“Mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit dhe politikave në luftimin e korrupsionit”

“Mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit dhe politikave në luftimin e korrupsionit”

“Mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit dhe politikave në luftimin e korrupsionit”

Prishtinë, 06 dhjetor 2016 –  Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) , në kuadër të “Java kundër korrupsionit” #bashkeendreqim,  ka mbajtur tryezën me temën: “Mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit dhe politikave në luftimin e korrupsionit”. Në këtë tryezë u publikua raporti preliminar i monitorimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, i cili i referohet periudhës tre mujore korrik, gusht, shtator 2016.

“Java kundër korrupsionit” është aktivitet i përbashkët nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Çohu, Demokraci Plus (D+), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin Zv/Ambasadorja e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, znj. Colleen Hyland, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, z. Nehat Idrizi, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale në Republikën e Kosovës, z. Reshat Millaku dhe Hulumtuesi i Lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi, z. Ehat Miftaraj.

Në fjalën e saj hyrëse, Zv/Ambasadorja Amerikane, znj. Colleen Hyland ka theksuar mbështetjen që kjo ambasadë i ka dhënën në vazhdimësi të gjitha përpjekjeve për të luftuar korrupsionin në Kosovë. Sipas saj, shoqëria civile luan një rol shumë të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit, sidomos duke dhënë rekomandime në atë se çka duhet të përmirësohet. Duke folur për rolin e shoqërisë civile, ajo ka inkurajuar punën e Institutit të Kosovës për Drejtësi, në monitorimin e rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor. Gjatë kësaj tryeze, Zv/Ambasadorja Amerikane, ka folur po ashtu edhe për punën e gjyqësorit dhe prokurorive, duke theksuar se tashmë publiku ka humbur besimin në këto dy sisteme. “Anketat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, tregojnë se ata nuk besojnë në drejtësi, hetimet për korrupsion po zgjasin shumë, kurse aktakuzat për korrupsion kurrë nuk po përfundojnë me dënime” u shpreh Hyland.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi ka përgëzuar punën Institutit të Kosovës për Drejtësi, për raportin e publikuar, duke theksuar se të gjitha rekomandimet e prezantuara në raport, do të analizohen nga ana e KGJK-së dhe do të bëjnë përpjekje që t’i vënë në zbatim. Kryesuesi i KGJK-së, gjatë fjalës së tij hyrëse, foli për planin e veprimit për luftimin e korrupsionit, për të cilin tha se përmes tij kanë filluar që të arrihen rezultate. “Për ne jetike është lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe për këtë edhe kemi hartuar planin e veprimit për luftimin e korrupsionit në shkurt të këtij viti, ku e falënderojmë edhe një herë IKD-në që na ka ndihmuar në këtë drejtim. Me këtë plan kemi marrë detyrë që të paraqiten dobësitë në rastin e trajtimit të lëndëve të korrupsionit dhe që nga fillimi i zbatimit të këtij plani, kanë filluar të arrihen rezultate”. Sa i përket ndjekjes së personave të profilit të lartë në Kosovë, z. Idrizi tha se nuk ka persona të këtij niveli ashtu siç e pret publiku, por nëse prokuroritë kanë në punë persona të profilit të lartë, atëherë gjykatat do t’i trajtoj këto raste me prioritet.

Ndërkaq Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale në Republikën e Kosovës, z. Reshat Millaku, prezantoi para panelistëve dhe pjesëmarrësve të tryezës, punën që ka bërë deri më tash kjo prokurori. Sipas tij, nuk është e vërtetë që organet e ndjekjes janë të korruptuara e as të kapura nga shteti. “Po e shoh në disa media që po përhapin informacion se prokurorët po ngritin aktakuza pa arsyetime dhe në baza politike, por kjo nuk ekziston. Të gjithë flasim për korrupsion, e kanë përhapë tek popullata që ky vend është i korruptuar, por perceptimet nuk janë fakte”. Sipas kreut të kësaj prokurorie, organet e ndjekjes po ndjekin edhe profilet e larta dhe duhet pasur gjithmonë parasysh numrin e vogël të prokurorëve dhe numrin shumë të madh të lëndëve.

Pas fjalëve hyrëse të panelistëve, hulumtuesi i lartë ligjor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, z. Ehat Miftaraj, ka prezantuar para të pranishmëve raportin preliminar të IKD-së, me titull “Trendet e Trajtimit të Rasteve të Korrupsionit – Raport i monitorimit të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë”. Në këtë raport periodik, monitoruesit e këtij instituti, kanë paraqitur të gjeturat e procesit të monitorimit në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, i cili i referohet periudhës tre mujore korrik, gusht, shtator 2016.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin Kryetarët e Gjykatave Themelore, Kryeprokurorët e Prokurorive Themelore, gjykatës, prokurorë, përfaqësues të Ambasadës Amerikane, përfaqësues të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.

Rreth gjetjeve konkrete të draft raportit të IKD-së, gjeni të bashkangjitur raportin e plotë preliminar, ndërkaq pas komenteve dhe diskutimit të zhvilluar gjatë tryezës, IKD në ditët në vazhdim do të publikoj raportin e plotë. Gjithashtu gjeni të bashkëngjitura edhe fotot e realizuara në këtë ngjarje.