VENDIMET E KUNDËRLIGJSHME TË KPK-SË DHE PRAKTIKAT E KËQIJA TË NDRYSHIMIT TË RREGULLOREVE NGA KGJK

foto-3

Monday 12 December, 2016

Shkarko dokumentin:  Shqip   |  English

Prishtinë, 12 dhjetor 2016 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) gjatë monitorimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka gjetur se edhe gjatë muajit dhjetor të vitit 2016, të dy Këshillat gjatë ushtrimit të funksioneve dhe veprimtarive të tyre, kanë marr vendime që bien në kundërshtim me ligjet bazike që rregullojnë sistemin prokurorial dhe vendime që ndërtojnë praktika të këqija lidhur me procesin e emërimit të Kryetarëve të Gjykatave apo Gjykatësve Mbikëqyrës. Për këto shkelje IKD ka publikuar analizën e shkurtë “Vendimet e kundërligjshme të KPK-SË dhe praktikat e këqija të ndryshimit të rregulloreve nga KGJK”.

KPK më 2 dhjetor 2016 ka miratuar vendimin nr. 1485/2016, mbi vazhdimin e transferimit të përkohshëm të prokurorit Abdurrahim Islami.

I njëjti Këshill më 27 maj 2016, kishte marr vendim për transferim të përkohshëm të prokurorit Islami nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Paraprakisht, Kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi më 18 prill 2016, me Vendim kishte transferuar të njëjtin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në PSRK, duke shfrytëzuar nenin 22 paragrafin 3 të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili në raste të jashtëzakonshme, i mundëson Kryeprokurorit të Shtetit përkohësisht të transferojë një prokuror në një prokurori tjetër. Transferim i ndërmarrë sipas kësaj dispozite nuk mund të tejkalojë tridhjetë (30) ditë përveç nëse Këshilli miraton një periudhë më të gjatë.

Transferimi i prokurorit Islami sipas Vendimit të Kryeprokurorit të Shtetit kishte shkelur afatin ligjor prej 30 ditëve. Me vendim të Kryeprokurorit të Shtetit, prokurori Islami ka qëndruar 44 ditë, respektivisht nga data 18 prill 2016 deri më 31 maj 2016.

Po ashtu vendimet e  KPK-së të datës 27 maj 2016 dhe 2 dhjetor 2016, janë miratuar në kundërshtim me Ligjin për KPK-në dhe Rregulloren për Transferim dhe Avancim të Prokurorëve të Shtetit.  Ligji për KPK-në në nenin 22 përcakton taksativisht se ndalon transferimin e të njëjtit prokuror në një prokurori tjetër për një periudhë kohore  më të gjatë se gjashtë (6) muaj për një herë. Prokurori Islami, me dy vendime të KPK-së, tanimë i është vazhduar transferimi i përkohshëm në PSRK për herë të dytë.

Vendimet e KPK-së, po ashtu bien në kundërshtim edhe me nenin 2 të Rregullores për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit, pasi që kalimi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë si prokurori e nivelit më të ultë në PSRK si prokurori e specializuar dhe e nivelit më të lartë, konsiderohet avancim dhe jo transferim siç ka vendosur KPK me dy vendimet saj të muajit maj dhe dhjetor 2016.  Sipas rregullave dhe procedurave të miratuara nga KPK, avancimi i prokurorëve duhet të kaloj vetëm përmes institutit të konkursit, që në rastin konkret ky parim është shkelur nga vet KPK.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më datë 8 dhjetor 2016, ka marr Vendim për miratimin e Rregullores Nr. 17/2016 për ndryshimin e Rregullores Nr. 14/2016, për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores Nr. 09/2016 për Procedurat e Zgjedhjes, Emërimit, Vlerësimit, Pezullimit dhe Shkarkimit të Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.

KGJK përmes kësaj rregullore ka ndryshuar Procedurat e Zgjedhjes, Emërimit, Vlerësimit, Pezullimit dhe Shkarkimit te Kryetareve te Gjykatave dhe Gjyqtareve Mbikëqyrës. Sipas këtij Vendimi, iu është lejuar anëtarëve të Komisionit Vlerësues përveç të  marrin pjesë në takimin e KGJK-së kur merret vendim për emërimin e Kryetarëve apo Gjykatësve Mbikëqyrës, të njëjtit të kenë edhe të drejtën për të votuar.

KGJK tanimë e ka shndërruar në praktik  plotësimin dhe ndryshimin e rregullave dhe procedurave lidhur me procese të rëndësishme në sistemin gjyqësor. KGJK të njëjtën qasje kishte zbatuar edhe gjatë procesit të emërimit të gjykatësve të rinj.