“NË KËRKIM TË RRUGËS PËR LUFTIMIN E KORRUPSIONIT: Në mes dy zjarreve, persekutimit dhe dështimit”

Tuesday 18 August, 2015

IMG_2087

Prishtinë, 18 gusht 2015 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të martën ka mbajtur konferencë për media në zyrat e saj, ku ka publikuar raportin e radhës të titulluar “Në kërkim të rrugës për luftimin e korrupsionit: Në mes dy zjarreve, persekutimit dhe dështimit”. Ky raport është përpiluar si rezultat i monitorimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm prej hyrjes në fuqi (më 4 nëntor 2013) të Planit të Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit. Në vazhdim gjeni një përmbledhje ekzekutive të gjetjeve të raportit rreth rezultateve në luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Luftimi i korrupsionit në Kosovë mbetet prioritet absolut i shpallur në letër nga të gjitha institucionet relevante që kanë për mandat parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Megjithatë, vazhdimisht mungojnë rezultatet konkrete, sidomos në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

I gjendur në një pozitë të palakmueshme me kritika të vazhdueshme për mungesë të rezultateve në luftimin e korrupsionit, Këshilli Prokurorial i Kosovës, më 4 nëntor 2013, ka miratuar Planin e Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit. IKD ka monitoruar dhe vlerësuar vazhdimisht zbatimin e këtij plani. Gjetjet e IKD-së dëshmojnë se as 20 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij plani, sistemi prokurorial assesi nuk arritur të ulë numrin e rasteve të pazgjidhura të korrupsionit. Efikasiteti i sistemit prokurorial, institucioneve dhe agjencive tjera që zbatojnë ligjin në Kosovë në fushën e luftimit të korrupsionit mbetet i ultë, rrjedhimisht nuk ka ende rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit në Kosovë, sidomos korrupsionit të nivelit të lartë.

Me hyrjen në fuqi të Planit të Veprimit, më 4 nëntor 2013, prokuroritë kanë pasur në punë 516 raste të pazgjidhura me 1,682 persona, ndërsa më 30 qershor 2015 kanë mbetur 589 raste të pazgjidhura me 1,706 persona. Bazuar në numrin e rasteve të pazgjidhura më 4 nëntor 2013 (516 raste me 1,682 persona) dhe numrin e rasteve të pranuara gjatë Planit të Veprimit deri më 30 qershor 2015 (716 raste me 1,441 persona), rezulton se prokuroritë kanë pasur në punë 1,232 raste me 3,123 persona. Prej këtij numri të përgjithshëm prokuroritë kanë arritur të zgjidhin 688 raste apo 56 % të tyre me 1,598 persona apo 51 % të tyre. Prej gjithsej 1,598 personave ndaj të cilëve janë zgjidhur rastet në përgjithësi, prokurorët ndaj 780 personave kanë ngritur aktakuza, ndërsa ndaj 818 personave kanë hudhur poshtë kallëzimet penale apo kanë pushuar hetimet.

IKD ka analizuar vazhdimisht performancën e secilës prokurori. Shqetësuese mbetet performanca e dy prokurorive, PTh në Prishtinë dhe PSRK. Kjo e fundit, ka kompetencë ekskluzive luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Analiza tregon se 7 prokurorët e caktuar në lëndët e korrupsionit në PSRK është dashur të zgjidhin të gjithë së bashku, brenda një viti 154 raste të korrupsionit, përderisa për 20 muaj nga hyrja në fuqi e Planit të Veprimit të gjithë së bashku kanë zgjidhur vetëm 34 raste të korrupsionit me 186 persona, që rezulton se kjo prokurori në përqindje ka arritur të zgjidhë vetëm 13.27 për qind të rasteve të normës orientuese vjetore të përcaktuar për secilin prokurorë. Performanca e kësaj prokurorie, rezulton të jetë e dobët në përgjithësi, bazuar edhe në raportin vjetor të punës së PSH-së për vitin 2014, ku kjo prokurori për një vit ka zgjidhur 78 raste, ndërsa ka pranuar në punë 152 raste të reja. Sipas normës orientuese vjetore, kjo prokurori do duhej të përfundonte gjatë vitit 264 raste në raport me numrin prej 12 prokurorëve që kanë punuar, që rezulton se kjo prokurori ka realizuar normën vjetore të punës për vetëm 29.54 për qind. Për dallim prej PSRK-së, prokuroria simotër, e cila vepron në Kroaci, me kompetenca pothuajse të njëjta sikurse PSRK,  në vitin 2012, në përgjithësi prej 283 aktakuzave të ngritura dhe të përfaqësuara në gjykatat kroate ka arritur të mbrojë 95 për qind  të tyre, duke u shpallur 252 aktgjykime dënuese për këto aktakuza.

Bazuar në këto rezultate dhe në mënyrën e zgjidhjes së rasteve të korrupsionit në përgjithësi, IKD vlerëson se sistemi prokurorial ka mbajtur peng një numër të madh të qytetarëve,  të cilët janë përfshirë në evidencat penale si persona të dyshuar, rastet e të cilëve janë mbajtur në sirtar për vite të tëra.  Sistemi prokurorial në vazhdimësi ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të të pandehurve në procedurë, duke mos i trajtuar lëndët e tyre brenda një afati të arsyeshëm kohor dhe brenda afateve të përcaktuara ligjore. Fakti se mbi gjysma e personave janë mbajtur në evidenca penale padrejtësisht për vite të tëra, është dëshmi se kjo është formë persekutimi ndaj këtyre personave dhe drejtësi selektive.

IKD vlerëson se sistemi prokurorial gjendet në mes dy zjarreve, nevojës për të dëshmuar rezultate se janë duke kryer obligimet ligjore, duke persekutuar persona të ndryshëm ndaj të cilëve iniciojnë raste dhe bëjnë spektakle dhe dështimit të tyre në kryerjen e misionit. Gjithë kjo bazohet në faktin se ka shumë procedura të iniciuara dhe veprime ligjore, por të cilat të cilat përfundojnë pas shumë vitesh me epilog të dështuar. Ndërkohë, nuk ka rezultate konkrete të luftimit të korrupsionit të nivelit të lartë, kritikë e vazhdueshme e faktorit vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në këtë situatë, sistemi i drejtësisë ende vazhdon të kërkojë rrugën për luftimin e korrupsionit, ndërkohë veprimet e ndërmarra deri më tani në zbatimin e Strategjive dhe Planeve të Veprimit më shumë kanë dëshmuar përpjekje për të dëshmuar prezencën e tyre sesa luftimin e vërtetë të korrupsionit, duke e provuar  me prova dhe dëshmi para gjykatës.

IKD gjatë monitorimit të zbatimit të Planit të Veprimit për luftimin e korrupsionit, ka gjetur se ende nuk ka kategorizim të lëndëve të korrupsionit të cilat duhet të ndiqen dhe cilat janë prioritet i këtij sistemi. Njëherësh kjo është edhe kërkesë e partnerëve ndërkombëtare drejt plotësimit të kritereve për Liberalizim të Vizave dhe Marrëveshjes për Stabilizim Associm. Në këtë drejtim, IKD ka shfrytëzuar ekspertizën e saj për të rekomanduar një Plan të Veprimit, përmes të cilit do të përcaktohen obligimet e qarta dhe do të bëhet përfundimisht kategorizimi i lëndëve të korrupsionit dhe të adresohen kërkesat e partnerëve ndërkombëtare.

Mungesa e rezultateve në luftimin e korrupsionit theksohet qartë në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2014, ku thuhet se zbatimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kundër-Korrupsionit ka dështuar të gjenerojë rezultate efektive, për shkak të mbështetjes së dobët politike. Mungesa e vullnetit politik në luftimin e korrupsionit, mos-koordinimi dhe bashkëpunimi efikas dhe efektiv në mes të agjencive dhe institucioneve ekzekutive dhe atyre të pavarura në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, ndikon drejtpërdrejtë në mungesën e rezultateve në luftimin e korrupsionit në Kosovë.

KPK në vitin 2013, ka themeluar dhe funksionalizuar Mekanizmin Përcjellës për harmonizimin e raporteve statistikore lidhur me veprat penale karakteristike, duke përfshirë edhe veprat penale të korrupsionit. Ky mekanizëm ka për qëllim koordinimin dhe bashkërenditjen e aktiviteteve në mes të Prokurorit të Shtetit, Gjykatave, Policisë, AKK-së, dhe agjencive tjera që zbatojnë ligjin në Kosovë në harmonizimin e raporteve statistikore. Që nga  funksionalizimi i këtij mekanizmi KPK ka miratuar raportet vjetore për vitin 2013 dhe për vitin 2014, duke përfshirë edhe raportin analitik dhe krahasimor për vitet 2013 dhe 2014, lidhur me këto vepra penale.

Me qëllim të trajtimit në mënyrë më profesionale dhe më efikase rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurori i Prokurorëve të EULEX-it, në vitin 2014, kanë miratuar Udhëzimin Administrativ përmes së cilit është përcaktuar se të gjitha rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, do të trajtohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.  Ky Udhëzim iu ishte shpërndarë të gjitha institucioneve dhe agjencive që bashkëpunojnë me Prokurorin e Shtetit. Në vitin 2013, Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor kanë caktuar koordinatorë në të gjitha prokuroritë dhe gjykatat e vendit si pika kontaktuese me qëllim të prioritizimit të këtyre rasteve.

Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit i themeluar nga Presidentja e Republikës, edhe përkundër takimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme  me qëllim të koordinimit të aktiviteteve me akterët kryesorë që kanë për mandat parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, ende në praktikë nuk vërehet ndikimi i saj me rezultate konkrete përveç monitorimit sistematik për të siguruar një qasje të harmonizuar dhe efektive në luftën kundër korrupsionit.

Pavarësisht miratimit të politikave dhe ndërmarrjes së një mori aktiviteteve nga këto institucione dhe prioritetizimit të rasteve, rezultatet kanë qenë të kufizuara, me shumë pak raste të korrupsionit që rezultojnë në vendime përfundimtare gjyqësore. Perceptimi lidhur me korrupsionin në Kosovë, mbetet i përhapur në shumë fusha, ku prokurimin publik mbetet një ndër sfidat kryesore dhe një problem serioz që duhet të adresohet urgjentisht. Ndërkohë, besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë si asnjëherë më parë ka shënuar rënien më madhe. 

KLIKO këtu për të shkarkuar raportin në SHQIP dhe ANGLISHT