Lufta kundër korrupsionit në Kosovë: Dështimet dhe progresi

Lufta kundër korrupsionit në Kosovë: Dështimet dhe progresi

Lufta kundër korrupsionit në Kosovë: Dështimet dhe progresi

Prishtinë, 10 dhjetor 2015 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, të enjten, ka mbajtur tryezën me temën “Lufta kundër korrupsionit në Kosovë: Dështimet dhe progresi“, në të cilën u publikua edhe raporti i IKD-së “Luftimi i korrupsionit në Kosovë, prioritet në letër” raport vlerësues gjithëpërfshirës mbi efikasitetin e sistemit prokurorial dhe sistemin gjyqësor në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin Ministri i Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Ruairi O’Connell, Ambasadori Amerikan në Kosovë, z. Greg Delawie, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, Koordinatorja Nacionale kundër Korrupsionit, znj. Laura Pula.

Në fjalën hyrëse, Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka vlerësuar lartë raportin e IKD-së. “Kam parë që është bëre një punë e madhe. Përgëzoj hulumtuesit. Raporti paraqet një realitet ekzistues të Kosovës. Luftën sfidat e ngecjet në luftën kundër korrupsion”, u shpreh Kuçi. Tutje ai ka shtuar se “nëse e shohim gjendjen reale e cila s’është edhe shumë e mirë, dhe në këtë drejtim duhet të them se ne institucionet dhe shoqëria jonë s’është vetëm fenomen në letër, por një çështje që duhet ta konsiderojmë si jetike për funksionimin e rendit dhe ligjit. Aspiratat tona për integrim në BE lidhen me ligjin dhe respektimin e tij, dhe luftimi i korrupsionit është krucial për integrim”. Kuçi ka thënë se ka ardhur koha që Kosova të ketë një adresë të luftimit të korrupsionit në veçanti të nivelit të lartë dhe se duhet të ketë një individ që identifikohet me luftimin e korrupsionit. “Ne duhet të krijojmë një hierarki në luftimin e kësaj dukurie. Sistemi në Kosovë ka shumë njerëz të ndershëm, profesionalë dhe të paanshëm, dhe këta njerëz duhet t’i fuqizojmë”.

Ambasadori e Britanisë së Madhe, z. Ruairi O’Connell, tha se “ka ardhur koha kur udhëheqësit politik dhe zbatuesit e ligjit të venë në radhë të parë interesat e shtetit, dhe të zbatojnë luftën e korrupsionit pa kompromis. Kur them luftimin e korrupsionit, mendoj në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Korrupsionit i cili po e pengon Kosovën drejt integrimeve europiane. Korrupsionit që po pengon investitorët e huaj të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Çdo devijim nga kjo rrugë, do të pengojë Kosovën”. Ambasadori Britanik, ka thënë se në këtë luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, organet e drejtësisë nuk duhet dhe nuk guxojnë në asnjë mënyrë të lejojnë zbatim të drejtësisë selektive. “Kohëve të fundit jemi dëshmitarë se kjo po ndodhë.  Kosova nuk duhet dhe nuk guxon të tolerojë ndërhyrje politike në procese gjyqësore”, tha O’Conell. Tutje ai ka vazhduar me vlerësimin se aktualisht organet e drejtësisë nuk po përmbushin mandatin e tyre në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi dëshmon se në bazë të aktakuzave dhe dënimeve të shpallura në Kosovë, del se kemi korrupsion të nivelit të ulët. Organet e drejtësisë nuk po munden të gjejnë guximin për të ndjekur personat e fuqishëm, pushtetarët e korruptuar që po pengojnë ardhmërinë Kosovës”.

Ambasadori SHBA-ve në Kosovës, z. Greg Delawie, tha se pjesëmarrja në tryezën e IKD për të adresuar rolin e shoqërisë civile në këtë përpjekje, duke ja dhënë përgjegjësinë që të vlerësoj në mënyrë të pavarur këtë progres dhe të bëj rekomandime. “Organizatat joqeveritare si IKD, të cilët shërbejnë si roje për publikun, që rrisin transparencën dhe ofrojnë rekomandime, duhet të jenë partner kyç në këtë përpjekje. Gjyqtarët dhe prokurorët duke punuar së bashku me shoqërinë civile mund të ndihmojnë që të ndryshohet realiteti dhe perceptimi mbi korrupsionin, dhe të fitojnë përsëri besimin e publikut”. Ambasadori Delawie tha se “luftimi i korrupsionit është prioritet i imi dhe i SHBA-së në të gjithë botën. Ka vite me radhë që institucionet e Kosovës flasin për luftën kundër korrupsionit por vetëm kjo nuk mjafton. Shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë të aftë për ta luftuar korrupsionin. Për shkak të pozitës së rëndësishme që është besuar ju duhet të mos keni fare tolerancë për rastet që i trajtoni, asnjë gjyqtar i korruptuar nuk duhet të punojnë në sistemin e drejtësisë”. Sipas tij, korrupsioni është sfidë për Kosovën, por siguroj prokurorët dhe gjykatësit, se në këtë rrugë nuk janë vetëm. “Korrupsioni është sfida më e madhe që ka Kosova por ju nuk jeni vetëm, gjatë viteve të ardhshme SHBA do të investojë 12 milionë euro në infrastrukturën e sistemit gjyqësor”. Ambasadori Delawie tha se Qeveria Amerikane e lufton anekënd botës për të çrrënjosur korrupsionin, dhe sipas tij, ka vite me radhë që institucionet kosovare e kanë thënë gjënë e duhur për luftimin e korrupsionit por është vërtetuar se vetëm premtimi për të luftuar nuk mjafton.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, tha se raporti është gjithëpërfshirës me të dhëna më të plota se në raportet e kaluara dhe besoj që rekomandimet janë të sakta dhe do të na shërbejnë për punë në të ardhmen. Kryesuesi Peci tha se janë themeluar shumë mekanizma që në praktikë shumë vështirë po

Funksionojnë në luftimin e korrupsionit. “Rrjedha e raportimit nuk po funksionon si duhet. Policia, prokuroria dhe gjykata janë ato që merren me këtë dukuri dhe konsideroj se duhet të forcohen në të ardhmen. Nuk ekziston një vullnet i përgjithshëm politik për luftimin e korrupsionit”. Tutje ai ka theksuar se “nëse nuk merremi me veten dhe nuk e çrrënjosim korrupsionin nga vendet ku punojmë nuk mund ta luftojmë askund”.

Koordinatorja Nacionale Kundër Korrupsionit, prokurorja znj. Laura Pula, ka thënë se IKD në procesin e monitorimit të sistemit prokurorial, ka përmbushur me korrektësi dhe saktësi detyrat për të raportuar rreth performancës në luftimin e korrupsionit. “Sistemi prokurorial është transparent dhe llogaridhënës. Sfidë për sistemin prokurorial mbesin Prokuroria Themelore të Prishtinë dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. “Duke pasur parasysh këtë, ne kemi marr masa për ta evoluar Planin e Veprimit dhe për të dal nga kjo gjendje. Gjithashtu ,sa i përket punës se Prokurorit të Shtetit, janë ngritur shumë aktakuza kundër shumë zyrtarëve të lartë dhe krejt kjo ka ndodhur brenda 7-8 muajve”, tha Pula.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin të gjithë Kryetarët e Gjykatave Themelore, Kryeprokurorët e Prokurorive Themelore, gjykatës, prokurorë, përfaqësues të Agjencisë Kundër Korrupsionit,

përfaqësues të Ambasadës Britanike, Ambasadës Amerikane, Ambasadës Norvegjeze, Ambasadës Holandeze, përfaqësues të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, EULEX-it, Zyrës së BE-së në Kosovë, OSBE-së, UNDP-së dhe Shoqërisë Civile,.