëkuptimi për mënyrën se si deputetët zbatojnë parimet dhe standardet që ata miratojnë, duke reflektuar mbi to dhe duke u sjellë sipas tyre.
  • Njohuria e deputetit mbi kodin konsiderohet që nga momenti i betimit si deputet, por ky rregullim është problematik sepse nuk përcakton se kush u’a dorëzon kodin deputetëve dhe lidhja që i bëhet betimit dhe njohurive mbi kodin është problematike sepse nuk mund të bëhet kjo çështje kështu. Draft Kodi duhet të parashikojë saktësisht kush e dorëzon Kodin e Sjelljes dhe të kërkojë një deklaratë të nënshkruar nga deputeti që konfirmon pranimin dhe zbatimin e parimeve të kodit gjatë punës së tij.
  • Draft Kodi nuk parashikon mjetin juridik të ankesës ndaj vendimeve të Këshillit të Etikës, kjo në kundërshtim me Nenin 32 të Kushtetutës së Kosovës, që garanton të drejtën për mjet juridik. Mungesa e një dispozite ku parashihet mjeti juridik, është kundër konceptit themelor juridik për të drejtën e ankesës dhe standardeve parlamentare demokratike. Komisioni për Legjislacion duhet ta kthejë draftin e kodit dhe të sigurojë përfshirjen e të drejtës për ankesë dhe përcaktimin e organit kompetent për shqyrtimin e ankesave.
  • Draft Kodi i propozuar nuk u lejon deputetëve të kundërshtojnë vendimin e shumicës në Këshill të Etikës ose të japin mendime konkurruese kur pajtohen me votimin, por jo me arsyetimin e dhënë. Komisioni duhet të parashikojë mendimet mospajtuese dhe konkurruese për të ofruar argumente të qarta dhe të mbështetura mirë, duke sfiduar vendimet e shumicës dhe duke rritur thellësinë e analizës ligjore. Kjo do të kontribuojë në interpretimet dinamike të Kodit të Sjelljes.
  • Në kod janë përfshirë në mënyrë të panevojshme dispozita të Ligjit mbi deklarimin e pasurisë, dhuratave dhe konfliktit të interesit. Kjo bartje dispozitash tregon për një nivel të ulët serioziteti nga hartuesi. Kodet duhet të përcaktojnë standarde të sjelljes dhe jo detaje të stërholluara, veçanërisht kur këto dispozita janë tashmë të përfshira në ligje ekzistuese.
  • Komisioni për Legjislacion ka vendosur dispozitën përmes së cilës përfaqësimi në Këshillin e Etikës të bëhet sipas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare. Kjo përbërje presupozon që vendimet do të varen nga shumica parlamentare. Këshilli i Etikës nuk duhet të përdorë fuqinë politike për shkeljet e Kodit të Etikës, por të bazohet në dëshmitë e shkeljeve, duke vendosur me konsensus të plotë. IKD propozon që përbërja e KE-së të jetë e barabartë ndërmjet shumicës dhe opozitës, të përfshijë ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, dhe kryesimi të bëhet nga opozita ose me rotacion.
  • Draft Kodi dështon të përfshijë dispozita për hartimin dhe miratimin e raportit vjetor të punës, gjë që cenon transparencën dhe llogaridhënien e Këshillit të Etikës. Kjo pamundëson planifikimin dhe prioritizimin e aktiviteteve të ardhshme dhe matjen e efektivitetit të punës së tyre.

Duke i adresuar këto rekomandime, Kuvendi i Kosovës mund të miratojë një Kod Sjelljeje më efektiv dhe pa të meta kushtetuese e ligjore dhe që rritë standardet etike pa cenuar përfaqësimin demokratik.

Raportin e publikuar mund ta gjenu në këtë link: