Drejtësia në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2017

Drejtësia në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2017

Drejtësia në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2017

Prishtinë, 7 qershor 2017 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mërkurën, ka mbajtur tryezën me titull “Drejtësia në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2017”. Gjatë kësaj tryeze u diskutua për përgatitjen dhe gatishmërinë e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në sigurimin e mbarëvajtjes së procesit të zgjedhjeve

Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin znj. Laura Pula, Koordinatore Nacionale për Zgjedhje, z. Naim Rexha, Zv. Drejtor i Përgjithshëm në Policinë e Kosovës, z. Xhemail Peçani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, z. Mulë Desku nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe z. Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Musliu  ka  prezantuar projektin e monitorimit në ditën e votimit më 11 qershor 2017, sipas të cilit IKD në bashkëpunim me Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe organizatën Iniciativa për Progres (INPO), me mbështetje të Ambasadës Amerikane, do të kenë monitorues mobilë dhe monitorues statik në të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe katër komunat e pjesës veriore. “Në të gjitha këto komuna ju do ta keni një adresë të monitoruesit tonë, i cili do të jetë lëvizës, me veturë, për të bërë çdo monitorim të aktiviteteve të Policisë dhe Prokurorisë, se si do të reagojnë në cilindo incident eventual që mund të ndodhë në ditën e votimit”. Sipas Musliut, monitoruesit do të kenë kontakte edhe me policët dhe prokurorët kujdestarë që janë në të gjitha këto rajone.

Tutje, Musliu bëri të ditur se në ditën e zgjedhjeve përveç monitoruesve mobil, do të jetë edhe qendra e monitorimit në IKD, së bashku me GLPS dhe INPO, ku të gjitha informatat e monitoruesve do të jenë të mbledhura, do të sistemohen dhe në mënyrë sistematike do të bëhet informimi i publikut.

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, znj. Laura Pula, në fjalën hyrëse tha se është krijuar Memorandum Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Panelin e Ankesave dhe Parashtresa (PAP) si dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për shkak të vazhdimit ndërinstitucional dhe efikasitetit të ndërmarrjeve të veprimeve të menjëhershme, nëse cenohet e drejta e qytetarit gjatë votimit.

Koordinatorja Pula, gjatë kësaj tryeze shpalosi planin e brendshëm të veprimit, sipas të cilit  në teren janë të koordinuar dhe caktuar 100 prokurorë, së bashku me staf mbështetës, të cilët do të operojnë dhe kooperojnë në 38 Komuna të Republikës së Kosovës, bashkë me hetuesit e Policisë së Kosovës. “Në vendet ku ka zyre të prokurorit, do të qëndrojnë në zyrë, ndërsa në Komunat ku nuk kemi zyre do të qëndrojnë së bashku me hetuesit e Policisë së Kosovës. Prokurorët do të jenë 24 orë në dispozicionin e qytetarëve, duke filluar nga ora 7 e mëngjesit e deri sa të numërohet vota e fundit, në qendrën e numërimit të votave”, tha Pula.

Pula siguroi se do të jenë të pa kompromis ndaj të gjithë atyre që tentojnë të manipulojnë votën e lirë të qytetarit, dhe njëkohësisht t’a prishin procesin zgjedhor.

Në fjalën e tij hyrëse, Zv. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Naim Rexha tha se përgjegjësia e Policisë së Kosovës, është sigurimi i të gjitha ambienteve dhe objekteve të ndara, të klasifikuara sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për qasje dhe veprimtari të sigurte të tyre

Rexha bëri të ditur se në ditën e zgjedhjeve, Policia e Kosovës do të ketë numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policor të distribuuar në të gjitha vendet e nevojshme, i cili numër si i tillë do të jetë i profileve të ndryshme të zyrtarëve. “Do të kemi polic edhe me rroba civile. Përveç zyrtarëve policor, ne do ti përdorim të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion për të mundësuar kryerjen e detyrave sa më të lehta të zyrtarëve policor” tha ai.

Gjatë kësaj tryeze, Rexha tha se do të jenë të lidhur ngushtë më subjektet e tjera në aspektin e parandalimit të hetimit të çfarëdo shkelje të mundshme. “Zotohemi që në kuadër të urdhrit operativ, maksimalisht, profesionalisht dhe nga aspekti i detyrave tona, kurse maksimalisht dhe neutralisht nga aspekti i përkatësive partiake do të ofrojmë shërbim elektoratit tonë që ta ketë mundësinë e kryerjes së detyrës se vet ligjore me përcaktim te vullnetit të vet”, deklaroi Rexha.

Ndërkaq, Xhemail Peçani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha se zgjedhjet e parakohshme janë gjithmonë sfiduese, dhe se deri më tani kanë pasur sfida pikërisht për shkak të afatit të shkurtër kohor. I njëjti, gjatë kësaj tryeze, shpalosi risitë e KQZ-së për këto zgjedhje.  “Në këto zgjedhje risi është se KQZ-ja ka bërë certifikimin e 292 anëtarëve të subjekteve politike…Risi tjetër për këto zgjedhje është se për herë të parë trupat menaxhuese menaxhojnë procesin me rregullat për komisionet komunale dhe rregullën për këshillat e fletëvotimeve, dhe një udhëzim që përcakton të gjitha përgjegjësitë konkrete për menaxherët e qendrave të votimit… Risi tjetër në këto zgjedhje ka qenë edhe mundësia e aplikimit online” bëri të ditur Peçani gjatë fjalimit të tij hyrës.

Tutje, Peçani  tha se KQZ-ja ka certifikuar gjithashtu edhe listën përfundimtare të votuesve e cila përmban 1 milion e 872 e 941 qytetar me të drejtë vote, apo krahasuar me vitin 2014, 155 mijë e 202 votues më shumë. Ndërkaq, sipas të dhënave të prezantuara nga ai, në krahasim me vitin 2014,  KQZ-ja këtë vit ka larguar si persona të vdekur 38 mijë e 542 votues.

Peçani shtoi edhe se deri më tani KQZ-ja ka akredituar 21 mijë e 452 vëzhgues për vëzhgimin e procesit zgjedhor.

Ndërkaq, z. Mulë Desku nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tha se ky Panel ka bërë përgatitjet dhe planin e veprimit për ta përballuar me sukses këtë proces zgjedhor ankimor. I njëjti bëri të ditur se paneli përbëhet nga 10 gjyqtar, anëtarë, përfshirë edhe kryesuesin, stafin prej 10 zyrtarëve të përhershëm të institucionit të sekretariatit, si dhe 10 zyrtarë të përkohshëm të angazhuar për këto zgjedhje.

Desku deklaroi se prej fillimit te  fushatës e deri më tani kanë pranuar 98 ankesa, ku 48 prej tyre janë shqyrtuar dhe për to janë marrë vendime. Sipas tij, si vendime të miratuara janë shqiptuar një shumë e caktuar  e gjobave, gjithsej deri më tani 64.700 euro gjoba ndaj subjekteve të ndryshme politike. Ndërkaq, kanë mbetur në procedurë shqyrtimi edhe vendosja e 50 ankesave.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Ambasadës Britanike, përfaqësues të disa Partive Politike dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.

Ndryshe, IKD tashmë ka krijuar një praktikë të monitorimit të institucioneve të drejtësisë në zbatimin e obligimeve për sigurimin e procesit të zgjedhjeve para, gjatë dhe pas ditës së votimit. IKD rikujton se ka qenë instituti i parë, i cili ka hartuar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës për të vepruar në secilin rast që ndërlidhet me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Zbatimi i këtyre PSV-ve në zgjedhjet lokale 2013 dhe zgjedhjet parlamentare 2014 ka shënuar rezultate konkrete në parandalimin dhe luftimin e veprave penale kundër të drejtave të votimit. Republika e Kosovës tashmë nuk figuron si pikë e zezë në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për manipulim të zgjedhjeve.