Tryezë e IKD-së dhe OAK-ut: “Përfaqësimi i të pandehurve me avokat mbrojtës në Departamentet e Përgjithshme të Gjykatave dhe Prokurorive Themelore në çështjet penale”

Wednesday 19 July, 2017

Bench Bar

Prishtinë, 19 korrik 2017 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK) në kuadër të programit “Kërko Drejtësi”, të mërkurën, në Prishtinë, kanë organizuar tryezën – Bench Bar – me temën “Përfaqësimi i të pandehurve me avokat mbrojtës në Departamentet e Përgjithshme të Gjykatave dhe Prokurorive Themelore në çështjet penale”.

Tryeza ka mbledhur drejtuesit e Rajonit të Prishtinës, përfshi Kryetarin e Degës Regjionale të OAK-ut në Prishtinë, Skender Musa, Kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, Drejtorin Ekzekutiv të IKD-së, Betim Musliu, avokatë, gjykatës dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në këtë tryezë ishte pjesëmarrës edhe Kryetari i OAK-ut, Osman Havolli.

Në kuadër të projektit “Kërko Drejtësi”, IKD prej janarit deri më 31 maj 2017, ka monitoruar përfaqësimin e të pandehurve me avokat mbrojtës në Departamentet e Përgjithshme të Gjykatave dhe Prokurorive Themelore në çështjet penale në Prishtinë, Pejë dhe Prizren.

Gjatë kësaj tryeze, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka prezantuar gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet e monitorimit sistematik për të drejtën e mbrojtjes së të pandehurve në procedurë penale, qasjes në avokat, parimet bazë për një gjykim të drejtë, të paanshëm, të arsyeshëm në kohë dhe profesional. “IKD gjatë kësaj periudhe ka monitoruar 524 seanca gjyqësore në tri Gjykatat Themelore në Prishtinë, Pejë dhe Prizren në Divizionin Penal të Departamentit të Përgjithshëm. Gjetjet e monitorimit tregojnë se përqindja më e madhe e të pandehurve në këto raste, duke filluar prej marrjes në pyetje në polici, prokurori dhe në shqyrtime gjyqësore nuk përfaqësohen fare nga avokatët”.

Miftaraj ka prezantuar raste të hulumtimit të raportit që ndërlidhen me përfaqësimin e të pandehurve duke u bazuar në standardet ndërkombëtare dhe praktikat e Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut. “Kushtetuta e Kosovës ka krijuar obligime për sistemin e drejtësisë, i cili duhet të përkujdeset që gjatë zbatimit të ligjit, të merr për bazë praktikat e Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut. Aktualisht kemi shkelje të vazhdueshme të drejtave të pandehurve në procedurë penale sepse gjykatësit për shkak të arsyeve objektive dhe subjektive nuk arrijnë të zbatojnë këto praktika edhepse obligohen”. Tutje, ai ka shtuar se duhet të ekzistojë vullneti politik që të bëhen ndryshime ligjore, të cilat duhet të jenë në harmoni me praktikat e Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut për të garantuar mbrojtje efikase dhe efektive për të pandehurit në procedurë penale. “Gjithashtu, ndryshimet ligjore duhet të përcillen me përkrahje të nevojshme buxhetore, të cilat garantojnë mbrojtjen e të drejtave të pandehurve. Republika e Kosovës urgjentisht duhet të adresojë këto probleme, në mënyrë që në të ardhmen, kjo kosto mos të bëhet e papërballueshme nga rastet të cilat mund të paraqiten në Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut, e cila më pas do ta detyron shtetin të paguajë për shkeljet e mundësuara”.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, ka vlerësuar qasjen dhe profesionalizmin e monitorimit të IKD-së dhe dobinë e skanimit të problemeve në punën e gjykatës. “Sa i përket temës konkrete, për secilin gjykatës dhe proces gjyqësor është më e lehtë  kur i pandehuri përfaqësohet nga avokati. I pandehuri nuk i njeh proceset gjyqësore, mundësitë që ka, pasojat, dhe fjalorin juridik, prandaj përfaqësimi me avokat i jep atij udhëzime të qarta për ta kuptuar procesin por edhe e lehtëson dukshëm punën e gjykatës”. Ajo ka mirëpritur gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet, për të cilat ka thënë se duhet të përkujdesen përgjegjësit e pushteteve tjera dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të krijuar kushte për punë dhe buxhet të mjaftueshëm, i cili mundëson angazhimin e avokatëve në të gjitha rastet në procedurë penale. “Përndryshe, kështu siç qëndron situata aktualisht, ne nuk kemi buxhet as për të paguar as avokatët sipas detyrës zyrtare,t ë cilët i angazhojnë në Departament të Krimeve të Rënda”.

Kryetari i OAK-ut, Osman Havolli, tha se shteti duhet të përkujdeset që ta sfidojë situatën aktuale, për të mundësuar zbatueshmërinë e ligjit për funksionimin e drejtësisë dhe për të përmbushur standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. “Duhet bërë vetëdijesimi i institucioneve të drejtësisë për praktika më të arsyeshme gjyqësore, të cilat do të ndikonin në rrjedhshmërinë e proceseve gjyqësore, për të mundësuar përfaqësimin e të pandehurve me avokat mbrojtës”.

Tryezat Bench Bar janë organizime tradicionale të OAK-ut nëpër të gjitha regjionet e Kosovës, qëllimi i të cilave është përmirësimi i bashkëpunimit midis Gjykatës, Prokurorisë, Avokatëve dhe Policisë.