Tryezë e IKD-së: “KORRUPSIONI NË KOSOVË: “Peshqit” e vegjël kapen, të mëdhenjtë lihen të lirë”

Tuesday 28 March, 2017

Tryeza e IKD-së (1)

Prishtinë, 28 mars 2017 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Kosovë, të martën, ka mbajtur tryezën me titull “Luftimi i korrupsionit: “Peshqit” e vegjël kapen, të mëdhenjtë lihen të lirë”. Në këtë tryezë, u publikua raporti “’Deti’ i korrupsionit në Kosovë: “Peshqit” e vegjël kapen, të mëdhenjtë lihen të lirë”, si rezultat i monitorimit të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe sistemin gjyqësor. IKD vetëm gjatë vitit të kaluar ka monitoruar 1505 seanca gjyqësore në 383 raste të korrupsionit ku kanë qenë përfshirë 989 persona të pandehur, në të gjitha Gjykatat Themelore në Kosovë. Gjatë kësaj tryeze u diskutua për performancën dhe rezultatet e institucioneve të drejtësisë në luftimin e korrupsionit.

Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Ruairi O’Connell, Ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, z. Nehat Idrizi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, z.Blerim Isufaj dhe Betim Musliu drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Musliu ka prezantuar gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet e monitorimit sistematik të trajtimit të rasteve të korrupsionit nga gjykatat dhe prokuroritë. “Përkundër politikave të miratuara dhe shprehjes së vullnetit deklarativ nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial në luftimin e korrupsionit, rezultatet konkrete në luftimin e tij, veçanërisht të korrupsionit të profilit të lartë ende mungojnë. Viti 2016 ka vazhduar me spektakle, luftë komunikatash dhe statistikash kundër korrupsionit. Prokurori i Shtetit gjatë këtij viti, mbi 60% të rasteve të korrupsionit i ka hudhur kallëzimet penale apo i ka pushuar hetimet”. Musliu tha se numri më i madh i aktakuzave lidhen me vepra penale të korrupsionit të nivelit të ultë, në ato raste kur i takojnë nivelit të lartë, mungojnë aktgjykimet dënuese. Në mbi 60 % të rasteve të korrupsionit, aktakuzat dështojnë në gjykata, duke mos u provuar dhe mbrojtur nga prokurorët. “Përpjekjet për luftën kundër korrupsionit përmes aktakuzave, më tepër po dëshmohen si arsyetim para publikut dhe faktorit ndërkombëtar se korrupsioni në Kosovë po luftohet. Hulumtimi i IKD-së ka gjetur se në shumë raste të profilit të lartë, prokuroria ka ngritur aktakuza të cilat janë hudhur apo refuzuar nga gjykata në raste të caktuara qysh në seancën e shqyrtimit të parë apo edhe në faza të mëvonshme të procedurës gjyqësore, si rastet kundër Enver Hasanit, Lutfi Hazirit, Agim Bahtirit, Shpresa Bakisë, etj. Në rastet kur nuk ka luftim të korrupsionit, atëherë ka promovim.  Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorëve të identifikuar si shkelës të ligjit ka vazhduar t’iu ndajë mirënjohje për merita në promovimin e sistemit prokurorial.”

Ambasadori i Britanisë së Madhe, z. Ruairi O’Connell, në fjalën hyrëse tha se në vitin 2016 numri i aktakuza të ngritur ka shënuar rritje, mirëpo sipas tij, bazuar në të gjeturat të raportit të IKD-së vështirë se mund të gjenden rezultate, duke i cilësuar si shqetësuese të gjeturat e raportit për vitin 2016.

Ambasadori O’Connell, gjatë  kësaj tryeze u shpreh se raporti i IKD-së, dëshmon se ka mungesë të luftimit të korrupsionit në Kosovë. “Kur shohim këtë raport, rezultate është vështirë t’i gjesh. Ka mungesë të luftimit të korrupsionit, edhe në anën tjetër  zgjedhja e kryetarëve të gjykatave është vështirë e sqarueshme. Pavarësia përmirësimi në gjyqësor duhet të vijë nga njerëzit e gjyqësorit që të krijohet besim tek qytetarët. Kjo është lehtë e realizueshme por duhet të ketë vullnet, nga fjalimet e mira të kalohet në veprime” . Tutje, Ambasadori O’Connell shtoi se Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor duhet t’i kushtojnë rëndësi hartimit të legjislacionit sekondar, dhe të bëjnë vlerësimin e performancës së prokurorëve dhe gjykatësve në baza vjetore, e jo vetëm për raste specifike. “Që nga vitit 2011 nuk ka pasur vlerësim të performancës se gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kjo tregon mungesën e llogaridhënies, përveç në raste të veçanta”.

Ambasadori O’Connell tha se të gjeturat e IKD-së, tregojnë së prokurorët dhe gjykatësit janë të paqasshëm edhe ndaj publikut dhe sipas tij kjo është pasqyrë e mirë. “Neve si ndërkombëtar na tregohet krimi i një data bazë ku janë shënjestër disa raste të korrupsionit, por ju duhet të bëni punë për hir të qytetarëve, e jo vetëm me kërkesat e ndërkombëtarëve, ngase rezultatet janë të mangëta”.

Në fjalën hyrëse, Ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha tha se Kosova nuk bën përjashtim sa i përket pranisë së korrupsionit, dukuri kjo që sipas saj e ka dëmtuar dhe po e dëmton institucionet, por edhe qytetarët. Ministrja Hoxha ka vlerësuar se nuk duhet mjaftuar vetëm me retorikë, duke përçuar mesazhin se të korruptuarit nuk kanë vend në institucione e as në shoqëri.  “Lufta kundër korrupsioni mund të bëhet vetëm me zero tolerancë kundër kësaj dukurie, pra është i nevojshëm roli aktiv i të gjithë neve. Është koha e fundit që të gjithë ne, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori ta fitojmë këtë luftë, gjithnjë duke e respektuar pavarësinë e secilit”. Ministrja Hoxha, tha se MD ka hartuar politika kundër korrupsionit, dhe kanë filluar me reformën e thellë në sistemin e drejtësisë, plotësim ndryshimi i Ligjit për përgjegjësit e prokurorëve dhe gjykatave, dhe një udhëzuesi të dënimeve që do të rrisë pavarësinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve. “Sundimi i ligjit nuk duhet të jetë opsion, por e vetmja alternativë. Mënyra më e mirë për të luftuar korrupsion është rritja e transparencës. Ta drejtojmë gishtin drejtë të korruptuarve, kemi shumë punë, por ju garantoj se do të bëjmë këtë luftë”, ka thënë ministrja Hoxha.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi tha se të gjeturat dhe rekomandimet e raportit të IKD-së, do të shërbejnë dhe do ta ndihmojnë KGJK-në në përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit, duke garantuar se do të marrin edhe përgjegjësi për mos efikasitet. Idrizi ka pranuar se trajtimi i rasteve të korrupsionit është sfidë për gjyqtarët. “Trajtimi i rasteve të korrupsionit është sfidë për gjyqësorin e Kosovës, prandaj edhe kemi marrë me prioritet trajtimin e këtyre rasteve. Kemi hartuar një plan në vitit 2015 dhe kemi krijuar një komision që do të bëjë monitorimin e këtyre rasteve”. Kryesuesi i KGJK-së ka përshëndetur punën e IKD-së, duke thënë se e ka ndihmuar punën e Këshillit edhe përmes rekomandimeve. “Raporti i IKD-së thotë se kemi edhe mangësi, dhe ne do të marrim përgjegjësi pkëtë”, ka thënë Idrizi.

Kreu i KGJK-së ka thënë më tej se do të kërkojë nga kryetarët e gjykatave që gjitha gjykimet për korrupsion të nivelit të lartë të jenë publike, duke pohuar se transparenca në gjykimin e këtyre rasteve nuk ka qenë e kënaqshme deri më tani. “Transparenca në gjykimin e rasteve të korrupsionit nuk është e këndshëm sidomos në profilin e lartë do të kërkojmë nga kryetarët e gjykatave që të arsyetojnë përjashtimin publikut nga seancat. Përjashtimi i publikut nga seancat duhet të bëhet në raste të veçanta, e monitorimi i këtyre rasteve është zotim yni përpara të gjithëve për luftimin e kësaj dukurie” është shprehur Idrizi.

Ndërkaq, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Blerim Isufaj,  tha se Këshilli Prokurorial përkrah monitorimin e shoqërisë civile dhe se raportet dhe vlerësimet e jashtme janë të dobishme për avancimin e punës së tyre. Megjithatë ai u shpreh i bindur se prokurorët kanë treguar edhe efikasitet në punë e tyre, kur është fjala te ngritja e aktakuzave për korrupsion. Ai komentoi edhe kritikat e ambasadorit O’Cannell sa i përket zgjedhjes së Kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, por edhe hartimin të legjislacionit sekondar. “Me shumë vëmendje e kam lexuar raportin me të dhëna të mjaftueshme, por jam i zhgënjyer me vlerësimet kur thuhet se po ngritën aktakuza pa fakte, por edhe hudhen kallëzime penale. Pos me aktakuzë, si mund të luftohet korrupsioni, prokurori nuk mund të ngrit aktakuzë pa prova, kjo është puna e jonë mos të ngritin aktakuza pa fakte” ka thënë Isufaj. Kreu i KPK-së ka shtuar se i mirëpresin kritikat, por presin edhe vlerësime pozitive.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin Kryetarët e Gjykatave Themelore, Kryeprokurorët e Prokurorive Themelore, gjykatës, prokurorë, Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, përfaqësues të Ambasadës Britanike, Ambasadës Amerikane, përfaqësues të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përfaqësues të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, përfaqësues të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe Shoqërisë Civile.