“Luftë për luftën kundër korrupsionit”

Thursday 27 October, 2016

mx5a0033

Prishtinë, 27 tetor 2016 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Kosovë, ka mbajtur tryezën me titull “Luftë për luftën kundër korrupsionit, në të cilën u publikua raporti i monitorimit të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe sistemin gjyqësor. Gjatë kësaj tryeze u diskutua për performancën dhe rezultatet e institucioneve të drejtësisë në luftimin e korrupsionit.

Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Ruairi O’Connell, Ambasadori Amerikan në Kosovë, z. Greg Delawie, Ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, z. Nehat Idrizi dhe anëtarja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, znj. Radica Milic.

Në fjalën e saj hyrëse, Ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha tha se ajo ka një obligim ligjor për të ju siguruar qytetarëve të Kosovës qasje dhe siguri të barabartë në drejtësi. “Prioritet i imi në këtë mandat është lufta kundër korrupsionit. Përmirësimi i legjislacionit dhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjit është një ndër hapat e fuqizimit të sistemit të drejtësie. Ndërtimi i shtetit ligjor do të fuqizoj pozitën e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave” u shpreh Hoxha. Tutje, ajo foli për mekanizmat që kjo ministri është duke krijuar për të ngritur efikasitetin dhe llogaridhënien e saj. “Luftimi i korrupsionit nuk është betejë e lehtë  e as e menjëhershme, lufta me të do të jetë e mundimshme dhe e vazhdueshme por ne do ta fitojmë për gjeneratat e ardhshme dhe fëmijët tanë.”

Ambasadori i Britanisë së Madhe, z. Ruairi O’Connell, gjatë kësaj tryeze u shpreh se raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, e cilëson si një raport profesional i cili po dëshmon për humbjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. “Ne kemi interes që mos të lëmë Kosovën të shembet për dëshirën e disa njerëzve. Është në interes të Britanisë së Madhe që Kosova të jetë e fortë dhe një shtet me prosperitet dhe mënyra e vetme për të luftuar korrupsionin është të kemi një gjyqësor të fortë”. Duke folur për luftën kundër korrupsionit, ai përmendi edhe raste konkrete duke përfshirë këtu rastin ish Kryetarit të Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka, për të cilin rast tha se si pasojë e zvarritjes së kësaj lënde, ai u la i lirë. “Kemi rastin e fundit të z. Ukës, ku dëshmohet se shkeljet e afateve ligjore ia mundësuan atij të mos dënohet e as të hetohet për shkak të parashkrimit të veprave penale të korrupsionit. E një rast tjetër të z. Uka, gjykata ka vërtetuar se 6 milionë euro ka qenë dëmi i shkaktuar e në këtë rast. Z. Uka është dënuar me kusht dhe nuk është konfiskuar asnjë cent. Si ka mundësi që aktakuzat të ngrihen nga prokurorët dhe të rrinë në zyrat e tyre me muaj e me vite deri sa të dorëzohen në gjykatë. Si ka mundësi që aktakuzat e ngritura për korrupsionin nga prokuroria të flenë më muaj në gjykata dhe të mos caktohen seanca gjyqësore.” Ambasadori O’Connell ka përmendur si shembuj të suksesshëm prokurorin special Admir Shala dhe prokurorin e Prokurorisë Themelorë në Prishtinë, Armend Hamiti. Ambasadori Britanik foli edhe për të gjeturat e raportit të IKD-së, ku i konsideroj këto rezultate si shqetësuese. “Keni bërë  një data bazë perfekte të lëndëve të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, mirëpo tash është koha të kemi rezultate konkrete e të dëshmohet që guxohet të dënohen të gjithë të korruptuarit kush do që janë ata. Të gjeturat e raportit tregojnë se për veprën e korrupsionit të akuzuarit i takojnë kryesisht nivelit të ultë e rrallë raste janë ngritur aktakuza ndaj personave të profilit të lartë. Madje u pa që ata edhe kur dënohen në gjykata ose nuk dënohen ose dënohem me kusht”.

Edhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, z. Greg Delawie, ka vlerësuar raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi duke inkurajuar organet e drejtësisë që të përfitojnë nga rekomandimet e këtij raporti. “Askujt nuk i pëlqen të kritikohet ose t’i thuhet që nuk po e bën një punë perfekte, por e vërteta është se çdo herë duhet të ketë vend për përmirësime. Kështu që përfitoni nga raporti i IKD-së për të përmirësuar punën tuaj”. Ambasadorit amerikan i ra në sy mosprezenca e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për të cilën tha se kjo prokurori ka autorizimin që të ngritë aktakuzat për krimet më të rënda, dhe askush nga prezent ta nuk është prezent në tryezë që ta përfaqësoj. Tutje, Ambasadori Delawie, foli për luftën kundër korrupsionit, i cili tha se e gjithë shoqëria duhet të angazhohen në këtë luftë. “Jemi të gjithë të vetëdijshëm se korrupsioni është një ndër problemet më të theksuara në Kosovë. Për të luftuar korrupsionin kërkohet një përkushtim i të gjithëve. Asnjë institucion dhe askush nuk mund ta bëj i vetëm. Fatkeqësisht korrupsioni nuk është diçka që mund të eliminohet në tërësi, por ne duhet të luftojmë që ta identifikojmë atë dhe ta ndëshkojmë”, u shpreh Delawie.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi tha se të gjeturat dhe rekomandimet e raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi,  do të analizohen nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe do të merren veprime që ato të zbatohen në praktikë.” Për gjyqësorin prioritet është besimi i publikut e cili po shihet se është në shkallë mjaft të ulët. Korrupsioni është një fenomen i ligsht që  është prezent edhe në Kosovë. Mund të konkludohet që korrupsioni ka një impakt shkatërrues mbi sundimin e ligjit. Korrupsioni nuk mund të luftohet lehtë dhe duhet një angazhim i tërë shoqërisë dhe institucioneve tona, e posaçërisht institucioneve të drejtësisë”. Fjalimin e tij, kryesuesi i KGJK-së, e përmbylli duke falënderuar Institutin e Kosovës për Drejtësi për raportin analitik dhe premtoi që ky Institut do të mbetet i informuar për hapat që do të ndërmerren nga KGJK bazuar në rekomandimet e paraqitura në raport.

Ndërkaq, anëtarja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, znj. Radica Milic,  tha se fenomeni i korrupsionit nuk mund të shuhet, por të gjithë duhet të bëjnë përpjekje që të sillet në një nivel të pranueshëm. “Korrupsioni është një problem global dhe ne kemi nevojë për mbështetje nga të gjithë” u shpreh Milic. Ajo i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës që gjatë diskutimit për buxhet të marrë parasysh kërkesat e Këshillit Prokurorial të Kosovës për rritje të buxhetit në mënyrë që të kenë një efikasitet më të madh. E përveç kësaj ftese, ajo ftoj edhe prokurorët rinj të merren me raste të korrupsionit, duke premtuar mbështetjen e KPK-së. Në fund, znj. Milic e falënderoj IKD-në për punën serioze që ka bërë me përpilimin e këtij raporti analitik.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin Kryetarët e Gjykatave Themelore, Kryeprokurorët e Prokurorive Themelore, gjykatës, prokurorë, Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, përfaqësues të Ambasadës Britanike, Ambasadës Amerikane, Ambasada Holandeze, përfaqësues të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përfaqësues të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, përfaqësues të Odës së Avokatëve të Kosovës, USAID-it,  Zyrës së BE-së në Prishtinë dhe Shoqërisë Civile.