Loja me Gjykatën Speciale

Monday 25 December, 2017

foto 3

 

Përmbledhje ekzekutive

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj iniciativës së fundit të deputetëve të caktuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj mbështetjes së kësaj iniciative nga përfaqësues të lartë të Shtetit dhe nga parti të caktuara politike lidhur me plotësim ndryshimin e Ligjit mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Republika e Kosovës dhe institucionet e saj, Qeveria, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës, përgjatë viteve 2015 dhe 2016, si rezultat i bisedimeve në Bruksel dhe me pëlqimin e mbështetjen e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera mike ishin dakorduar për themelimin e Gjykatës Speciale. Ky hap i Kuvendit të Kosovës, aso kohe ishte ndërmarrë me arsyetimin se shkon në të mirë të Kosovës dhe rrugës së saj drejt konsolidimit të shtetësisë  dhe forcimit të sovranitetit shtetëror.

Gjatë kohës kur zhvilloheshin bisedimet dhe në kohën kur duhej marr vendimi lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale nga institucionet e Kosovës, diplomatë ndërkombëtar, përfaqësues të Bashkimit Evropian, ShBA-ve, shteteve të Quint-it si dhe miqtë e Shtetit të Kosovës, kishin kërkuar dhe këshilluar popullin e Kosovës, se zgjidhja më e mirë për të adresuar pretendimet e ngritura nga senatori zviceran në raportin e paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, lidhur me supozimet për krime lufte gjatë viteve 1998-2000, ishte themelimi i një Gjykate Speciale nga Kuvendi i Kosovës.

Përfaqësuesit ndërkombëtar, përfshirë përfaqësues nga shtetet mike që kishin kontribuar në çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë, shtet ndërtimin, njohjen e Kosovës nga më shumë se 100 shtete të OKB-së, pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, kishin deklaruar hapur  se mungesa e vullnetit të institucioneve dhe liderëve politik për të themeluar një gjykatë të tillë, do të hapte rrugë që kjo gjykatë të themelohej nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku ndikim do të kishin edhe shtetet si Rusia, Serbia dhe shtetet tjera që kundërshtojnë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Lidhur me themelimin dhe funksionalizimin e këtij mekanizmi, institucionet e Kosovës kishin lidhur marrëveshje kontraktuale me Bashkimin Evropian, Holandën si dhe kishin garantuar tek shtetet mike se Kosova do të përmbush në tërësi obligimet e saj ndërkombëtare në raport me këtë gjykatë. Gjithë këta hapa ishin ndërmarrë në vazhdën e impelementimit të amendamentit kushtetues nr. 24, i cili i hapte rrugën themelimit të kësaj gjykate: me amendament flet sovrani si tërësi, me ligj vetëm një pjesë e tij. Kosova njëzëri dhe si Sovran foli me amendamentin e mësipërm kushtetues në gusht të vitit 2015 kur vendosi për t’i hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate.

IKD vlerëson se iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale cenon rëndë detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, bie ndesh me vlerat dhe parimet ndërkombëtare lidhur me sundimin e ligjit për të cilat është zotuar Kosova dhe konteston rënd subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar të Shtetit të Kosovës sepse paraqet një shqetësim serioz të dobësimit të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit: ky hap, po u realizua, përfundimisht tregon se Kosova ka mungesë të pasjes së zotësisë për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale me shtete dhe organizata ndërkombëtare si pasojë e moszbatimit  të të njëjtave marrëveshje ndërkombëtare për të cilat është zotuar se do t’i zbatoi në mënyrë solemne dhe me shkrim. Ky hap, po u realizua, paraqet edhe cenim të rënd të zakonit ndërkombëtar, diçka që Kosova nuk guxon dhe nuk duhet t’ia lejoi vetes nëse merret parasysh statusi i pakonsoliduar i shtetësisë së Kosovës. Madje, një qasje e tillë e Kosovës në raport më bashkësinë ndërkombëtare, bie në kundërshtim me parimin bazë të përgjegjësisë së shtetit në të drejtën ndërkombëtare, e cila përcakton qartë se çdo shtet që shkel një obligim ndërkombëtar duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tij deliktore: është përgjegjësi e shtetit që nuk respekton obligimet ndërkombëtare që menjëherë të ndaloj veprimet e tilla ose, në të kundërtën, të përballet me pasoja. Këto pasoja në rastin e Kosovës do të ishin të pariparueshme.

Kosova si një shtet i ri, i cili ende është në fazën e shtet ndërtimit, me demokraci të brishtë, ekonomikisht dhe financiarisht i varur nga ndihmat dhe mbështetja ndërkombëtare, me nivel shumë të ultë të sundimit të ligjit, në kërkim të rrugës për të forcuar subjektivitetin e tij ndërkombëtar, duhet të sigurohet që të ndërmarr veprime dhe vendime politike që ngritin besimin dhe imazhin e saj në arenën ndërkombëtare.

Çdo anashkalim nga kjo rrugë apo përpjekje e institucioneve të Republikës së Kosovës për të iu bishtnuar obligimeve ndërkombëtare, siç është rasti me Gjykatën Speciale, do të vente në rrezik shtetësinë e saj. Çka është edhe më e rëndësishme, me këtë hap Kosova do të mund të humbte besimin dhe përkrahjen e partnerëve të saj tradicional, si SHBA, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe, Gjermania etj.

Duke u gjendur në një situatë të tillë, IKD i bën thirrje Kuvendit të Kosovës, udhëheqësve të institucioneve shtetërore dhe liderëve politik, të vazhdojnë të përmbushin obligimet kushtetuese, ndërkombëtare dhe ligjore në raport me Gjykatën Speciale, dhe mos të ndërmarrin veprime të cilat dëmtojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, të cilat rrezikojnë të ardhmen dhe perspektiven euro-atlantike të popullit të Kosovës.

Klikoni këtu për ta shkarkuar analizën e shkurtë ligjore “Loja me Gjykatën Speciale”