Luftimi i korrupsionit në Kosovë, prioritet në letër

Konferenca

Thursday 10 December, 2015

Shkarko dokumentin:  Shqip   |  English

Prishtinë, 10 dhjetor 2015 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, në kuadër të tryezës me temën “Lufta kundër korrupsionit në Kosovë: Dështimet dhe progresi“, është publikuar raporti i IKD-së “Luftimi i korrupsionit në Kosovë, prioritet në letër” raport vlerësues gjithëpërfshirës mbi efikasitetin e sistemit prokurorial dhe sistemin gjyqësor në trajtimin e rasteve të korrupsionit. Në vazhdim është paraqitur përmbledhja ekzekutive dhe rekomandimet e raportit.

Korrupsioni vazhdon të mbizotëroj në shumë fusha dhe është shqetësim i madh për popullin e Kosovës.  Indeksi i perceptimit të korrupsionit në Kosovë sipas Amnesty International është 2.9, dhe klasifikohet si nivel i korrupsionit të “shfrenuar”. Organizata për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik, ka raportuar gjithashtu se “Kosova mbetet tolerante ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet, që nënkupton se rrezikun i të qenurit (apo edhe është aktualisht) ”shtet i kapur” është i lartë 3P. Përtej këtij perceptimi, lufta kundër korrupsionit në Kosovë vazhdon të mbetet prioritet absolut për të gjitha institucionet shtetërore. Kjo luftë është shndërruar në retorikë politike nga paria udhëheqëse e Kosovës, drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, përfshi edhe udhëheqësit ndërkombëtarë të Misionit të EULEX-it. Fatkeqësisht, përtej kësaj retorike nuk ka pasur vullnet dhe rezultate konkrete për të luftuar korrupsionin në Kosovë, sidomos korrupsionin e profilit të lartë. Mungesa e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit nga institucionet përgjegjëse, është bërë pengesë në rrugën drejt integrimit evropian. Kosova, mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave. Qytetarët e Kosovës, mbesin të vetmit në Evropë që iu kufizohet e drejta e lëvizjes, për shkak të dështimit të politikës dhe sistemit të drejtësisë për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në pajtim me mandatin me të cilin janë zgjedhur apo emëruar.

Republika e Kosovës nuk vuan nga mungesa e ligjeve dhe politikave për të luftuar korrupsionin. Vuan nga ndikimet politike në sistemin e drejtësisë, të cilat lidhen me mungesën e vullnetit për të përkrahur sistemin gjyqësor dhe prokurorial me resurse të mjaftueshme buxhetore, që ua mundësojnë ushtrimin e funksioneve në mënyrë të pavarur. Faktor i rëndësishëm pse mungojnë rezultatet në luftimin e korrupsionit mbetet mungesa e llogaridhënies dhe instalimi i kulturës së pandëshkueshmërisë.

IKD si rezultat i monitorimit të performancës së sistemit prokurorial dhe sistemit gjyqësor në trajtimin e rasteve të korrupsionit ka gjetur se përkundër miratimit të ligjeve dhe risive në drejtësinë penale,  politikave adekuate për luftimin e korrupsionit, të njëjtat nuk gjejnë zbatim në praktikë. Trendi i rasteve të pazgjidhura të korrupsionit nëpër prokurori shënon në rritje. Derisa më 4 nëntor 2013 ishin 516 raste të korrupsionit të pazgjidhura me 1682 persona, më 30 shtator 2015 ky numër është rritur në 636 raste të pazgjidhura me 1753 persona. Ky trend dëshmon mungesën e vullnetit praktik për të trajtuar rast e korrupsionit me prioritet absolut. Luftimi i korrupsionit mbetet vetëm përkushtim dhe vullnet në letër. Prej 4 nëntorit 2013 deri më 30 shtator 2015, Prokuroritë Themelore dhe PSRK, kanë pasur në punë 1334 raste me 3308 persona, prej tyre i kanë zgjidhur 766 raste me 1757 persona. Karakteristikë e këtyre rasteve është mënyra e zgjidhjes së tyre nga prokuroritë. Nga numri prej 1757 personave, ndaj të cilëve janë zgjidhur rastet, vërehet numër i madh i mbylljes së rasteve ndaj personave të dyshuar për korrupsion. Nga 1757 persona që kanë qenë subjekt të procedurave penale për korrupsion, ndaj 882 personave rastet janë mbyllur nëpër prokurori. Respektivisht, prokuroritë gjatë kësaj periudhe kohore kanë ngritur aktakuza ndaj 875 personave, kanë hudhur kallëzimet penale ndaj 476 personave dhe kanë pushuar hetimet ndaj 406 personave. Numri i madh i rasteve të mbyllura nëpër prokurori, dëshmon disa anë të medaljes, se sistemi i drejtësisë në Kosovë i persekuton qytetarët e saj, ose sepse mungon ekspertiza dhe profesionalizmi i zyrtarëve që iniciojnë dhe hetojnë rastet e korrupsionit, apo institucionet e drejtësisë në Kosovë janë nën presion të lartë nga faktori vendor dhe ndërkombëtar për të treguar rezultate dhe nën këtë presion iniciojnë numër të madh të procedurave penale, të cilat në fund përfundojnë me mbyllje të rasteve dhe shkelje të drejtave dhe lirive të qytetarit. Gjatë kësaj periudhe IKD ka identifikuar 62 raste të korrupsionit të parashkruara, ndërsa vetëm në gjashtë muajt e fundit të monitorimit të prokurorive, janë identifikuar 12 raste të parashkruara.

Ndjekja e profilit të lartë të korrupsionit vazhdon të mbetet sfida kryesore e sistemit prokurorial. Mungesa e vazhdueshme e rezultateve për vite tëra dhe zbatimi i drejtësisë selektive në raste të caktuara  në ndjekjen e personave të fuqishëm ka ndikuar në humbjen e besimit të qytetarëve në sistemin prokurorial. Kënaqshmëria e qytetarëve me punën e Prokurorit të Shtetit në periudhën mars – shtator 2015 ka shënuar rënien më të madhe të të gjitha kohërave me vetëm 12.8%.

IKD për dështimet më të mëdha në luftimin e korrupsionit të profilit të lartë ia faturon EULEX-it, i cili deri në qershor 2014 ka udhëhequr me PSRK dhe ka pasur kompetenca ekskluzive në këtë fushë. Kjo natyrisht nuk i amniston prej përgjegjësisë prokurorët vendorë në PSRK. Performanca e këtyre prokurorëve në luftimin e korrupsionit të profilit të lartë, rezulton se është minimale, pasi të njëjtit kanë arritur të përmbushin normën orientuese vjetore vetëm 13.26 për qind. Prej 1 janarit 2015 deri më 30 shtator 2015, PSRK ka zgjidhur raste ndaj 62 personave, prej tyre ndaj 51 personave ka ngritur aktakuza, ndaj 6 personave ka hudhur poshtë kallëzimet penale, ndërsa ndaj 5 personave ka pushuar hetimet. Prej këtyre rasteve, IKD ka gjetur se PSh ka bërë publikimin e informacioneve për këtë periudhë për ngritjen e aktakuzave vetëm në pesë raste, ku të përfshirë në bazë të pozitave janë: një (1) ish-Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, një (1) ish-Kryetar Komune, një (1) ish-Sekretar i Përgjithshëm, 18 zyrtarë komunalë, gjashtë (6) pronar të kompanive, një (1) drejtor, një (1) drejtor instituti, tre (3) menaxherë, dy (2) zyrtar dhe një rast ndaj personave që ndërlidhet me dyshimet për keqpërdorime në ish-Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit. Gjatë monitorimit të rasteve të korrupsionit, IKD ka gjetur se PSh në publikimin e informatave dhe në informimin e publikut zbaton drejtësi selektive, duke aplikuar standarde të dyfishta për personat ndaj të cilëve janë ngritur aktakuzat, ku në raste të caktuara publikon detajet e emrave të të akuzuarve, ndërsa në raste tjera i kursen.

Monitoruesit e IKD-së, prej 1 korrikut 2015 deri më 30 nëntor 2015 kanë monitoruar 276 seanca gjyqësore, ku përfshihen 171 raste të korrupsionit me 367 persona. Bazuar në analizën e detajuar të bërë në 60 raste të monitoruara, rezulton se në secilën fazë të procedurës penale, ka shkelje të afateve ligjore si prej prokurorëve si prej gjykatësve. Prej këtyre proceseve gjyqësore janë analizuar 10 rate të korrupsionit, për të cilat është shpallur aktgjykimi. Rasti që ka zgjatur më së shumti prej kohës së ngritjes së kallëzimit penal deri në shpalljen e aktgjykimit në shkallë të parë ka marrë kohë 1405 ditë (Gjykata Themelore në Prishtinë), ndërsa rasti që ka marr kohë më të shkurtër ka qenë në 281 ditë (Gjykata Themelore në Ferizaj).  Gjatë monitorimit të këtyre rasteve, IKD gjen se profili i personave subjekt i procedurave gjyqësore ishin vetëm 4 zyrtarë të lartë, prej tyre dy kryetar komunash, një ish-anëtar të KGJK-së dhe Kryetari i OSHP-së, ndërsa pjesa tjetër e të akuzuarve janë kryesisht profil i ulët eventualisht profil i mesëm.

Problemet e njëjta me të cilat përballet sistemi prokurorial përballet edhe sistemi gjyqësor sa i përket trajtimit me prioritet të lëndëve të korrupsionit. Për t’iu qasur seriozisht këtyre lëndëve, KGJK më 25 shtator 2015 ka miratuar një plan të veprimit, përmes të cilit janë identifikuar të gjitha rastet e korrupsionit nëpër gjykata dhe të njëjtat janë caktuar për tu proceduar.

Mosrespektimi i afateve ligjore dhe politikave për luftimin e veprave penale të korrupsionit ndikojnë në shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe në amnistinë e personave të përfshirë në korrupsion. Zvarritja e zgjidhjes së rasteve me vite të tëra nëpër institucionet e drejtësisë vazhdon të mbetet dështimi më i madh i këtij sistemi në realizimin e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilat garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. IKD vlerëson se avancimi i legjislacionit penal nuk i është përgjigjur rrethanave dhe kushteve ekzistuese të sistemit të drejtësisë si dhe ka munguar vullneti politik që të njëjtat të ndryshohen pozitivisht për të mundësuar zbatimin e kodeve në praktikë. Ndryshe, nëse do të ekzistonte një vullnet i tillë i pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, pushteti gjyqësor do të kishte mundësinë që të dëshmojë vetën, duke u këndellur, për të ofruar drejtësi në mënyrë të barabartë dhe të paanshme për të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë të njejtë, respektivisht duke mbrojtur liritë dhe të drejtat e qytetarëve, duke zbatuar me efikasitet dhe efektivitet dispozitat e dy kodeve, për të trajtuar rastet në një kohë të arsyeshme në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe obligimet e përcaktuara më Kushtetutë dhe Kodin e Procedurës Penale. Me qëllim të adresimit të kësaj çështje jo vetëm në rastet e korrupsionit por edhe tek veprat tjera penale, është e domosdoshme që Ministria e Drejtësisë, të filloj procesin e rishikimit të drejtësisë penale për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve nga institucionet e drejtësisë.

Edhe sa i përket sekuestrimit dhe konfiskimit të dobisë pasurore të fituar me vepër penale, në rastet e korrupsionit, nuk shihet se ka progres.  Prokurorët ende nuk po gjejnë rrugën për të aplikuar dispozitat e ligjit të aplikueshëm lidhur me këtë fushë, të rëndësishme. Çështja e raportimeve në publik rreth sekuestrimeve dhe konfiskimeve të pasurive të fituara përmes veprave penale ka krijuar keqkuptime rreth realitetit të rezultateve që ndërlidhen me veprat penale të korrupsionit. Fillimisht, IKD vlerëson se performanca në luftimin e kryesve të veprave penale që kanë përfituar dobi pasurore përmes veprave penale duhet të matet ekskluzivisht me aktgjykime përfundimtare që sjellin konfiskim, në të kundërtën, veprimet procedurale nuk janë reprezentative për të treguar gjendjen reale, gjithnjë bazuar në praktikat e mbrapshta të ndërtuara deri më tash.

Monitorimi i IKD-së tregon se ka minimalisht rezultate të dobisë së sekuestruar dhe konfiskuar që ndërlidhen me veprat penale të korrupsionit, ndërsa të dhëna të sakta për këtë kategori nuk janë të sistemuar në asnjë institucion të drejtësisë, edhe pse janë proklamuar mekanizma në praktikë për të gjurmuar këto raste.

REKOMANDIMET

  1. Ministria e Drejtësisë rekomandohet të themeloj grup punues të përbërë me  përfaqësues të MD-së, KGJK-së, KPK-së, gjykatës dhe prokurorë me përvojë, ekspert të jashtëm me përvojë dhe ekspertizë nga e drejta penale, ekspertë nga shoqëria civile për rishikimin e drejtësisë penale. Grupi punues rekomandohet të ketë kohë të mjaftueshme për të bërë një vlerësim të gjendjes aktuale lidhur me drejtësinë penale në Kosovë, të identifikoj problemet që paraqitën në praktikë nga zbatuesit e ligjit dhe të del më një raport të detajuar lidhur me veprimet dhe hapat që duhet të ndërmerren me qëllim të zbatimit të drejtë të ligjit penal në Kosovë, respektimit të drejtave dhe lirive të njeriut, ngritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies.  Rishikimi i drejtësisë penale rekomandohet të përfshij edhe funksionimin dhe rezultatet e çdo mekanizmi apo zyre të themeluar përmes memorandumeve të bashkëpunimit apo ndonjë dokumenti tjetër strategjik me qëllim të ngritjes së efikasitetit në luftimin e korrupsionit.

 

  1. KGJK rekomandohet të monitoroj në mënyrë proaktive Gjykatat Themelore në zbatimin e obligimeve të tyre që dalin nga plani i veprimit për trajtimin e rasteve të korrupsionit.

 

  1. Gjykatat Themelore në tërë Kosovën, në veçanti Gjykata Themelore në Prishtinë rekomandohet që rastet e korrupsionit t’i trajtojnë me prioritet absolut.

 

  1. Gjykatat Themelore në tërë Kosovën, në veçanti Gjykata Themelore në Prishtinë, rekomandohet që rastet që paraqitën nga PSRK, t’i trajtojnë me prioritet absolut, duke u siguruar që aktakuzat e paraqitura nga kjo prokurori të trajtohen në pajtim të plotë me afatet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale.

 

  1. Gjykatat Themelore në tërë Kosovën të ofrojnë transparencë të plotë për publikun, mediat dhe shoqërinë civile në  monitorimin  e rasteve të korrupsionit në pajtim me ligjin e aplikueshëm.

 

  1. KPK vullnetin dhe përkushtimin e shprehur përmes politikave të miratuara në Këshill, lidhur me luftimin e korrupsionit në Kosovë ta zbatojë në praktike, me veprime konkrete.

 

  1. KPK të ndërtoj mekanizëm efikas të mbikëqyrjes dhe kontrollit të punës së PSRK dhe PTh-ve në trajtimin e rasteve të korrupsionit, duke u siguruar në ruajtjen e pavarësisë individuale të prokurorëve gjatë trajtimit të rasteve të korrupsionit.

 

  1. PSh dhe KPK rekomandohet të ndërmarrin masat urgjente të parapara me ligj, për të luftuar korrupsionin e brendshëm në sistemin prokurorial të Kosovës, respektivisht të ndaloj praktikat e deri tanishme të mos ndëshkimit të prokurorëve, të cilët kanë dështuar në zbatimin e planit të veprimit.

 

  1. KGJK dhe KPK në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë që mbështesin sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës rekomandohet të themelojnë një Komision të përzier me vendorë dhe ndërkombëtarë, për të analizuar të gjitha rastet disiplinore në ZPD, të cilat mund të jenë parashkruar si rezultat i plotësim ndryshimit të ligjeve të gjyqësorit. Komisioni, duhet të përgatisë raport të detajuar lidhur me numrin e rasteve të parashkruara, llojin e rasteve të parashkruara, dhe përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve në ZPD, lidhur me këto raste.

 

  1. PSRK rekomandohet të inicioj hetime urgjente lidhur me emërimet e fundit në bordet e pavarura dhe në autoritetet rregullative. PSRK të hetoj lidhur me procesin e emërimit të anëtarëve të këtyre bordeve nëse janë respektuar procedurat dhe ligji i aplikueshëm.

 

  1.  PSRK rekomandohet të trajtoj vetëm lëndët e korrupsionit të nivelit të lartë,  lëndët e korrupsionit më komplekse dhe sensitive.

 

  1. Kryeprokurori i Shtetit të anuloj Vendimin me numër A.nr.404/2015. 6 tetor 2015 për krijimin e një Komisioni Mbikëqyrës për rastet penale të korrupsionit në përbërje me Zëvendës Kryeprokuroren e Shtetit, Sevdije Morina dhe tre prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Lulëzim Sylejmani dhe Laura Pula. Ky vendim ka përcaktuar që Komisioni ka për detyrë të vizitojë të gjitha prokuroritë dhe të kërkoj nga secili prokuror rastet e korrupsionit që i kanë në punë, për të vlerësuar veprimet e ndërmarra nga ta. Pas verifikimit, Komisioni ka për detyrë të përgatisë raport tek Kryeprokurori i Shtetit. Një vendim i tillë është në kundërshtim me frymën e ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe cenon rëndë pavarësinë e prokurorëve në trajtimin e lëndëve individuale dhe mund të konsiderohet ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e prokurorëve.

 

  1. KPK në bashkëpunim me KGJK, institucionet dhe agjencitë tjera që e zbatojnë ligjin duhet të kenë rol më proaktiv në ngritjen e bashkëpunimit, komunikimit dhe koordinimit në rastet e korrupsionit.

 

  1. KPK rekomandohet të bëjë një vlerësim të gjithëmbarshëm të zbatimit të obligimeve që dalin nga Plani i Veprimit dhe i njëjti duhet të plotësohet në fushat ku janë paraqitur pengesa në zbatimin e tij; veçanërisht vëmendje duhet t’i kushtohet kualitetit të kallëzimeve penale të hudhura poshtë dhe rasteve kur janë pushuar hetimet, në mënyrë që të zgjidhet kjo problematikë dhe të mundësohet krijimi i politikave adekuate për luftimin e korrupsionit.

 

  1. KPK rekomandohet që përmes plotësim ndryshimit të Planit të Veprimit, të bëjë kategorizimin e niveleve të korrupsionit nëpër Prokurori; IKD përsëritë  rekomandimin për tri kategori që do të përfshinin:

 

  1. Kategoria 1 rekomandohet të përfshijë rastet e korrupsionit që hyjnë në kuadër të kompetencës së PSRK-së, të cilat duhet të kenë prioritet absolut. Në këtë kategori do duhej të hynin lëndët ku të dyshuar për kryerjen e veprës penale të korrupsionit janë personat zyrtar që ushtrojnë funksione të larta, siç janë të përcaktuara në Udhëzimin për caktimin e korrupsionit të nivelit të lartë të nënshkruar nga Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryeprokurori i Prokuroreve të EULEX-it;

 

  1. Kategoria 2 e rasteve të korrupsionit rekomandohet të përfshin të gjitha rastet kur vlera monetare e keqpërdorimit kalon 100.000 Euro dhe këto lëndë do të duhej të trajtoheshin më prioritet absolut.

 

  1. Kategoria 3 e rasteve të korrupsionit rekomandohet të përfshihen të gjitha rastet që janë parashtruar para vitit 2013, dhe ku do të duhej të caktohej një afat prej maksimum një viti që të njëjtat të përfundohen.

 

  1. KPK rekomandohet të përgatisë formularë që do të përfshiheshin në bazën e të dhënave, ku do të regjistroheshin rastet e zgjidhura, duke përfshirë pozitat e personave ndaj të cilëve janë zgjidhur rastet (nëse janë hudhur kallëzimet penale, janë pushuar hetimet apo janë ngritur aktakuza) në mënyrë që të mundësohet identifikimi i saktë i rezultateve të luftës kundër korrupsionit.

 

  1. PSh të identifikoj lëndët që ndërlidhen me prokurimin publik dhe të njëjtat të trajtohen nga prokurorët me përvojë dhe ekspertët anti-korrupsion në PSRK, në koordinim të ngushtë të aktiviteteve dhe veprimeve në mes të prokurorit të rastit me policinë dhe agjencitë tjera të pavarura dhe të specializuara, në trajtimin e këtyre rasteve.

 

  1. KPK të organizoj trajnime të detyrueshme me të gjithë prokurorët lidhur me zbatimin e obligimeve që dalin nga ligji për paraqitjen e kërkesave për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë së fituar me vepër penale të korrupsionit.

 

  1. KPK urgjentisht të shpall konkurs për prokurorë në PSRK, sipas procedurave të parapara me ligj për plotësimin e pozitave të lejuara në këtë prokurori.

 

  1. KPK urgjentisht të shpall konkursin për emërimin e Kryeprokurorit të PSRK.