IKD: Qeverisja me aktakuza standard i papranueshëm, politika duhet të dekriminalizohet përmes rregullimit ligjor ose rrafshit etik

IKD: Qeverisja me aktakuza standard i papranueshëm, politika duhet të dekriminalizohet përmes rregullimit ligjor ose rrafshit etik

IKD: Qeverisja me aktakuza standard i papranueshëm, politika duhet të dekriminalizohet përmes rregullimit ligjor ose rrafshit etik

Prishtinë, 22 tetor 2018 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të hënën, në Prishtinë, ka mbajtur tryezën “Si të parandalohet dhe luftohet kriminalizimi i politikës në Kosovë: Zgjidhja përmes rregullimit ligjor apo kodit të etikës?”, si aktivitet i projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në proceset zgjedhore në Kosovë” në kuadër të Koalicionit për Integritet Zgjedhor (KIZ).”

Në këtë tryezë, u publikua raporti i IKD-së mbi zbatueshmërinë e Procedurave Standarde të Veprimit, në kuadër të organizimit të zgjedhjeve në Kosovë me titull “Dekriminalizimi  politikës në Kosovë”.

Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), z.Armend Zemaj, përfaqësuesi i Partisë Social Demokrate (PSD), z.Dardan Sejdiu, përfaqësuesi i Nismës Socialdemokrate (PSD), z.Bilall Sherifi, përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Muharrem Nitaj, përfaqësuesi i Alternativës, z.Hasan Preteni, përfaqësuesi i Aleancës Kosova e Re, z.Vesel Makolli dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, z.Ehat Miftaraj.

Në tryezë u tha se sundimi i ligjit vazhdon të mbetet hallka më e dobët në zinxhirin e shtetndërtimit dhe qeverisjes në Kosovë. Institucionet përkatëse, e sidomos prokuroria e gjyqësori, përballen me probleme sistematike e të përsëritshme, një prej të cilave vazhdon të mbetet ndërhyrja politike. Dhe përkundër gjithë problemeve të sistemit të drejtësisë, pra duke marrë për bazë veç ato pak raste që ky sistem i trajton, fare lehtë krijohet përshtypja se krimi dhe politika bashkëjetojnë në Kosovë. Rastet kur zyrtarët e lartë të shtetit, ditën e punës e fillojnë në gjykatë, në cilësinë e të pandehurit, përpara se të vazhdojnë të qeverisin me vendin, nuk janë të rralla. Aktualisht, janë shtatë ministra, të cilët kanë aktakuza, për të cilat po zhvillohen procedura gjyqësore në gjykata, kryesisht për vepra penale të korrupsionit.

Sipas raportit të IKD-së, gjendja e kastës aktuale politike në Kosovë, e cila në një mënyrë apo tjetër, bashkëjeton me krimin, ilustrohet përmes disa rasteve, si rasti ndaj ministrit të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka, rasti ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, aktualisht ministër në Ministrinë e Infrastrukturës, Pal Lekaj, rasti i përgjimeve të aferave politike që publiku e njeh me emrin “Pronto”, e disa raste tjera, të cilat IKD-ja i ka identifikuar gjatë procesit të monitorimit të seancave gjyqësore në çështje penale në të gjitha gjykatat e Kosovës.

Karakteristikë e këtyre rasteve, sipas IKD-së, përbën fakti se numër i madh i këtyre zyrtarëve të lartë publik, një pjesë të ditës së tyre e kalojnë nëpër salla të gjykimeve, si të dyshuar për vepra të ndryshme penale ku dominojnë veprat penale të korrupsionit, përderisa pjesën tjetër të kohës ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre publike.

Në këtë drejtim, IKD ka vlerësuar se kriminalizimi i skenës politikë në Kosovë është bërë një çështje brengosëse në Kosovë, veçanërisht që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke u shndërruar në një ‘standard’ të qeverisjes. Institucionet më të larta të shtetit si Kuvendi e Qeveria, por edhe pushteti lokal nëpër komuna, jo rrallë udhëhiqen nga persona me të kaluar kriminale apo që kanë probleme me ligjin. Anëtarët e qeverisë dhe qeverisja nga persona me të kaluar kriminale apo që kanë probleme me ligjin padyshim se ulin kredibilitetin dhe legjitimitetin në raport me qytetarët dhe cenojnë rëndë vlerat dhe parimet të cilat i promovon Kushtetuta e Kosovës.

Pjesëmarrësit vlerësuan se procesi i vetingut është hapi i parë për luftimin e kriminalizmit te skenës politike, e më pas shtyrja përpara e ligjeve aktuale në Kuvendin e Kosovës. Si hap i tretë, u vlerësua mekanizmi për matjen e performancës së sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Mirëpo, sipas pjesëmarrësve, të gjithë këta hapa për dekriminalizim mund të arrihen nëse do të ketë vullnet politik, çështje të cilat IKD i ka ngritur vazhdimisht.

Në këtë faze, duke u bazuar në kornizën ligjore në Kosovë, praktikën e ndërtuar nga Gjykata Supreme lidhur me heqjen e të drejtës për t’u zgjedhur, praktikat dhe përvojat e shteteve të ndryshme, dhe duke me marr me theks të veçantë gjendjen e krijuar në skenën politike dhe administratën shtetërore dhe publike, IKD ka propozuar disa modele sesi mund t’i qaset Republika e Kosovës, pastrimit apo dekriminalizimit të skenës politike në Kosovë, dhe atë kufizimi përmes legjislacionit dhe përjashtimi institucional.

IKD konsideron se ndalimi legjislativ i kufizimit të drejtës për t’u zgjedhur mund të rregullohet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese dhe duke marr për bazë kriteret dhe praktikat e mira lidhur me çështjet zgjedhore dhe qeverisjes së mirë

Tutje, sipas IKD-së, përjashtimi institucional qoftë përmes kufizimit të kandidimit apo largimit në postet ku janë emëruar të personave në institucionet e zgjedhura mund të bëhet përmes rregullave të brendshme mbi papërshtatshmërinë. Partitë politike përmes rregullave të brendshme duke miratuar Kode të Etikës do të kufizonin të drejtën e qytetarëve me të kaluar kriminale apo që janë të papërshtatshëm për të anëtarësuar në parti politike. Kodi i Etikës mund të ndërtonte praktika përmes së cilave partitë politike nuk mund të propozojnë në pozita udhëheqëse, në poste politike ose si kandidatë partiak persona të papërshtatshëm dhe që kanë integritet të kontestuar.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile që kontribuan me diskutim në këtë tryezë, theksuan se OJQ-të vazhdimisht kanë ngritur problematikën e ndikimit he ndërhyrjeve të partive politike, të cilat janë apo kanë qenë në pushtet, në sistemin gjyqësor, si dhe hezitimi i partive politike për të bashkëpunuar në zgjidhjen e dekriminalizimit. Sipas tyre, çështja e procesit të vetingut duhet të merret më me seriozitet në mënyrë që sa më shpejtë të fuqizohet vendi, pasi siç thanë ata, drejtësia është shtylla e shtetit.

Për më tepër shkarkoni raportin në shqip

                                                                                                 ##

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).