PREJ 4 NËNTORIT 2013 DERI MË 30 SHTATOR 2014 PROKURORËT ZGJIDHIN 396 RASTE ME 974 PERSONA PËR KORRUPSION

PREJ 4 NËNTORIT 2013 DERI MË 30 SHTATOR 2014 PROKURORËT ZGJIDHIN 396 RASTE ME 974 PERSONA PËR KORRUPSION

Prishtinë, 24 nëntor 2014 – Koordinatorja nacionale kundër korrupsionit, pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Prokurorja Laura Pula, përmes kësaj komunikate njofton opinionin lidhur me aktivitetet dhe mbikëqyrjen e zbatimit të Planit të veprimit për rritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial në luftimin e korrupsionit dhe për të arriturat në këtë drejtim.

Që nga fillimi i zbatimit të planit të veprimit më 4 nëntor 2013 e deri më 30 shtator 2014, prokuroritë kanë pasur në punë 971 raste ndaj 2589 personave, përfshirë periudhën kohore para datës 4 nëntor 2013 dhe rastet që ka pranuar  pas kësaj date.

Gjatë kësaj periudhe (4 nëntor 2013 – 30 shtator 2014), prokuroritë kanë arritur të zgjidhin 396 raste ndaj 974 personave. Prokuroritë rastet ndaj 974 personave i kanë zgjidhur në këtë mënyrë:

–          Për 228 persona janë hudhur kallëzimet penal;

–          Për 307 persona janë pushuar hetimet;

–          Për 43 persona është ngritur aktakuzë për dhënien e urdhrit ndëshkimor;

–          Për  64  persona është ngritur Aktakuzë e drejtpërdrejtë;

–          Për 332 persona është ngritur aktakuzë pas zhvillimit të hetimeve.

Njoftojmë opinionin se me qëllim të rritjes se transparencës dhe llogaridhënies, me vendim të u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit në ueb-faqen e Prokurorit të Shtetit ka filluar publikimi i të gjitha aktakuzave për raste të korrupsionit, të cilat janë ngritur nga data 4 nëntor 2013 e tutje, e që deri më tani në ueb-faqe të Prokurorit të Shtetit janë publikuar 234 akte akuzuese për vepra penale kundër korrupsionit.

Me rekomandim të koordinatores nacionale dhe me qëllim të vazhdimit të rritjes së transparencës dhe respektimit të drejtave dhe lirive të të pandehurve në procedurë penale, u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit Sylë Hoxha, ka marrë vendim që në ueb-faqe të Prokurorit të Shtetit të publikohen edhe vendimet mbi pushimin e hetimeve dhe hudhjet e kallëzimeve penale.

Koordinatorja nacionale kundër korrupsionit, Laura Pula, në vazhdimësi dhe në kohë reale do të njoftojë opinionin publik me zbatimin e plani të veprimit.