IKD: Prokuroritë nuk i kanë përmbushur obligimet e Planit të Veprimit, shqetësuese parashkrimi i rasteve të korrupsionit

IKD: Prokuroritë nuk i kanë përmbushur obligimet e Planit të Veprimit, shqetësuese parashkrimi i rasteve të korrupsionit

IKD: Prokuroritë nuk i kanë përmbushur obligimet e Planit të Veprimit, shqetësuese parashkrimi i rasteve të korrupsionit

Prishtinë, 08 prill 2015 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, të mërkurën, ka mbajtur tryezën “Vlerësimi i zbatimit të Planit të Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial për Luftimin e Korrupsionit”, e cila ka shërbyer për të diskutuar zbatimin e këtij Plani të Veprimit, prej hyrjes në fuqi më 4 nëntor 2013 deri më 31 dhjetor 2014.

Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, z.Betim Musliu, ka prezantuar raportin “Korrupsioni në Kosovë 4: Raport vlerësues periodik mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit”, me gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet për zbatimin e Planit të Veprimit. Gjatë prezantimit të raportit, Musliu tha se prokuroritë deri në këtë periudhë raportuese kanë arritur të zgjidhin gjysmën e lëndëve të korrupsionit në punë.Nëse analizohet numri i rasteve në fillim më 4 nëntor 2013 (516 raste me 1682 persona) dhe numri i rasteve të pranuara gjatë Planit të Veprimit deri më 31 dhjetor 2014 (548 raste me 1027 persona), rezulton se prokuroritë kanë pasur në punë 1064 raste me 2709 persona. Prej këtij numri të përgjithshëm prokuroritë kanë arritur të zgjidhin 566 raste apo 53 % të tyre me 1301 persona apo 48% të tyre. Prej gjithsej 1301 personave ndaj të cilëve janë zgjidhur rastet në përgjithësi, prokurorët ndaj 550 personave kanë ngritur aktakuza pas zhvillimit të hetimeve ose aktakuza të drejtpërdrejta, ndaj 45 personave kanë propozuar shqiptimin e urdhrit ndëshkimor, ndërsa ndaj 330 personave kanë hudhur poshtë kallëzimet penale dhe ndaj 376 personave kanë pushuar hetimet”, tha Musliu.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Sylë Hoxha, tha se raporti i IKD-së është rezultat i monitorimit të pavarur të jashtëm, të cilin IKD e ka bërë vazhdimisht në përputhje me Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar me Këshillin Prokurorial. “E falënderoj IKD-në dhe stafin për punën profesionale gjatë monitorimit të sistemit prokurorial lidhur me rastet e korrupsionit dhe këto raporte, paraqesin gjendjen real”. Z. Hoxha tha se qasja dhe bashkëpunimi në mes IKD-së dhe KPK-së ka rezultuar me përpilimin e raporteve profesionale dhe të kuptueshme. “…Ngritja e transparencës dhe llogaridhënies duhet mbetur një parakusht për të kryer obligimet ligjore. Ngritja e transparencës dhe llogaridhënies nuk duhet ta frikësojnë askënd, ne duhet ta informojmë publikun për punën tonë.” Në fund z. Hoxha falënderoi IKD-në dhe stafin për kontributin profesional duke thënë se ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, ka vlerësuar lartë raportin e IKD-së, duke theksuar se tryezat ndihmojnë të vlerësohet aspekti i gjendjes reale rreth lëndëve të korrupsionit. “Është një metodë e mirë e analizimit të gjendjes sa i përket zgjidhjes së këtyre rasteve nëpër prokurori, dhe gjykata..

Qasja dhe transparenca e këtyre rasteve është shumë e rëndësishme, në vend të parë për qytetarët tonë, dhe po shpresoj që kjo formë do të vazhdojë edhe me KGJK në kuptimin e monitorimit të ardhshëm”. Z. Peci theksoi se prej hyrjes në fuqi të Planit të Veprimit të KPK-së është shtuar volumi i punës në rastet e korrupsionit edhe në gjykata, për shkak të ngritjes së aktakuzave nga ana e prokurorëve.

Zëvendës Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Kosovë Louise Taylor ka vlerësuar lartë raportin dhe kontributin e IKD-së. “Ajo që më pëlqen shumë në këtë projekt është që KPK ka pasur bashkëpunim me shoqërinë civile. Me memorandumin e nënshkruar, iu ka mundësuar shoqërisë civile të bashkëpunojnë ashtu që raporti të jetë i balancuar”. Znj. Taylor tha se Kosova ende ballafaqohet me probleme në luftimin e korrupsionit dhe se të pranishmit në tryezë, janë njerëzit përgjegjës në luftimin e korrupsionit. Ajo shtoi se e ardhmja e e Kosovës, varet nga respektimi i sundimit të ligjit, luftimi i korrupsionit me çka, përveç arritjes së rezultateve është shumë e nevojshme që në tërë këtë proces të sigurohet transparenca. “Qytetarët e Kosovës kanë nevojë dhe të drejtë të shohin rezultate konkrete.. Si qytetarë evropian ata kanë të drejtë të kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie dhe kjo mundësohet përmes shoqërisë civile dhe medias. Në këtë mënyrë qytetarët do të fillojnë të kthejnë besimin në drejtësi, për një perspektivë për të ardhme evropiane”, tha znj. Taylor.

Përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, znj. Michelle Lakomy, ka vlerësuar raportin e monitorimit të IKD-së, duke adresuar sfidat e Kosovës dhe institucioneve të saj, në luftën kundër korrupsionit. “Jam e nderuar që jam e përfshirë në këtë ngjarje, dhe kam mundësinë të diskutoj veprime specifike për të luftuar korrupsionin në Kosovë. Sundimi i ligjit është esencial për një shoqëri funksionale. Pa sundimin e ligjit, zhvillimi ekonomik është i vështirë, sigurimi i demokracisë është i vështirë, dhe drejtësia është e vështirë të arrihet”. Ajo ka folur për dëmet e mëdha që shkaktohen për taksapaguesit e Kosovës si pasojë e zhvillimit të veprimtarive korruptive dhe në këtë drejtim ka vlerësuar Planin e Veprimit të KPK-së, i cili synon të luftojë korrupsionin. “Plani i Veprimit për luftimin e korrupsionit është një hap kritik për të ndalur korrupsionin në Kosovë. Sistemi i drejtësisë e ka obligim për të ndjekur dhe gjykuar rastet e korrupsionit. Plani i Veprimit u mundëson sistemit prokurorial dhe gjyqësor të inkorporojnë praktikat më të mira dhe të identifikojnë sfidat. Në mes të këtyre praktikave të mira janë promovimi i transparencës dhe llogaridhënies. Kjo i mundëson publikut që të kuptoj se si po trajtohet korrupsioni  në sistemin e drejtësisë në Kosovë”. Znj. Lakomy, tha se në këtë drejtim kur korrupsioni dënohet nga zbatimi i drejtë i ligjeve, transparenca dhe llogaridhënia atëherë frenohen veprimet e korrupsionit. “IKD dhe agjencitë e tjera, dhe OJQ-të të cilat monitorojnë këtë proces, e ndihmojnë luftën kundër korrupsionit, sepse monitorimi dhe raportimi sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie. Dhe nga bashkëpunimi që ka IKD-ja me këto institucione publike është e rëndësishme, që publiku ta kuptoj se si po trajtohet korrupsioni në Kosovë, dhe t’i mbaj ata përgjegjës për veprimet e tyre”. Sipas saj, kjo kjo përgjegjësi dhe llogaridhënie mund ta rrisë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. “Ambasada Amerikane e mbështet luftën kundër korrupsionit… Ne do të vazhdojmë të mbështesim aktivitetet kundër korrupsionit, duke siguruar trajnime dhe mbështetje të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, dhe anëtarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë. Ne presim zbatimin e ideve dhe veprimeve nga diskutimi i sotëm. Dhe përsëri, faleminderit që na keni përfshirë edhe ne, dhe jemi të lumtur të punojmë me ju si partner në këtë objektiv të rëndësishëm, në luftimin e korrupsionit në Kosovë”.

Inspektori i Lartë në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, z. Arianit Salihu, la vlerësuar lartë raportet e IKD-së, të cilat sipas tij, kanë prodhuar rezultate konkrete në ndjekjen dhe disiplinimin e prokurorëve, të cilët kanë rënë ndesh me rregullativën ligjore dhe etike në lidhje me trajtimin e rasteve të korrupsionit. “ZPD ka trajtuar edhe tri raporte të kaluara nga IKD brenda kompetencave të saj ligjore. Të gjitha lëndët e cekura në ato raporte ne i kemi trajtuar me shumë seriozitet. ZPD ka njoftuar edhe IKD-në edhe Kryeprokurorin për këto raste. Për të gjitha rastet që ne kemi konsideruar se duhet hapur hetime ne e kemi bërë atë. IKD të gjitha të gjeturat i ka kompletuar në raport duke i ka dërguar tek ne së bashku me rekomandime. Komisioni disiplinor, vlen të ceket se disa nga këto raste i ka trajtuar ky komision, ka gjetur dhe ka shpallur përgjegjës disa prokurorë për shkelje të pahijshme dhe u ka caktuar masat”. Z. Salihu ka siguruar se të gjeturat nga ky raport do të trajtohen me profesionalizëm nga ZPD, duke falënderuar IKD-në për për kontributin e dhënë si institut i paanshëm dhe profesional.

Duke vlerësuar raportin e IKD-së panelistët dhe pjesëmarrësit e tjerë kanë diskutuar për gjetjet dhe vlerësimet e IKD-së rreth zbatimit të Planit të Veprimit. Fjalimet për vlerësimin e raportit dhe zbatimin e Planit të Veprimit kanë vazhduar me Koordinatoren Nacionale kundër Korrupsionit, znj. Laura Pula, Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë z. Imer Beka, Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë znj. Shpresa Bakija, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z. Shyqyri Syla, përfaqësues nga Policia e Kosovës z. Shaip Havolli, përfaqësuesi nga Agjencia Kundër Korrupsionit, z. Blerim Kelmendi dhe të tjerë.

Pjesëmarrës në tryezë dhe diskutime poashtu ishin edhe përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Shoqërisë Civile, Ambasadës Amerikane në Kosovë, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe OSBE-së.

Përmbledhje Ekzekutive e raportit të IKD-së:

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) më 4 nëntor 2013, ka nxjerr Planin e Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit (në vazhdim Plani i Veprimit). Prej hyrjes në fuqi të këtij plani, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në përputhje me Memorandumin e Bashkëpunimit me KPK, ka bërë monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Planit të Veprimit. Deri në këtë fazë, IKD ka publikuar tri raporte, si rezultat i monitorimit dhe vlerësimit të zbatimit të këtij plani. Ndërsa ky është raporti i katërt periodik sa i përket zbatimit të Planit të Veprimit i përgatitur nga IKD në bazë të gjetjeve nga informacionet dhe burimet zyrtare në KPK dhe PSh.
Sistemi prokurorial assesi nuk ka arritur të ulë ndjeshëm numrin e rasteve të pazgjidhura të korrupsionit. Trendi i këtyre rasteve në këtë periudhë raportuese (tetor, nëntor, dhjetor 2014) është ulur në fund, nëse krahasohet me periudhat e mëparshme. Me hyrjen në fuqi të Planit të Veprimit, prokuroritë kanë pasur në punë 516 raste të pazgjidhura me 1682 persona, ndërsa më 31 dhjetor 2014 kanë mbetur 530 raste të pazgjidhura me 1556 persona. Pra, kemi një rritje të numrit të rasteve të pazgjidhura, ndërsa një zvogëlim të numrit të personave ndaj të cilëve nuk janë zgjidhur rastet. Nëse analizohet numri i rasteve në fillim më 4 nëntor 2013 (516 raste me 1682 persona) dhe numri i rasteve të pranuara gjatë Planit të Veprimit deri më 31 dhjetor 2014 (548 raste me 1027 persona), rezulton se prokuroritë kanë pasur në punë 1064 raste me 2709 persona. Prej këtij numri të përgjithshëm prokuroritë kanë arritur të zgjidhin 566 raste apo 53 % të tyre me 1301 persona apo 48% të tyre. Prej gjithsej 1301 personave ndaj të cilëve janë zgjidhur rastet në përgjithësi, prokurorët ndaj 550 personave kanë ngritur aktakuza pas zhvillimit të hetimeve ose aktakuza të drejtpërdrejta, ndaj 45 personave kanë propozuar shqiptimin e urdhrit ndëshkimor, ndërsa ndaj 330 personave kanë hudhur poshtë kallëzimet penale dhe ndaj 376 personave kanë pushuar hetimet. Sipas kësaj, rezulton se prokurorët më shumë se ndaj gjysmës së personave, përkatësisht ndaj 706 personave kanë pushuar hetimet apo kanë hudhur poshtë kallëzimet penale, ndërsa ndaj 595 personave kanë ngritur aktakuza.

IKD vlerëson se në përgjithësi kjo është një performancë e dobët e prokurorëve në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit. Edhe më shqetësuese është mënyra e zgjidhjes së rasteve, ku më shumë se gjysma e tyre janë raste të hudhura apo pushuara, dhe kjo dëshmon për probleme serioze të parashtruesve të rasteve dhe prokurorëve, gjë që duhet analizuar nga mekanizmat e brendshëm të KPK-së.

Zbatimi i Planit të Veprimit për rastet e regjistruara deri më 4 nëntor 2013 – Sikurse në raportet paraprake, për të bërë matjen e realizimit të Planit të Veprimit, IKD ka vendosur indikatorë, të bazuar në detyrimet e dala nga ky plan. Matja e zbatimit të Planit të Veprimit, bazohet në rastet e zgjidhura të korrupsionit, të cilat kanë qenë të regjistruara deri me datën 4 nëntor 2013 si raste të pazgjidhura që përfshijnë 1682 persona. Sipas këtij indikatori, rezulton se gjatë kësaj periudhe raportuese (tetor, nëntor, dhjetor 2014), prokuroritë kanë zgjidhur raste ndaj 858 personave apo kanë arritur të zbatojnë Planin e Veprimit 52%. Prej tyre, IKD ka identifikuar se prokurorët 23 % të rasteve që i kanë zgjidhur i kanë hudhur poshtë kallëzimet penale, 32 % të rasteve i kanë pushuar hetimet, ndërsa rreth 40 % të rasteve kanë ngritur aktakuza.

PTh në Prishtinë vazhdon të jetë prokuroria me efikasitetin më të dobët në përmbushjen e obligimeve të Planit të Veprimit. PTh në Prishtinë ka zgjidhur raste vetëm ndaj 27% të personave apo vetëm ndaj 210 prej 777 personave, të cilët kanë qenë të regjistruar në Planin e Veprimit deri më 4 nëntor 2013. Megjithatë, duhet theksuar se në krahasim me prokuroritë tjera, PTh në Prishtinë është prokuroria që ka zgjidhur më së shumti raste për periudhën raportuese (tetor, nëntor, dhjetor 2014), gjithsej ndaj 136 personave. PSRK ende nuk ka arritur të zgjidhë as gjysmën e personave të regjistruar në fillim në Planin e Veprimit. Prej rasteve të pazgjidhura ndaj 232 personave sa i ka pasur të regjistruar në fillim të Planit, PSRK i ka zgjidhur rastet ndaj 110 apo 47% të personave. Pas Prishtinës dhe PSRK-së, pason PTh në Mitrovicë si prokuroria me jo-efikase, e cila ka zgjidhur raste ndaj 48% të personave apo vetëm ndaj 69 prej 141 personave sa i kishte të regjistruar më 4 nëntor 2014. IKD gjithsesi ka parasysh këto rezultate të dobëta të kësaj prokurorie, në të cilat kanë ndikuar edhe arsyet objektive të kushteve të punës, për të cilat IKD ka kërkuar të adresohet me urgjencë nga Këshilli Prokurorial për përmirësimin e kushteve të punës, por që nuk është bërë asgjë. Mbi gjysmën e personave ka arritur t’i zgjidhë PTh në Ferizaj, e cila prej 126 personave, i ka zgjidhur 91 apo 72% të personave. PTh në Gjakovë gjatë kësaj periudhe tre mujore nuk ka zgjidhur asnjë rast të regjistruar deri më 4 nëntor 2013, ndërsa deri më 30 qershor, kjo prokurori ka zgjidhur raste ndaj 81% apo 52 prej 64 personave sa i ka pasur në fillim të Planit të Veprimit. PTh në Prizren gjithashtu ka arritur të zgjidhë 90% të personave, duke zgjidhur raste ndaj 158 personave prej 175 sa i kishte pasur në punë fillim të Planit të Veprimit. PTh në Pejë ka arritur të zgjidhë 100% të personave apo 82 prej 86 personave sa kishte pasur në fillim të planit. Ndërsa, PTh në Gjilan ka arritur të zgjidhë 100% të rasteve të regjistruara deri më 4 nëntor 2013 në Planin e Veprimit, duke zgjidhur të gjitha rastet, përkatësisht 23 raste me 81 persona.

Përveç zgjidhjes së rasteve, Koordinatorja Nacionale kundër Korrupsionit dhe Kryeprokurorët kanë pasur një varg obligimesh tjera, të cilat nuk kanë arritur t’i përmbushin. Sikurse në raportet paraprake, edhe për këtë periudhë raportuese (tetor, nëntor, dhjetor 2014), IKD ka bërë matjen e realizimit të obligimeve, bazuar në indikatorët e nxjerrë nga Plani i Veprimit. IKD për këtë periudhë raportuese ka identifikuar 13 raste të parashkruara, një prej tyre është parashkruar në PSRK. Obligimit të përcaktuar në nenin 3.2 të Planit të Veprimit për të përgatitur raporte të veçanta për secilën lëndë që ka arritur afatin e parashkrimit, nuk iu kanë përgjigjur të gjitha prokuroritë. Derisa PTh e Mitrovicës, PTh e Prishtinës dhe PTh e Ferizajt, kishin përgatitur raportet e veçanta me arsyet e parashkrimit, këtë nuk kishte bërë PTh në Prizren dhe PSRK. Obligimi i përcaktuar në nenin 5.1 për identifikimin e lëndëve dhe ndarjen e tyre sipas kompetencës, është përmbushur nga Prokuroritë Themelore dhe PSRK. Obligimi tjetër i përcaktuar në nenin 5.2 të Planit të Veprimit kishte përcaktuar identifikimin e rasteve që mund të mos jenë të raportuara në regjistrin e kallëzimeve penale. Ky obligim nuk është përmbushur tërësisht nga disa prokurori. IKD gjatë monitorimit ka gjetur se një numër i rasteve dhe personave nuk janë raportuar me kohë në bazën e të dhënave në Mekanizmin Përcjellës, duke i raportuar me vonesë dhe raste të tjera që kanë ekzistuar në regjistra, ndërsa në fund të kësaj periudhe raportuese, nuk figurojnë. As Kryeprokurorët dhe as Koordinatorja Nacionale nuk janë në dijeni në lidhje me shkeljen e rregullave të Mekanizmit Përcjellës. Për këtë arsye nuk ka pasur as raportim për raste të tilla, siç përcaktohet në obligimet e Planit të Veprimit. Për këtë dështim të vazhdueshëm, ka reaguar zyrtarisht në KPK dhe publikisht në media, IKD, duke kërkuar zbatimin e vendimeve të KPK-së për të mbajtur përgjegjës prokurorët dhe zyrtarët që kanë dështuar në respektimin e Mekanizimit Përcjellës. Caktimi i lëndëve me prioritet absolut dhe të ndara sipas cilësisë së kryerësve është obligimi tjetër i paraparë me nenin 6.3 të Planit të Veprimit, i cili rezulton se është përmbushur. Obligim tjetër i përcaktuar me nenin 7.3 të Planit të Veprimit është zbatimi i dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me sekuestrimin dhe konfiskimin e dobisë pasurore të fituar me vepër penale. IKD ka identifikuar se gjatë kësaj periudhe raportuese (tetor, nëntor, dhjetor 2014), përveç PSRK-së dhe PTh në Prishtinë të cilat kanë deklaruar për disa raste të sekuestrimit të parave, veturave dhe banesave, kryeprokurorët e prokurorive tjera themelore kanë deklaruar të mos jenë në dijeni nëse janë aplikuar dispozitat e tilla gjatë kësaj periudhe raportuese. Obligimi i përcaktuar në nenin 7.1 për mbajtjen e takimeve të rregullta me Policinë e Kosovës, AKK-në, institucionet dhe agjencitë tjera për zbatimin e ligjit, është realizuar pjesërisht. Për këtë periudhë raportuese, PTh në Pejë dhe PTh në Mitrovicë kanë deklaruar se kanë mbajtur takime të rregullta me të gjitha institucionet tjera përveç me AKK-në. PTh në Prizren ka deklaruar se mbajtur takime të rregullta vetëm me PK-në. Në anën tjetër PSRK, PTh në Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj, kanë deklaruar të kenë mbajtur takime të rregullta me të gjitha institucionet, sipas obligimeve të Planit të Veprimit. PTh në Prishtinë ka deklaruar se ka mbajtur takime të rregullta me të gjitha institucionet, në veçanti me PK-në, me të cilët kishin mbajtur takime pothuajse të përditësuara. Sa i përket obligimit në nenin 8.2 për të raportuar për mbarëvajtjen e Planit të Veprimit nga Prokuroritë për Koordinatoren Nacionale, IKD gjen se është përmbushur. Ndërsa, PTh në Prishtinë për dallim prej prokurorive tjera ka shpeshtuar praktikën e raportimit, duke raportuar në baza të rregullta javore. Gjatë kësaj periudhe raportuese ekspertët janë angazhuar vetëm PTh në Prishtinë dhe PTh në Prizren.

Komponenta e marrëdhënieve me publikun e përcaktuar në Planin e Veprimit është realizuar minimalisht nga Koordinatorja Nacionale kundër Korrupsionit. IKD ka vlerësuar qasjen dhe informimin e publikut rreth zbatimit të këtij plani, por gjetjet dëshmojnë se ky obligim ka mbetur në masë të madhe i parealizuar. Për këtë periudhë raportuese (tetor, nëntor, dhjetor 2014) Koordinatorja Nacionale është dashur t’i mbajë 6 konferenca të rregullta për media ose komunikata për media, ndërsa gjatë kësaj periudhe është lëshuar vetëm një komunikatë për media me shkrim.

Edhe për këtë periudhë raportuese, IKD ka pranuar dhe ka analizuar aktet juridike prokuroriale (aktvendimet për hudhjen e kallëzimeve penale, aktvendimet për pushimin e hetimeve si dhe aktakuzat e ngritura). Parashkrimi i rasteve të korrupsionit dhe vendosja e rasteve në kundërshtim me dispozitat dhe afatet ligjore, referimi jo adekuat në dispozitat penale dhe procedurale penale janë problemet kryesore të identifikuara nga analistët ligjor të IKD-së. Të njëjtat probleme janë identifikuar nga vetë mekanizmat e brendshëm të KPK-së. Kjo dëshmon se ekspertiza e IKD-së ka qenë e saktë për tu shfrytëzuar për identifikimin e problemeve dhe krijimin e politikave adekuate kriminale për të shtuar efikasitetin dhe efektivitetin në luftimin e korrupsionit.