Paligjshmëria e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës

foto-3

Sunday 13 November, 2016

Shkarko dokumentin:  Shqip   |  English

Prishtinë, 13 nëntor 2016 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, të dielën, ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën është publikuar analiza e shkurtë me titull “Paligjshmëria e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial”, si rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe sistematik të sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial.

Analiza e shkurtë i referohet vendimeve të kundërligjshme dhe mungesës së legjitimitetit, të cilat po rrezikojnë funksionimin e ligjshëm të dy Këshillave, duke krijuar pasiguri juridike edhe pasoja të mëdha për sistemin gjyqësor dhe sistemin prokurorial.

Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë, tha se IKD gjatë procesit të monitorimit ka gjetur se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) edhe afërsisht gjashtë vite pas funksionimit si institucione të pavarura me kompetencë dhe përgjegjësi për të administruar dhe menaxhuar sistemin gjyqësor dhe prokurorial, nuk po munden të gjejnë rrugën për të ushtruar veprimtarinë në pajtim me ligjin, praktikat dhe standardet ndërkombëtare që zbatohen në Kosovë. “KPK vazhdon veprimtarinë me anëtar me mandat të skaduar, në mënyrë të kundërligjshme dhe pa legjitimitet, duke cenuar ligjshmërinë dhe sigurinë juridike të Këshillit. Ky Këshill gjatë kohës sa ka ushtruar mandatin në mënyrë të kundërligjshme anëtari Idain Smailji ka zhvilluar procese të rëndësishme, si procesi i zgjedhjes së prokurorëve, zgjedhja e Kryeprokurorit të Apelit dhe Prokurorisë Speciale dhe një sërë vendimesh, të cilat mund të kontestohen për shkak të ushtrimit të kundërligjshëm të mandatit nga prokurori Smailji”. Sa i përket vendimeve të KGJK-së, Mifataraj tha se praktika e ndryshimit të rregullave dhe kritereve gjatë procesit të konkursit nga KGJK është në kundërshtim me ligjin. “Kjo dëshmon se politikë-bërja nga KGJK është mjaft e brishtë dhe për pasojë mund të shkaktojë huti, duke ngritur mëdyshje mbi paanshmërinë dhe besueshmërinë e të gjithë procesit të rekrutimit dhe emërimit të gjykatësve”.

Në vazhdim të konferencës, dy hulumtuesit Diana Berisha dhe Valdet Hajdini kanë elaboruar gjetjet e monitorimit të IKD-së për të dy Këshillat.

Hulumtuesja Diana Berisha, tha se Ligji për KPK përcakton se përveç anëtarëve ex-officio, anëtarët e KPK-së zgjidhen apo emërohen me një mandat pesë (5) vjeçar dhe se një (1) anëtar mund të zgjidhet për një mandat shtesë pesë (5) vjeçar jo të njëpasnjëshëm. Gjetjet e IKD-së dëshmojnë se në kuadër të KPK-së ka anëtar të privilegjuar, që vazhdojnë mandatin kundërligjshëm edhe pasi që kanë ushtruar funksionin mbi pesë vite. “Anëtari i KPK-së, Idain Smailji me vendim të KPK-së, A.nr. 05/11, me 15 shkurt 2011, ishte zgjedhur anëtar i KPK-së. Me kalimin në strukturën e re organizative të prokurorive, sipas Ligjit për Prokurorin e Shtetit nga 1 janari 2013, përbërja e re e KPK-së duhej të kishte edhe një anëtar nga Prokuroria e Apelit. Në këtë drejtim, KPK sipas propozimit të prokurorëve të Prokurorisë së Apelit, gjatë muajit dhjetor të vitit 2012, kishte vendosur që Idain Smailji të vazhdoj mandatin e tij si anëtar i KPK-së, por tani duke përfaqësuar Prokurorinë e Apelit”.

Berisha tha se në bazë të ligjit për KPK-në, Smailji ka pasur mandat deri më 15 shkurt 2016. “Edhe përkundër kësaj, i njëjti ende vazhdon të shërbej në KPK si anëtar, Zëvendës-Kryesues i KPK-së, Kryetar i Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve dhe deri vonë ka shërbyer edhe si Kryetar i Komisioni Disiplinor të KPK-së”.

Hulumtuesja Berisha tha se legjitimiteti dhe ligjshmëria e KPK-së, përbën standard bazik për funksionimin e drejtë, të paanshëm, të pavarur dhe profesional të sistemit prokurorial. “Të dyja janë cenuar duke lejuar që anëtar të këtij Këshilli të ushtrojnë kompetenca dhe përgjegjësi në kundërshtim me ligjin, duke dëmtuar dhe kërcënuar proceset nëpër të cilat ka kaluar ky sistem që nga 15 shkurti 2016”.

Berisha theksoj rekomandimet e IKD-së për KPK-në për të adresuar paligjshmërinë e cila po rrezikon funksionimin e KPK-së. “IKD i rekomandon KPK-së që urgjentisht të trajtoj mandatin e prokurorit Idain Smailji, në rolin e anëtarit të KPK-së, duke kthyer ligjshmërinë dhe legjitimitetin në KPK. Rekomandojmë që KPK në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të vlerësojnë ligjshmërinë e të gjitha vendimeve dhe politikave të miratuara nga KPK që nga 15 shkurti 2016. Gjithashtu, IKD kërkon të ndalet urgjentisht kultura e instaluar e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve brenda sistemit prokurorial që për interesa të ngushta të dëmtojnë në veçanti imazhin e tërë sistemit prokurorial në Kosovë, dhe poashtu sundimin e ligjit në përgjithësi”.

Hulumtuesi Valdet Hajdini ka elaboruar në detaje politikë-bërjen e KGJK-së dhe vendimet e kundërligjshme, të cilat cenojnë rëndë paanshmërinë dhe besueshmërinë e procesit të rekrutimit të gjykatësve. “KJGK vetëm gjatë vitit 2016, ka miratuar, plotësuar dhe ndryshuar katër (4) herë Rregulloren për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Ri-emërimin e Gjykatësve.  I njëjti Këshill para miratimit të Rregullores kishte shpallur pozitat për gjykatës në Gjykatat Themelore në Kosovë. Për më tepër KGJK ka ndryshuar kriteret lidhur me testin kualifikues, duke ulur kriterin e kalueshmërisë nga 45 pikë në 40 pikë, pasi që ishin publikuar rezultatet e testit kualifikues”.

Hajdini tha se kjo praktikë dëshmon se politikë-bërja nga KGJK është mjaft e brishtë dhe për pasojë mund të shkaktojë huti, duke ngritur mëdyshje mbi paanshmërinë dhe besueshmërinë e të gjithë procesit të rekrutimit dhe emërimit të gjykatësve.

Hajdini tha se IKD i rekomandon KGJK-së që të ri vlerësoj vendimin e datës 22 tetor 2016, me qëllim të sigurimit dhe garantimit të një procesi transparent,  të bazuar në kritere të qarta dhe objektive, të zbatohet kriteri i meritës dhe sigurisë juridike për të gjithë kandidatët në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë.